E Diel, 1 Nëntor 2026

Barrikada socialiste – Miratohet nen për nen projekti i imuniteteve, por jo në tërësi

25-07-2012 / Gazeta 55

Këshilli i Legjislacionit miraton draftin për kufizimin e Imunitetit, me 15 vota “pro”, duke nulifikuar përpjekjen procedurale për të bllokuar paraqitjen e nismës në seancën plenare të 6 gushtit. Deputetët e PS-së e votojnë draftin nen për nen, por jo në tërësi, çka rrezikon prishjen e konsensusit të arritur mes dy palëve, gjatë negociatave Paloka-Majko

Partia Socialiste voton nen për nen draftin për ndryshimet kushtetuese për heqjen e i munitetit, por nuk e voton atë në tërësi. Me 15 vota pro dhe 12 kundër, u vendos që drafti t’i kalojë për votim parlamentit, në seancën e paralajmëruar të datës 6 gusht.
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni parlamentar i Ligjeve zhvilloi seancën e radhës për amendimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. PS e PD prezantuan draftin e përbashkët mbi një çështje të tillë.
Relatori i ndryshimeve në Kushtetutë, deputeti Edi Paloka deklaroi se drafti ka mbështetjen e palëve për kufizimin e imuniteteve. Sipas tij në mbledhjen e datës 22 korrik u ftuan në seancën dëgjimore ekspertët e Pameca-s, Euralius, kryeprokurori, shoqatat e gjyqtarëve, unioni i gjyqtarëve,etj. “U kërkua eksperienca e vendeve europiane dhe u dëgjuan opinionet e përfaqësuesve”, u shpreh Paloka.
Relatorët sipas tij zhvillua një punë intensive për reflektimin e sugjerimeve të seancës dëgjimore dhe arritjen në një draft të përbashkët. “Drafti final parashikon kufizimin e imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë dhe arrin qëllimin kryesor që u lejon organeve të drejtësisë të ushtrojnë hetimin ndaj personave me imunitet. Në këtë draft deputeti nuk mund të arrestohet apo të ushtrohet kontroll personal apo të banesës pa autorizimin e Parlamentit. Në këtë çështje u pranuar propozimi i PS që të arrihej konsensusi i nevojshëm. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në kuvend dhe votat e dhëna por jo në rastin e shpifjeve”, vijoi Paloka.
Ndërkohë pavarësisht se është një draft i njësuar sërish PS këmbënguli në përfshirjen e këtyre ndryshimeve kushtetuese edhe të pjese të propozimeve të saj që lidhen me reformën në zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. “6 gushti nuk mund të përdoret, nuk është gozhda e Nastradinit. Ne kemi ardhur për të thënë se ky është projekt që do të votohet nga kolegët e mi të PS. Po shpjegoj mënyrën e qëndrimit të asaj që ne kemi duke trajtuar…Mendoj se së bashku me kolegun Paloka kemi bërë një punë të shkëlqyer, ne duhet të ulemi me të njëjtin standard, të mos e shohim si histori goglash”, u shpreh relatori i PS, Majko.
Ndërkaq, kryeparlamentarja Jozefina Topalli vlerësoi punën e dy relatorëve.
Sipas saj heqja e imunitetit përveç se një detyrim, vendos barazi për secilin nga zyrtarët e lartë zyrtarëve përpara ligjit, është një hap drejt transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, ashtu sikundër ishte dhe një nga kushtet e BE. Opozita këmbënguli në qëndrimin e saj politik të paqartë dhe konfliktual, edhe pro imunitetit, por edhe jo votimit më 6 gusht.
Kryeparlamentarja Topalli, kujtoi se mazhoranca për hir të kompromisit kapërceu veten dhe pranoi propozimet e opozitës për imunitetin. Ajo hodhi në votim në parim propozimet, të cilat u miratuan. Më pas erdhi radha e votimit nen për nen, ku edhe pse u votua pro të gjitha neneve, në votimin në tërësi socialistët nuk e miratuan atë.
Në fjalën e tyre asnjë prej përfaqësuesve të PS-së në këshill nuk argumentoi këtë qëndrim të dyzuar të tyre, përkundrazi opozita nuk ndryshoi qëndrim. Relatori i PS, Pandeli Majko kërkoi shtyrje të votimit për disa javë të ndryshimeve kushtetuese në seancë plenare. Kërkesa shkaktoi reagimin e kryeparlamentares, e cila konsideroi kërkesën si një hipokrizi politike. Tashmë drafti për heqjen e imunitetit u vota me 15 vota pro dhe 12 kundër, duke ia deleguar seancës parlamentare te 6 gushtit, duke pritur që opozita parlamentare të reflektojë dhe të votojë pro draftit të hartuar prej vetë asaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›