Ralf Agolli, trajneri i femrave të BundesligësNë kampionatin e njërit prej vendeve me futbollin femëror më të mirë në botë ndodhet edhe një trajner shqiptar, pavarësisht se pasaporta e tij është gjermane. Ai quhet Ralf Agolli dhe ndodhet në kry

Bledar KUKA - Nuk bëhet fjalë për lavdinë e kampionatit të meshkujve, por sidoqoftë, edhe Bundesliga e femrave është e rëndësishme në Gjermani. Në kampionatin e njërit prej vendeve me futbollin femëror më të mirë në botë ndodhet edhe një trajner shqiptar, pavarësisht se pasaporta e tij është gjermane. Ai quhet Ralf Agolli dhe ndodhet në krye të SG Esen-Shënenbekut (SG Essen Schoenenbeck). Të paktën, në këtë klub, Agolli me femrat e tij është më i rëndësishëm sesa skuadra e burrave.
Ai mbërriti në detyrë më 2001 duke qenë njëri prej arkitektëve të ngjitjes në Bundesligë më 2004, nivel ku skuadra vazhdon të jetë rregullisht, ndonëse jo më lart se mesi i tabelës. Edhe këtë sezon, ekipi i vajzave është në vend të 6-të (ndër 12 ekipe) me 18 pikë, veçse i distancuar me 13 pikë nga kreu që mbahet prej ... Bajernit të Mynihut (e kush mund të ishte tjetër).
Trajneri është krejtësisht i lidhur me Gjermaninë, lindur më 23 prill 1961 në Esen, ndërsa klubi i femrave të Gryn-Vajs (jeshil bardhët) e Shënenbekut u krijua më 1973. Pasi Agolli mbërriti më 2001, ai pati vështirësi në arritjen e suksesit sepse renditjet në ligën rajonale ishin, përkatësisht, në vend të 6-të dhe të 10-të më 2002 dhe 2003, ndërsa më 2001 skuadra ishte pozicionuar në vend të 2-të.
Sidoqoftë, shpërthimi i sezonit 2003-2004 ishte i shkëlqyer dhe Shënenbeku zuri vendin e parë në ligën rajonale të perëndimit me 58 pikë dhe me vetëm 2 humbje në 24 ndeshje. Pas kësaj erdhi përvoja bundesligase, apo siç e thonë në Gjermani, bundesligiste. Fillimisht në vend të dhjetë, pastaj në të 6-të dhe në të shtatë. Ky sezon shpresohet të jetë më mirë.
Ralf Agolli solli suksese edhe në kupën gjermane ku ekipi arriti, për herë të parë në historinë e tij, çerekfinalet më 2005 dhe gjysmëfinalet më 2007, me ndihmën e shënueses më të mirë, Karolinë Haman, me 46 gola në 3 sezone nga 2004-ra në 2007-të.
Viti 2008 ishte i rëndësishëm për klubin për Agollin sepse disa lojtare të rëndësishme e rinovuan kontratën. Së fundi ishte portierja e talentuar, Liza Vajs, që nënshkroi deri më 2011. Vajs është 21 vjeç dhe bën pjesë në Gjermaninë U23. “Një lajm shumë i mirë për ne”, - thotë Agolli, për “Refir Shportin” (Reviersport). Trajneri është shumë i kënaqur edhe për portieren tjetër, Shtefani Lër. “Me Shtefin jemi edhe më të sigurt në portë”, - komenton Ralfi.
Mbrojtëset Daniela Lëvenberg dhe Carina Hojnacki (Chojnacki) gjithashtu preferuan të qëndronin në skuadër dhe të katër futbollistet deklaruan se e shohin të ardhmen e tyre shumë të mirë në Shënenbek. “Viti 2011 është shumë i rëndësishëm për futbollin gjerman të femrave, - thotë Agolli, një trajner i klasit A, - e kam fjalën për kampionatin botëror që do të zhvillohet në Gjermani”.
“Duhen bërë shumë hapa drejt formimit të duhur profesional, për strukturën sportive dhe për zhvillimin e skuadrës. Ndaj zgjatja e kontratave nga lojtaret është logjike, ne po mendojmë për plane afatgjata”, - përfundoi trajneri shqiptaro-gjerman Ralf Agolli për “Refir Shportin”.
http://www.reviersport.de/70296---sg-schoenebeck-agolli-sieht-einen-meilenstein.html
link per trajnerin shqiptar te futbollit te femrave ralf agolli
E Shtune, 24 Janar 2009