“Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës”

Kosovë/ Imami - Çeku
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami viziton familjen Haradinaj, për të uruar lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, deri në aktvendimin përfundimtar nga Gjykata e Hagës
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i ftuar nga homologu i tij Agim Çeku, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë,. Në këtë vizitë, ministri Imami shoqërohej nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Zyber Dushku, si dhe nga ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave tona të Armatosura. Në pritje të ministrit Imami ishin ministri i FSK-së, Agim Çeku, zëvendësministrat; Shemsi Veseli, Bejtush Gashi dhe Sllavisha Filipoviç, komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Kadri Kastrati, si dhe zyrtarë tjerë të lartë të Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe të FSK-së. Të dy ministrat, fillimisht, patën një takim kokë me kokë, pastaj vazhduan takimin në përbërje të plotë të dy delegacioneve.
Qëllimi i vizitës së ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë në Kosovë ishte intensifikimi i bashkëpunimit të dyanshëm në sferat e ndryshme me interes të përbashkët, si në sferën e sigurisë, të mbrojtjes, të shëndetësisë, në trajnime të ndryshme ushtarake dhe në kontributin e përbashkët me qëllim të ruajtjes së paqes në rajon.
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami gjatë vizitës së tij në Kosovë ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan.
“Tërësia territoriale e Kosovës nuk mund të cenohet dhe nuk mund të diskutohet”, ka thënë ai.
Më pas, ministri Imami, i shoqëruar nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Zyber Dushku, komandanti i Mbështetjes Rajonale, gjeneral brigade Abaz Lleshi dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar kanë vizituar edhe familjen Haradinaj, për të uruar lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, deri në aktvendimin përfundimtar nga Gjykata e Hagës. Në takimin me anëtarët e kësaj familje, Imami rikonfirmoi mbështetjen e shtetit shqiptar për pacenueshmërinë e territorit të Kosovës. Ai deklaroi se qëndrimi i shtetit shqiptar është që veriu i Kosovës është i panegociueshëm. Imami te familja Haradinaj përcolli edhe urimet e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha për lirimin e Haradinajt. Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe ministri i FSK-së, Agim Çeku, si dhe ushtarakë të tjerë.
Ministri i Mbrojtjes, Imami u prit në një takim të veçantë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishme mbështetjen e plotë që Shqipëria jep për Kosovën në të gjitha fushat, e sidomos në përkrahjen për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në takim u tha se bashkëpunimi i shkëlqyer ushtarak mes Kosovës dhe Shqipërisë është i rëndësishëm për forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës.
Nga ana e tij, ministri Imami siguroi kryeministrin e Kosovës, Thaçi se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë FSK-në në procesin e ngritjes së mëtejme të kapaciteteve të saj.