E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria humbet postin e zëvendëspresidentit

27/01/2009  Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “ngrin” delegacionin shqiptar

Shqipëria ka humbur një post shumë të rëndësishëm dhe prestigjioz në hierarkinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE). Gjatë seancës plenare të ditës të djeshme të Asamblesë deputetët kanë votuar për të zgjedhur drejtuesit e rinj. Kështu, është rikonfirmuar në postin e Presidentit të APKE-së Lluís Maria de Puig dhe zëvendëspresidentët e rinj. Në listën e zëvendëspresidentëve nuk figuron deputeti shqiptar Aleksandër Biberaj, i cili mbante këtë post që prej më shumë se dy vjetësh. Duke folur për gazetën “Metropol”, burime të besueshme nga APKE-ja kanë pohuar humbjen e këtij posti nga një përfaqësues i Parlamentit shqiptar për shkak të situatës kaotike të krijuar. Kjo si pasojë e kërkesës së Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli drejtuar APKE-së për zëvendësimin e Biberajt me deputetin tjetër demokrat Ilir Rusmali. Për Islamin Biberaj kishte fituar postin e zëvendëspresidentit të APKE-së dhe poste të tjera në strukturën e Këshilli të Evropës në bazë të elementeve që e formonin atë si personalitet. Në seancën plenare të ditës së djeshme të Asamblesë është marrë vendimi për të sfiduar delegacionin e Parlamentit shqiptar. Në terminologjinë politike të përdorur nga APKE-ja kjo do të thotë se delegacioni i Parlamentit shqiptar në Këshillin e Evropës futet në një fazë transitore. Kjo për shkak të situatës së krijuar pas kërkesës për zëvendësimin e kryetarit të delegacionit shqiptar Aleksandër Biberaj me Ilir Rusmalin. Ka qenë deputeti hungarez Mátyás Eörsi që ka ngritur sfidën, duke thënë se “kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët e Asamblesë nga Shqipëria është shkarkuar në një mënyrë që është në kundërshtim të rregullave”. Delegacioni i ri shqiptar, në krye të të cilit figuron Rusmali, ndërsa Biberaj nuk ishte pjesë e tij, do të ulet në karriget e sallës së APKE-së vetëm provizorisht me të drejtën e votës dhe të fjalës, por jo për çështje që i përkasin Shqipërisë. Gjithë kjo situatë do të mund të zgjidhet vetëm pas vendimit që do të marrë Komisioni i Rregullores dhe Mandateve të APKE-së. Sipas burimit të besueshëm brenda APKE-së, mësohet se ky organ i rëndësishëm do të nisë ditën e sotme shqyrtimin e kërkesës së kryeparlamentares Topalli për zëvendësimin e anëtarëve të delegacionit. Raporti të këtij komisioni pritet t’i përcillet Asamblesë në seancën plenare të ditës së enjte. Nëse raporti do të vlerësojë se kërkesa e Topallit ka qenë në bazë të ligjeve dhe standardeve demokratike, atëherë do të pranohet në Asamble delegacioni i ri, po nëse vihen re shkelje të bëra, atëherë raporti do të jetë negativ për Shqipërinë. Burimi bëri me dije se në Asamble është krijuar një mendim jo i mirë për Shqipërinë dhe gjendja e krijuar ka dëmtuar imazhin e vendit. Një situatë e tillë ndodh për herë të parë në APKE, çka nuk është parë me sy të mirë. Burimet thanë se Shqipëria ka dalë e humbur nga kjo situatë, pasi Biberaj gëzonte pozicione tepër të rëndësishme. Shqipëria me largimin e Biberajt humbet edhe pozicionin e raporterit për krimet në Ukranë, atë të nënkryetarit të grupit parlamentar të PPE-së dhe të zëvendëskryetarit të Komisionit për Rregulloren dhe Mandatet në APKE. Në intervistën ekskluzive kryetari i Komitetit Politik në Këshillin e Europës Goran Lindblad është shprehur se ngjarje të tilla si ajo me deputetin Biberaj dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.

PS ’91-PSD: Janë shkelur standardet

PS ’91 dhe PSD-ja e konsideruan dje situatën e krijuar në Këshillin e Europës pas kërkesës së Kryetares së Kuvendit si një dëshmi të mbivendosjes dhe pakontrollueshmërisë së pushtetit personal mbi atë institucional parlamentar. Petro Koçi tha se politika e përjashtimit po sjell rrënimin e parametrave të demokracisë dhe imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Modeli politik i përjashtimit sjell vetëm regres demokratik dhe konsolidim të autoritarizmit”, - tha Koçi. Ndërsa deputetja Diana Çuli theksoi se urdhri i Kryetares së Kuvendit për shkarkimin nga detyra të deputetit Aleksandër Biberaj si kryetar i delegacionit shqiptar në KE, siç u shprehën vetë zyrtarët e lartë të këtij institucioni, është shkelje e standardeve demokratike. Çuli tha se këto veprime absurde bëhen në një periudhë të vështirë, kur e gjithë bota po përpunon politika dhe strategji për të përballuar krizën ekonomike. Vetëm qeveria shqiptare, me kokën në rërë si struci, shpall shifra të pabesueshme suksesesh imagjinare.

