E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria kalon të parën, në verë garon në Elite Round

Kuqezinjtë e vegjël të drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, barazojnë me Estoninë dhe rrëmbejnë vendin e dytë në grup

Goli me penallti i shënuar nga Amir Jonuzi është shndërruar në një pikë të vlefshme për Shqipërinë Under-17, e cila ka zhvilluar në Estoni eliminatoret e vlefshme për kampionatin europian të kësaj grupmoshe që do të zhvillohet në Slloveni. Situata në grupin e dymbëdhjetë, ku Shqipëria ishte pjesëmarrëse së bashku me Gjermaninë, Sllovakinë dhe Estoninë, ishte e tillë ku skuadra e Mustedanagiçit mund të kualifikohej edhe me barazimin nëse Gjermania do të mposhtte Sllovakinë. Dhe kështu ndodhi. 90 minutat estoneze për Shqipërinë u mbyllën në barazimin 1-1, ndërsa Gjermania mposhti 2-0 Sllovakinë, duke mos u bërë asnjë nder këtyre të fundit. Skuadra gjermane e mbylli grupin në vendin e parë me 9 pikë të plota në tre ndeshje. E dyta u rendit Shqipëria me 4 pikë, pas saj Sllovakia me 3 pikë dhe në fund u rendit Estonia me 1 pikë. Shqipëria gjatë këtyre eliminatoreve mposhti Sllovakinë 2-1 me golat e Ymeraliajt dhe u mund 0-1 nga Gjermania, duke bërë një paraqitje vërtet dinjitoze, ndryshe nga herët e shkuara kur jemi kthyer në shtëpi me një thes me gola në kurriz. Një meritë e veçantë edhe për trajnerin Mustedanagiç, që ka futur një frymë profesionalizmi në këtë grupmoshë, e cila shpesh është parë si “kontrabandë” lojtarësh, që merrnin vendin në skuadër në këmbim të një shume të caktuar parash. Një falënderim kuqezinjtë duhet t’ia japin edhe Gjermanisë, e cila nuk toleroi aspak ndaj Sllovakisë, ndryshe nga sa bëri Danimarka për grupmoshat U-19 ndaj Austrisë, çka solli edhe eliminimin e kuqezinjve të Gegës.

Megjithatë, që Shqipëria vështirë se mund të arrijë deri në fund sepse pas këtyre eliminatoreve, skuadrat e kualifikuara do të grupohen në 7 grupe, prej të cilave vetëm fituesja e çdo grupi do t’i bashkëngjitet Sllovenisë organizatore të veprimtarisë.

Grupi 12

Ndeshjet e Shqipërisë

Sllovaki – Shqipëri 1-2

Shqipëri – Gjermani 0-1

Estoni – Shqipëri 1-1

Renditja

Skuadra N F B H P

1) Gjermania 3 3 0 0 9

2) Shqipëria 3 1 1 1 4

3) Sllovenia 3 1 0 2 3

4) Estoni 3 0 1 2 1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›