E Diel, 1 Nëntor 2026

Këtë vit bregdeti fokusi kryesor në menaxhimin e integruar të kufirit

Ministri Bujar Nishani mbledh grupin për monitorimin e kufijve në vend

TIRANE - Nën kryesimin e Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, u mblodh dje, Grupi Ndërministror për monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Planit të saj të Veprimit.
Në mbledhje u diskutua së pari mbi ecurinë e zbatimit të strategjisë dhe planit të veprimit dhe më pas u prezantua Plani i Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit të Përditësuar.
Ministri Nishani vlerësoi në veçanti riorganizimin total të Policisë Kufitare dhe Migracionit duke krijuar një strukturë të vertikalizuar me autonomi financiare dhe burimesh njerëzore, si dhe krijimin e Policisë Gjyqësore dhe Analizës së Riskut brenda kësaj strukture. Ministri i Brendshëm shprehu vlerësim edhe për volumin e madh të punës me Shërbimin Doganor.
Për sa i takon bashkëpunimit ndërkombëtar Ministri Nishani nënvizoi nënshkrimin e marrëveshjeve dhe protokolleve të bashkëpunimit policor me vendet e rajonit dhe më gjerë për rritjen e sigurisë kufitare, takimet kufitare të tre niveleve, patrullimet e përbashkëta dhe hapjen e PKK të përbashkët me Malin e Zi në Muriqan-Sukobin.
Fokusi kryesor për këtë vit në menaxhimin e integruar të kufirit do të jetë bregdeti, që ka edhe vendin kryesor në Planin e Përditësuar të Veprimit, si dhe sistemi i trajnimit, i cili do të krijojë mundësi që arritjet e deritanishme t’i konsolidojë dhe t’i kthejë në standarde, tha ministri i Brendshëm Bujar Nishani.
Në mbledhjen e Grupit Ndërministror për monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe Planit të saj të Veprimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të delegacioneve të KE-së dhe OSBE-së, dhe të misioneve të huaja që asistojnë në Shqipëri, PAMECA, ICITAP dhe TACTA.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›