Në shtator, gati versioni i parë i programit të PS
Nga sa është parë deri tani, fondacioni “Qemal Stafa” ka si mision kryesor programin e ri të PS. Pas kësaj, cili do të jetë boshti i fondacionit ose synimi kryesor?
Edhe qytetarit më indiferent të këtij vendi do t’i kishin mjaftuar 24 orë të lira për të vëzhguar qeverisjen rrokopujë të kësaj mazhorance e për të konsideruar nevojën për një program të vërtetë qeverisës si një domosdoshmëri absolute. Aq më tepër, fondacioni “Qemal Stafa”, që konsultimin me ekspertë dhe intelektualë të pavarur, me studiues dhe specialistë, por në tërësi shkëmbimin e eksperiencave më të mira me atë shtresë njerëzish që për 17 e më shumë vjet ka mbledhur mbi shpatulla bagazhin e problemeve të panumërta dhe zgjidhjet potenciale, e ka konsideruar si rrugën e vetme, prej të cilës duhet të kalojë mazhoranca e ardhshme që do të qeverisë vendin.
Jemi duke krijuar katalogun e gjithçka shkon mbrapsht në këtë vend e duhet ndrequr menjëherë, e këtë nuk po e bëjmë në ndonjë bodrum të errët, por në dritën e diellit së bashku me atë shtresë të shoqërisë që jashtë ose brenda sistemit ka mundur të përpunojë individualisht ose në kolektiv vizionin e pjesshëm për të nxjerrë nga kolapsi qeverisës Shqipërinë.
Jemi të ndërgjegjshëm se ky proces konsultimi, që zhvillohet paralel me “Dialog me Shqipërinë”, është një sipërmarrje historike që do të përfundojë duke i dhënë shqiptarëve si asnjëherë tjetër jo një proklamatë hallesh, por një buqetë alternativash qeverisëse me një vizion të qartë të orientuar drejt së ardhmes. Dhe ky program nuk do jetë një përmbledhje ëndrrash të bukura, por një program i vërtetë, realist dhe ç’është më e rëndësishme, i zbatueshëm. Është kjo arsyeja që i kemi kushtuar pjesën më të madhe të energjive dhe kohës sonë.
Në muajt në vijim ne mbyllim vetëm fazën e parë të këtij konsultimi, duke prezantuar Librin e Rekomandimeve si një përmbledhje organike e të gjitha sugjerimeve që me kujdes kemi mbajtur shënim gjatë procesit të konsultimeve.
Them vetën fazën e parë, pasi konsultimi ynë nuk do të mbyllet, as kur të kemi përfunduar hartimin e programit e as ditën e zgjedhjeve. Ky proces, ashtu siç edhe çdo aksion tjetër, është aktualizimi i një filozofie të tërë që PS dhe të gjithë ne së bashku kemi përvetësuar si modelin e vetëm për të bërë politikë e për të qeverisur, pra duke zgjeruar hapësirat e komunikimit dhe bashkëpunimit me qytetarët e halleve dhe zgjidhjeve.
Nga ana tjetër, edhe pse jo plotësisht në vëmendjen tuaj mediatike, fondacioni “Qemal Stafa” po zhvillon një tur takimesh me të rinj, të cilat janë konceptuar si spektakle të mirëfillta, ku arti dhe politika ndërthuren për t’i shkuar drejtpërdrejt të rinjve. Në qytetet ku kemi shkelur, kemi arritur të krijojmë një mjedis tjetër alternativ, ku të rinj dhe të reja mund të ndjehen jo spektatorë, por aktorët kryesorë të debatit, alternativave dhe zgjidhjeve. Kjo është faza e parë e një programi më të madh që fondacioni “Qemal Stafa” së bashku me Partinë Laburiste britanike po implementon, me synim krijimin e gjeneratës së re të politikanëve që stërviten e punojnë sot për të qeverisur nesër. Të them të drejtën, edhe kjo më duket po aq e rëndësishme sa hartimi i programit të ardhshëm të PS, por me këtë rast po ju ftoj dhe juve që të merrni pjesë së bashku me ne dhe të rinjtë e tjerë.
A ka fondacioni juaj mision të ngjashëm me atë të KOP të PD?
