E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK, FRD edhe PDK kundër aleancës me PS, Ndoka: Mund të kaloj nga PD

TIRANE- Pas FRD dhe Aleanca Kuq e Zi edhe Ndoka i PDK-së hedh poshtë mundësinë e një koalicioni të mundshëm me Partinë Socialiste. Në një intervistë televizive ai nuk përjashtoi mundësinë e një aleance me PD.

Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka deklaroi dje se PS nuk është aleatja e ardhshme e PDK-së. Gjatë një interviste televizive, Ndoka u shpreh se: “Ne jemi deklaruar qartë që nëse PS mban një qëndrim të kundërt me kërkesat e aleatëve të vet dhe partive të tjera opozitare nuk do të jemi pjesë e koalicionit me PS. Ne kemi vendosur një gjë të tillë, nuk e shohim PS si një aleate, partnere të ardhshme”. 

Sipas kreut demokristian, “nuk ka një fizionomi për ndërtimin e koalicioneve për zgjerimin e tyre, për të krijuar një frymë opozitare në vend, por disa kalkulime nëpër zyrat e PS e kanë nxjerrë lidershipin jashtë realitetit politik duke e bërë atë të largët për partitë aleate, por dhe për qytetarët”. Kryetari demokristian, Nard Ndoka mohoi që të ketë patur një bisedë me kryeministrin për postin e zv.ministrit të Brendshëm. Ndoka bën të ditur se nuk e kushtëzon marrëveshjen me demokratët me poste, për shkak të kohës së kufizuar që mbetet deri në zgjedhjet e përgjithshme, por nuk do të refuzojë edhe nëse ka të tilla. “Por, ajo që është e sigurt është shkëputja nga koalicioni opozitar. Lidershipi socialist nuk di të ndërtojë koalicion dhe as frymë opozitare”, - u shpreh Ndoka. 

“Me PD ka pasur ngrirje të marrëdhënieve politike që në kohën kur PDK u nxor nga qeverisja në mënyrë të njëanshme. Sot janë tejkaluar ato raporte midis palëve dhe nuk shohim ndonjë pengesë në fund të fundit për tu takuar dhe për të nënshkruar marrëveshje për një bashkëpunim në të ardhmen me këtë formacion politik për të ndërtuar një aksion politik së bashku”, - vijon Ndoka.

AK: JO ALEANCË ME PS, RAMA NË OPOZITË, BERISHA NË PENSION
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu nga një takim me banorët e zonës së Gores në Korcë, ka deklaruar se ai nuk do të bëjë aleancë me PS-në në zgjedhjet e vitit 2013-të. Spahiu është shprehur se, do lërë në opozitë Ramën dhe bashkë me të do nxjerrë edhe Berishën. Ky ishte reagimi i tij ndaj deklaratave të Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes në të njëjtin koalicion të AK me FRD dhe PS.

“Deklarata e Edi Ramës është bërë në kushtet e drithërimave që kanë kapur socialistët dhe demokratët nga mbështetja popullore që po fiton cdo ditë Aleanca KuqeZi. Ne refuzojmë cdo lloj koalicioni të mundshëm dhe nuk pranojmë në gjirin tonë as PD dhe as PS. Rama dhe Berisha në panik kanë formalizuar modelin politik grek si PASOK dhe Demokracia e Re, duke i hapur dyert njeri-tjetrit për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Aleanca KuqeZi do të jetë lokomotiva nacionaliste e koalicionit të lëvizjeve patriotike në zgjedhjet e ardhshme”.

Më tej Spahiu deklaroi se, lufta politike dhe gara elektorale në zgjedhjet e përgjitshme politike të vitit 2013 do të sjellin rezultatin e fitores së kuqezinjve, duke nxjerr Sali Berishën në pension dhe duke lënë në opozitë Edi Ramën për katër vite të tjera.

FRD: KOALICIONIN DO TA KËRKOJMË ME QYTETARËT
Pasditen e sotme edhe Fryma e Re Demokratike iu përgjigj deklaratave të kryetarit të PS-së Edi Rama për mundësinë e një koalicioni mes FRD-së e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme. FRD nënvizon se nuk do pranojë koalicion as me Ramën e as me Berishën, por vetëm me qytetarët shqiptarë.

“Fryma e Re Demokratike deklaron se, si një forcë e re politike do të punojë për konsolidimin e saj dhe shndërrimin në një faktor të rëndësishëm në skenën politike shqiptare. Fryma e Re Demokratike deklaron se koalicioni i saj do të jetë vetëm me qytetarët shqiptarë, në funksion të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe realizimin e aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e denjë e bashkësisë së madhe evropiane. Në këtë qëllim të madh FRD nuk do të bëjë asnjë koalicion me zotin Berisha dhe zotin Rama. Eshtë e qartë për cilindo, se praktikisht ka një koalicion PD-PS koalicion, i cili arnoi kodin elektoral duke mos respektuar as parimet kushtetuese, as vullnetin e forcave politike.” – bëri të ditur Fryma e Re Demokratike.

RAMA: JEMI TË HAPUR PËR AK-në DHE FRD-në
Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje, gjatë emisionit “Debat”, të gazetarit Alfred Peza se socialistët janë të hapur për një aleancë të mundshme me AK-në dhe FRD-në.
“Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të së majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi.”- u shpreh Rama.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›