Scommessopoli

Kapiteni i Lazios, Stefano Mauri është arrestuar të hënën nga policia si pjesë e hetimeve për kurdisje të ndeshjeve në skandalin më të ri Scommessopoli. 32 vjeçari është marrë në mbajtje së bashku me ish mesfushorin e Genoas, Omar Milanetto, ka njoftuar policia italiane.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, i cili udhëhoqi klubin drejt titullit të kampionit në Serie A në sezonin e tij të parë në detyrë, është marrë në pyetje nga policia. Dyshimet ndaj tij vijnë nga viti i kaluar sa ishte në krye të Sienës.
Oficerët po ashtu vizituan qendrën stërvitore të Italisë për Euro 2012, për ta marrë në pyetje mbrojtësin e majtë Domenico Criscito. Policia ka bastisur më tepër se 30 shtëpi, përfshirë ato të futbollistëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të klubeve nga Serie A, Serie B dhe divizioneve tjera.
Pesë persona janë arrestuar në Hungari nën dyshime se janë pjesë e rrjetit ilegal ndërkombëtar të përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve. Operacioni i të hënës është pjesë e hetimeve të gjera, që u përcollën me arrestimin e disa prej futbollistëve aktivë dhe atyre tashmë të pensionuar.
Në qershor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme e Italisë krijoi një task-forcë për luftimin e ndeshjeve të kurdisura si përgjigje ndaj disa rasteve nga e kaluara.
Ish kapiteni i Atalantas, mesfushori i Italisë, Cristiano Doni është dënuar për tri vite e gjysmë në gusht për përfshirjen e tij në manipulimin e ndeshjeve nga edicioni i kaluar në Serie B.
Ai ishte arrestuar edhe në dhjetor 2011 për kurdisje të ndeshjeve dhe akuzave për baste. Atalanta, e promovuar në Serie A, u ndëshkua me gjashtë pikë këtë sezon si rezultat i skandalit. Ish futbollisti i Lazios dhe i Kombëtares italiane, Giuseppe Signori, u dënua për pesë vite, ndërsa 15 futbollistë të tjerë u dënuan për një deri në pesë vite për përfshirjen e tyre.
Mauri, i cili iu bashkua Lazios nga Udinese më 2006, ka bërë 11 paraqitje për Italinë, përfshirë 16 në sezonin e fundit ku skuadra romake përfundoi në pozitën e katërt në Serie A.
Milanetto, 36 vjeç, verën e shkuar nënshkroi për ekipin nga Serie B, Padova, pas pesë viteve në Genoa dhe bëri 15 paraqitje si titullar në edicionin e fundit. Criscito, një tjetër ish futbollist i Genoas, tani në Zenit St Petersburg në Rusi ka zhvilluar 19 ndeshje për Italinë.
Italia ‘përjashton’ Crisciton
Nënkryetari i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Demetrio Albertini, ka njoftuar se mbrojtësi Domenico Criscito nuk do të jetë pjesë e Kombëtares italiane për Euro 2012. Criscito është marrë në pyetje nga autoritetet, pas dyshimeve për përfshirjen e tij në skandalin e kurdisjes së ndeshjeve që ka tronditur futbollin italian.
“Criscito nuk do të jetë pjesë e ekipit që përfaqëson Italinë në Euro 2012. Prioritet i tij është të sqarojë atë që ndodhi sot”, deklaroi Albertini gjatë një konference për shtyp. Italia takohet me Kroacinë, Republikën e Irlandës dhe Spanjën në fazën e grupeve të Euro 2012.