Së pari, nuk mendoj se KOP ka pasur ndonjëherë ndonjë mision veç atij të kamerdares së emergjencës për Sali Berishën. Ne nuk jemi kamerdarja e askujt. Së dyti, fondacioni “Qemal Stafa” nuk është një aventurë elektorale, por një forum i gjallë dhe efektiv që kontribuon realisht për ta bërë PS një parti më të pasur me energji pozitive, me ide, programe dhe alternativa qeverisëse. Së treti, fondacioni “Qemal Stafa” është ende sot e vetmja organizatë e themeluar nga një parti politike për t’i dhënë së pari vetë kësaj një dimension tërësisht të ri të komunikimit me publikun, ndërveprimit me shoqërinë, si dhe angazhimit të të rinjve në jetën aktive politike. Ky fakt na bën sot të vetmen organizatë të kësaj natyre e të pakrahasueshme me asnjë tjetër. Dhe, së fundi, të garantoj se fondacioni “Qemal Stafa” nuk do tretet, kur PS të fitojë zgjedhjet e 2009, pikërisht sepse nuk është themeluar për të qenë makiazh i sforcuar për aktorë të dështuar, siç fatkeqësisht ishte KOP.
Pse thoni “fatkeqësisht”?
Them fatkeqësisht, sepse unë besoj se PD i duhet vërtet një instrument që mund t’i japë asaj impulsin e duhur për të kapur me të njëjtin hap zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Megjithatë, e kam të pamundur të besoj se po këta njerëz që me keqqeverisjen, papërgjegjshmërinë, neglizhencën, përtacinë, paditurinë, injorancën dhe paligjshmërinë që kanë arritur me sukses të ngjallin te qytetarët refuzim, instinkt përjashtues dhe apati të përgjithshme, të mund të gjejnë vizionin e nevojshëm për të ndërmarrë iniciativa si ajo që PS mori muaj më parë me themelimin e fondacionit “Qemal Stafa”. Gjithsesi, dua të shpresoj se do mund ta gjejnë vullnetin dhe vizionin e duhur për ta realizuar këtë hap në opozitë pas 2009.
Cilat janë garancitë që do të sjellin njerëzit e ri të përfshirë në PS pas ardhjes së Ramës në krye të kësaj partie?
Vetë pyetja ngrihet mbi një model të deformuar, të cilin ne e kemi tejkaluar, që në momentin kur kemi vendosur të ndërtojmë një politikë ndryshe, modelin e politikës që jeton e rritet në emër të qytetarëve e për interes të qytetarëve. Personalisht mendoj se garancitë individuale të kujtdo individi, qoftë ky edhe kryetari i partisë, nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur pritshmëritë e një shoqërie të tërë për të nxjerrë vendin nga kllapia e këtij kolapsi total që qeveria ‘Berisha’ me sukses e ka futur.
Në të kundërt, garancitë duhet të kërkohen dhe mund të gjenden vetëm te një sistem i kolauduar qeverisës, i ndërtuar me kujdes për të funksionuar siç duhet. Është ky sistem, që i institucionalizuar në vetë themelet e administrimit publik të interesave tona të përgjithshme, mund të shërbejë si bazë e mjaftueshme për të garantuar aspiratën e shqiptarëve për një Shqipëri më të mirë. Jo vetëm kaq, por është po ky sistem që shërben si kufizimi absolut për teprimet apo abuzimet e çdo individi, kushdo qoftë ky.
Për këtë arsye, prirem t’i besoj më shumë sistemit sesa individëve, të cilët në këto kushte do e kishin pothuajse të pamundur t’i bënin bisht rregullave, ligjeve dhe institucioneve të shëndosha e madje do i nënshtroheshin ritmit që të imponon vetë sistemi, në të kundërt do të konsideroheshin mish i huaj, i denjë për t’u larguar.
PS po vrapon në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo komunë e çdo bashki, pikërisht sepse ka bërë të vetën këtë vetëdije shtetformuese për të ndërtuar një sistem qeverisës, që jo vetëm garanton realizimin e programit të ardhshëm qeverisës, por shërben edhe si gardhi paraprak i siguresës parandaluese për çdo iniciativë të parregullt.
Në këtë kuadër, mua dhe kujtdo tjetër që ju e quani “të ri”, nuk na kërkohet tjetër veçse t’i shtojmë, së bashku me ata që kanë më shumë eksperiencë në PS, energjitë dhe kontributin tonë këtij procesi të madh.
Cilat janë raportet aktuale midis të rinjve dhe të vjetërve në PS? Nuk e kam fjalën për moshën, por për CV e dy kategorive në lidhje me PS. A ka një betejë brezash?
