![]()
- Shqipëria arriti fitoren e dytë rresht me Luksemburgun (3-0) pas asaj katër ditë më parë në Tiranë (2-0) dhe dhe të tretën historike të saj në ndeshjet në transfertë. Shqipëria kishte fituar më parë në Kishiniev me Moldavinë (2-3) më 7 qershor 1995 kur për formacionin e Neptun Bajkos (shënuan Kushta, Bellaj dhe R.Vata) dhe në Alma Ata me Kazakistanin (0-1: Bushi) nën drejtimin e Hans Peter Brigelit, më 13 tetor 2004.
Një mbrëmje tjetër rekordesh për Kombëtaren e Baricit me katër rezultate pozitive rresht në shtatë takimet e fushatës kualifikuese Euro 2008: 2 fitore dhe 2 barazime, si dhe katër ndeshje pa pësuar gol, plot 360 minuta lojë, ku pa dyshim merita nuk është vetëm e portierit me përvojë Arjan Beqaj, por tërë ekipit shqiptar.
Gjithashtu edhe golaverazhi tashmë sheh nga kahu pozitiv +2 (8-6). Ajo që e bën edhe më madhështore fitoren e Shqipërisë është fakti se në Luksemburgun është fakti se Holanda fitoi me rezultatin 1-0 në këtë vend, madje me gol në minutën e 83.
Takimi në "Josy Barthel" u ndoq nga një numri i madh shqiptarësh ku ngjyrat e kuqe janë përmjerrë me ato vendase pasi dhe vendasit luajtën uniformë të kuqe. Shqipëria luajti në këtë takim me të bardha.
PJESA E PARË: - Luksemburgu sulmoi menjëherë dhe fitoi goditjen e parë nga këndi qysh në minutën e parë të takimit. Beqaj neutralizoi me daljen e tij. Ishte radha e portierit vendas Joubert të shpëtojë portën e Luksemburgut. Në minutën e 3-te, Mukaj ekzekutoi një goditje të lirë duke rrezikuar portën mike. Në minutën e 4-t Curri ekzekutoi goditjen e parë nga këndi për Shqipërinë. Bushi gjuajti një minutë më pas, por jashtë kuadratit. Minutat të mira për Shqipërinë, kur dhe Kapllani dhe Bogdani bëjnë përpjekje për të shënuar golin e parë, por portieri Joubert shpëton portën e tij. Në të 8' Skela ekzekuton një goditje të lirë, pas faullit të Kinziger. Minuta e 11 ofroi Haxhin të godasë portën e Joubert me anë të një goditje të lirë. Skela shkaktoi nje faull dhe gjyqtari lituanez e ndëshkoi me karton të verdhë. Fantazisti i Energi Kotbus do të mungojë në ndeshjen e ardhshme me Holandën. Shqipëria bën vazhdimisht përpjekje drejt portës së Luksemburgut, por në dy raste Kapllani nuk arriti të vazhdojë aksionet. Skela kaloi në avantazh Shqipërinë në minutën e 25 falë nuhatjes së tij. Goli i dytë i Ervinit në eliminatoret e Euro 2008 pas atij me Bjellorusinë në Minsk.
Në të 37' Edmond Kapllani realizoi me kokë golin e dytë për Shqipërinë. Goli i dytë në dy ndeshje për sulmuesin shqiptar të Karlsruhes. Në minutën e 45-të, Skela ekzekutoi një goditje të lirë, por Bogdani edhe pse goditi me kokë nuk arriti të shënjestrojë portën, duke humbur kështu rastin për të shënuar golin e parë të tij në këtë edicion.
PJESA E DYTË: Nisi me një zëvendësim të Luksemburgut, kur në vend të Bigard hyri në lojë Lombardeli. Ashtu si pjesën e parë ishte sërish Luksemburgu që fitoi goditjen e parë nga kendi, të dytën kundrejt 3 të Shqipërisë. Në minutën 49 Haxhi ekzeutoi një goditje të lirë në gjysmëfushën tonë pas faullit të Remi.
Në minutën e 54 Bushi u ndëshkua me karton të verdhë. I dyti për Shqipërinë në këtë takim. Gjithsesi Bushi do të luajë me Holandën, pasi për të është kartoni i parë i verdhë i marrë.
Në minutën e 60, Klodian Duro hyri në vendin e Ervin Skëlës. Edhe trajneri Gi Hellers hodhi në fushë portugezin e natyralizuar si luksemburgas Da Mota në vend të Pajal
Remi i Luksemburgut ndëshkohet me karton te verdhë. 1-2 numri i kartonave, por golat janë 0-2. Në minutën e 67 u shfaq fuqishëm Lorik Cana, i cili goditi shtyllën horizontale. Trajneri Oto Baric mendoi se tashmë është radha e Besart Berishën duke e futur kosovarin në vend të Alban Bushit, i cili dështoi edhe në këtë ndeshje për të shënuar golin e tij të 15-të. Në minutën e 72 Kapllani e coi rezultatin në 3-0. Berisha i porsafutur veproi bukur në zonë nga e djathta e sulmit tonë lëshoi një asist për durrsakun i cili goditi fuqishëm në këndin e sipërm të portë së mbrojtur nga Joubert. I jashtëzakonshëm Kapllani. Tre gola në dy ndeshje. Nuk ndalet më. Sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj futet në vend të Devi Mukaj. Sërish tre katër sulmues të pastër në ndeshjen që flet vetëm për Shqipërinë, kur dhe rasti i fundit i përket Besart Berishës. Një fitore e bukur përpara ballafaqimit tërheqës me Holandën, më 12 shtator në Tiranë.
SKEDA
Luksemburg-Shqipëri 0-3
Shënues: Skela 25', Kapllani 37', 72'
Luksemburgu: Joubert, Strasser, Bigard (46' Lombardeli), Hoffman, Kinziger, Payal (64' Da Mota), Peters, Bettmer, Remy, Mutsch, Collete (79' Sagramola).
Stol: Oberweis, Ferrira, Heinz, Plein
Trajner: Guy Hellers
Shqipëria: Beqaj, Dede, Haxhi, Dallku, Curri, Cana, Mukaj (77 Xhafaj , Skela (60' K.Duro), Bogdani, Kapllani, Bushi (67' Berisha)
Stol: Hidi, Vangjeli, Bulku, Salihi,
Trajner: Oto Baric.
Kundërshtarët tanë
Rumania e vendit të parë në Grupin G fitoi me rezultatin e pastër 2-0 me Slloveninë. Adrian Mutu shënoi golin e parë në minutën e 40 dhe Kontra dyfishoi rezultatin në mintuën e 72. Rumania ndodhet në kuotën e 15 pikëve. Bullgaria fitoi 2-1 me Bjellorusinë. Golin e parë e realizuan bjellorusët nga pika e penalltisë me anë të Vasiliuk në minutën e 2. Petrov në minutën e 11 dhe Yankov në të 39' siguruan fitoren e Bullgarisë e cila u ngjit në kuotën e 15 pikëve. Holanda, që e kishte pushim zyrtar, fitoi 3-1 miqësoren me Tajlandën në Bangkok.