Meta: Janë cenuar raportet me ndërkombëtarët

“Askush nuk duhet të cenojë personalitetin dhe dinjitetin e raporteve të vendit me institucionet ndërkombëtare”, - u shpreh dje kryetari i LSI-së Ilir Meta. Duke komentuar situatën e krijuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Meta tha se nuk e kuptoj se si mund të anashkalohen të gjitha procedurat parlamentare dhe se si në mënyrë arbitrare të zëvendësohet një përfaqësues i miratuar nga Parlamenti thjesht me një nënshkrim të Kryetares. “Ne na vjen keq për një debat absurd që është hapur, i cili nuk është më një çështje e problemeve që mund të jenë brenda Partisë Demokratike, por është kthyer në një problem të raporteve të Shqipërisë me Këshillin e Europës dhe Asamblenë Parlamentare”, - tha Meta. Sipas tij, nuk është hera e parë që shkelen procedurat parlamentare, gjë që nuk ndihmon as Parlamentin të funksionojë më mirë, madje në rastin konkret krijon dhe një problem imazhi për vendin tonë.

Mustafaj: Po dëmtohet imazhi i Shqipërisë

Deputeti i Partisë Demokratike Besnik Mustafaj akuzoi dje Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topallin për shkeljen e kompetencave dhe detyrave. Duke komentuar situatën e krijuar në Asamblenë Parlamentare të KE-së pas kërkesës së Topallit për zëvendësimin e kryetarit të delegacionit shqiptar, Mustafaj tha se “Kryetarja e Kuvendit ka shkelur detyrimet e saj për t’i mbuluar shpenzimet deputetit Biberaj në kohen kur ai duhej të kryente funksionet e tij si kryetar i delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Sipas Mustafajt, gjithashtu Topalli ka shkelur procedurat në zëvendësimin e Biberajt. “Është e palejueshme që Kryetarja e Kuvendit e ka vënë seancën para faktit të kryer, pasi e ka zëvendësuar deputetin Biberaj pa njoftuar seancën parlamentare”, - tha Mustafaj. Ish-kreu i diplomacisë shqiptare thotë se pa dyshim që kjo ngjarje në Këshillin e Europës lë gjurmë në imazhin e Shqipërisë, por në mënyrë të veçante lë gjurmë negative, të dëmshme për imazhin e mazhorancës.

Përplasja në Asamblenë Parlamentare KE-Shqipëri, Uidhers takon Topin

Raportet e fundit të krijuara mes Shqipërisë dhe Këshillit të Europës janë diskutuar edhe gjatë një takimi të zhvilluar dje mes Presidentit Bamir Topi dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë Xhon Uidhers. Zyra e shtypit pranë Presidentit tha se çështje të tjera të diskutuara në këtë takim kishin të bënin me hapat e domosdoshëm për anëtarësim në NATO, zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme të qershorit 2009, zhvillimet e fundit politike në vend si dhe ligji për pastërtinë e figurës. Gjatë takimit Uidhers e ka siguruar Presidentin Topi për vazhdimësinë e mbështetjes dhe vëmendjes të administratës Obama për hapat që Shqipëria po ndërmerr për forcimin e demokracisë, mbrojtjes e respektimit të Kushtetutës, institucioneve të pavarura, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të shtetit ligjor. “Shqiptarët u mbeten mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese, por edhe integruese të vendit tonë”, - ka thënë Presidenti Topi gjatë takimit.

Përnaska flet për punimet në Asamble

“Delegacioni shqiptar nuk është i ngrirë”

Anëtarja e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës Lajla Përnaska i konsideroi dje si të pavërteta lajmet për ngrirje të votës së deputetëve shqiptarë në Asamble. "Delegacioni shqiptar është në angazhim të plotë, po ndjek punën e Asamblesë Parlamentare dhe po vazhdon në mënyrë normale plotësimin e detyrave", - tha Përnaska. Sipas saj, procedurat për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt kanë nisur që para fillimit të seancës dhe në diskutim është përfshirë emri i deputetit Ilir Rusmali. Përnaska theksoi se "Parlamenti shqiptar ka propozuar ndryshim në delegacionin e saj, duke ndjekur të gjitha procedurat që kërkohen nga Këshilli Europian dhe nuk ka asgjë nga ajo që ndodh normalisht me çdo anëtar të KE-së". Ndërkohë burime zyrtare nga Kuvendi shpërndanë dje disa faksimile, ku tregohet pjesëmarrja në votim e deputetëve shqiptarë, por çështjet e votuara nuk kanë lidhje me Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›