Po të kishte betejë, do të kishte të vrarë a të plagosur, e unë me gjithë vëmendjen, nuk shoh të tillë në PS. Shoh një betejë, por që është beteja historike me modelin e ndryshkur të qeverisë ‘Berisha’, e cila po zvarritet në agoninë e fundit, e këtë po e bën mbi interesat e shqiptarëve. Nga ana tjetër, në PS shoh bashkëpunimin e nevojshëm për të thurur aksionin opozitar, si dhe për të hartuar të gjithë ne, së bashku me qytetarët, alternativën e së ardhmes, të materializuar në programin e ri qeverisës.
Kuptohet se ne nuk kemi lindur të gjithë në të njëjtën ditë, e as në PS nuk jemi angazhuar të gjithë njëherësh, ndaj është e natyrshme që bagazhi ynë politik të jetë i ndryshëm në krahasim me ata që për këtë parti kanë kontribuar në kohët e saj më të vështira. Kam përshtypjen se pikërisht për këtë shkak të gjithë mësojnë nga njëri-tjetri, e kjo na bën të veçantë e të suksesshëm në aksionin tonë, por pikërisht kjo diferencë dikton brezat e për rrjedhojë, disa janë të detyruar të mësojnë më shumë se disa të tjerë. Mendoj se unë bashkë me shumë të tjerë në PS, kemi ende shumë për të mësuar nga eksperienca pozitive e kolegëve tanë që kontribuojnë prej kohësh në PS.
Ju bezdisin “xhaketat e vjetra” të PS?
Unë bëj pjesë ndër njerëz që fjalës “xhaketat e vjetra” nuk i jap dot një kuptim. Nuk mendoj se është fjala e duhur, pas të cilës mund të nënkuptosh ata njerëz që presupozohet të kenë mbyllur ciklin e tyre politik. Kjo, edhe sepse angazhimi në PS, por edhe jashtë saj, më kanë dhënë mundësinë të njoh edhe ca syresh që ju mund t’i quani “xhaketa të reja”, por që në fakt, për të vazhduar edhe unë si ju me këto terma rrobaqepësie, astarin e brendshëm e kanë të vjetëruar, e madje komplet të grisur. Fatmirësisht, të tillë nuk i kam as kolegë e as bashkudhëtarë në PS, sepse nuk shoh të tillë.
Por gjithsesi, bezdisem nga ata që, pavarësisht moshës politike, nuk punojnë, por merren me llafe, nga ata që janë të gatshëm të shesin gjithçka vetëm për të kënaqur interesin e tyre, nga ata që politikën e shohin si lopa e përjetshme për të kënaqur qejfet e majmura, nga ata që kanë harruar ç’ndodh me gjithçka gjendet vetëm një metër larg hundës së tyre, e natyrisht bezdisem edhe nga ata që karrierën e tyre e ngrenë mbi mashtrime, mbi gënjeshtra, mbi insinuata dhe mbi prapaskena, në vend që të kujdesen e të punojnë së bashku me ekipin, siç bezdisem nga ata që si mënyrë të vetme për të bërë karrierë politike apo për të fituar vota të shtirura, kanë grushtet, shkelmat dhe baltën e thashethemeve e sharjeve ndaj atij që kanë më afër.
Pra, thënë më shkoqur, bezdisem nga të gjithë ata që shqiptarët nuk do të donin kurrsesi t’i shihnin më në qeveri, siç janë këta që aktualisht kemi. Fatmirësisht, shoh që në PS rrethohemi nga një tjetër model, që dallon shumë nga ky që sapo të përshkrova.
Si ju duket përvoja gati trevjeçare në PS, duke patur parasysh përballjen me ngjarjet e ngjeshura brenda kësaj partie për këtë kohë?
Politika, natyrisht po ta kapësh nga ana e duhur, është një shkollë më vete, mbushur me dështime dhe suksese të gjitha njëlloj të vlefshme për të ardhmen. Përpara se të angazhohesha me të tilla ritme, unë kam qenë vetëm një vëzhgues i kujdesshëm i politikës, si dhe një aktivist vullnetar në komunitetin e zonës ku banoja, ndërkohë që ky kapërcim ridimensionoi tërësisht konceptin tim jo vetëm mbi politikën, por edhe mbi shumë gjëra të tjera. Për të marrë një shembull, deri para pak kohësh, ndoshta edhe për shkak të formimit tim profesional, e kam pasur shumë të vështirë të besoja se një qeveritar apo një kryeministër mund të shkelte me vullnet të plotë ligjin e shkruar të zezë mbi të bardhë, por mjaftuan disa muaj nga qeverisja ‘Berisha’ për të kuptuar se një njeri i papërgjegjshëm, me një pushtet të pakontrolluar në duar, mund të bëjë edhe çudira të pamenduara për një vend demokratik si ai që ne dhe e gjithë shoqëria duam të ndërtojmë.
