E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria mbështet ekzistencën e dy shteteve, të respektohet roli i SHBA-ve”

04-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha sqaron votën abstenuese në OKB, për rezolutën e Palestinës

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha sqaroi dhe lidhur me votën abstenuese në OKB ndaj rezolutës për Palestinën. Ndalur në këtë çështje kreu i ekzekutivit, dhe arsyet se përse erdhi një qëndrim i tillë i Shqipërisë.
Sipas kryeministrit, Shqipëria mbështet plotësisht zgjidhjen e dy shteteve të pavarura, ashtu sikurse Shqipëria është nga më të paktat vende që ka njohur shtetin palestinez, por rezolutat në OKB shmangin rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Do të bëj dy sqarime lidhur me votën e Shqipërisë në Organizatë e Kombeve të Bashkuara, në  abstenimin e saj, duke theksuar këtu se Turqia është një aleat i shkëlqyer dhe Kryeministri Erdogan është një ndër miqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar. Duhet të theksoj se qëndrimin tonë ndaj rezolutës së paraqitur nga një grup i gjerë vendesh, si kryeministër i këtij vendi e kam shprehur publikisht në shtator të vitit 2011, në sesionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria mbështet plotësisht zgjidhjen e  dy shteteve të pavarura. Shqipëria është nga më të paktat vende që ka njohur shtetin palestinez, por në shtator të vitit 2011 kam shprehur qëndrimin negativ ndaj kësaj rezolute, sepse, së pari, ne besojmë se kjo çështje, ndoshta çështja më komplekse dhe më e vështirë në planet, nuk mund të zgjidhet nëpërmjet përpjekjeve për të anashkaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke theksuar këtë, them me bindje se Presidenti Barak Obama e ka pasur dhe e ka në axhendën e tij, pasi nuk mund të harroj faktin që, ditën e parë në Shtëpinë e Bardhë, ai emëroi të dërguarin e tij për konfliktin e Lindjes së Mesme. Së dyti, këto pikëpamje, unë ia kam shprehur autoriteteve palestineze  dhe vendeve të tjera mike arabe, që kanë ngritur këtë çështje”, tha Berisha.
Ndërsa theksoi se ekziston në mënyrë evidente një vullnet i shprehur nga Presidenti Obama dhe administrata e tij për të zgjidhur problemin me nocionin e dy shteteve pavarura.
“Natyrisht, një problem kaq i komplikuar kërkon edhe përpjekje më të mëdha, por gjykoj se roli i SHBA në zgjidhjen e këtij problemi është i pazëvendësueshëm. Sikundër për Shqipërinë, palestinezët dhe shteti  i tyre është një vend mik, por edhe Izraeli është një vend mik gjithashtu, me të cilin ne kemi disa lidhje historike dhe jemi pa diskutim të ndjeshëm ndaj çdo lloj faktori dhe zhvillimi në rajon. Në vizitën time në Izrael, President Shimon Peres, Kryeministri Netanyahu dhe autoritetet që kam takuar më janë shprehur se janë plotësisht për një zgjidhje, dy shtete të pavarura, por në siguri të plotë, jo në kërcënim. Ajo çka dua të them është se kjo rezolute është firmosur nga dhjetëra e dhjetëra shtete, të cilat nuk njohin Izraelin dhe do të kishte qenë shumë e rëndësishme që ata, të cilët votuan rezolutën, të vinin aty një nen që njohin shtetin e Izraelit, sepse ky do të ishte një kontribut për paqen dhe mendoj se do t’i shërbente më shumë zgjidhjes përfundimtare. Ky është qëndrimi ynë. Shqipëria është e vendosur të zhvillojë marrëdhënie miqësore dhe pa diskutim që marrëdhëniet me Turqinë përbëjnë përparësi dhe kanë përbërë gjithmonë. Lidhjet mes dy vendeve janë lidhje të shumanshme dhe jam i bindur se do të njohin zhvillime të tjera pozitive”, deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›