Pikërisht, sepse në mazhorancë është një qeveri e papërgjegjshme e një kryeministër i vendosur për t’u pasuruar pafundësisht në kurriz të qytetarëve duke mos qeverisur, por duke vjedhur. Kam pasur rastin të kaloj shumë situata delikate dhe të vështira. Por, gjithashtu, kjo ka edhe anën tjetër të medaljes, duke na lejuar të dallojmë më mirë rrugën e duhur, si dhe të na japë energji të pashtershme për të udhëtuar drejt synimit tonë.
Ka edhe shumë rrugë për të bërë, por ka edhe po kaq shumë njerëz, qytetarë e qytetare, të rinj e të reja, socialistë ose jo që kanë energjinë dhe pasionin e duhur për t’ia dedikuar realizimit të këtij projekti të përbashkët.
Pas një përvoje relativisht të shkurtër si zëdhënës i Ramës në PS, tani jeni vendosur në krye të fondacionit, i cili po projekton programin e ri të PS. Cilat janë garancitë që ofroni ju për këtë parti në këtë mision, duke patur parasysh historinë e saj, ndoshta edhe para ‘90?
Të them të drejtën, ose nuk kuptoj pyetjen, ose nuk arrij të bëj dot lidhjen ndërmjet garancive, që u dashka të jap unë, dhe historisë së PS. Dua të përsëris që ne nuk do iu shesim shqiptarëve CV-në e askujt, nuk do iu shesim muskuj, siç nuk do iu shesim as përralla të së kaluarës.
Ne po kalojmë në skanerin e vetëdijes çdo gjë ka ndodhur këto 17 vjet pluralizëm. Po kalojmë në skanerin e diturive tona dhe të ekspertëve më të mirë vendas dhe ndërkombëtarë çdo problem të trashëguar e të ri që shqiptarët janë të detyruar të përballojnë. Gjithashtu, po stërvitemi të ofrojmë alternativën qeverisëse më të mirë të mundshme, një alternativë që do përmbledhë në një program, në një lider, në një ekip dhe në një aksion konkret gjithçka kemi mësuar e do mësojmë në vazhdimësi nga ky proces.
Besoj, kjo është ajo që shqiptarëve iu intereson vërtet më shumë se garancitë e individëve apo historitë me mbret e bretkosa nga e kaluara. Të gjitha të tjerat që ju mund t’i nënkuptoni e që unë nuk i kuptoj, mund të jenë objekt studimi për historianët ose për biologët (meqë politika aktuale përmban edhe ca që shfaqin sjellje çnjerëzore).
Duket se fondacioni “Qemal Stafa” ka zëvendësuar plotësisht forumin e rinisë socialiste, i cili për nga tradita 15-vjeçare, ka furnizuar partinë me figura në pozicione kyçe të saj në parti, por edhe në qeveri, kryesisht gjatë qeverisjes 8-vjeçare. A do ta kryejë fondacioni këtë mision, kur PS të vijë në pushtet?
Patjetër që po, por e sigurt është që fondacioni “Qemal Stafa” as ka lindur e as synon të zëvendësojë struktura ekzistuese, të cilat edhe sot janë duke punuar njëlloj si ne për të njëjtin qëllim. Ne jemi ekskluzivë në misionin tonë të veçantë e komplementarë në misionin tonë të përbashkët. Deri këtu është gjithçka e qartë. Nga ana tjetër, fondacioni “Qemal Stafa” patjetër përpiqet tani, por edhe në të ardhmen të furnizojë PS me ide, platforma, alternativa, si dhe natyrisht, me njerëz të aftë e të denjë për t’i bërë këto realitet.
Është detyrë kryesore e jona të zgjerojmë bagazhin njerëzor të PS me njerëz të përkushtuar, që sfidën e tyre personale për një Shqipëri më të mirë janë të gatshëm ta ndajnë bashkë me ne, duke bashkuar idetë dhe energjitë për ta bërë realitet. E në këtë pikë, jam tërësisht i gatshëm t’ju ftoj edhe ju të bashkoheni në rrugën tonë, gjë që kam besim se herët a vonë do ta bëni.