“Italia mbështet Shqipërinë për statusin kandidat brenda vitit 2012”

Kreu i LSI-së takohet me senatori italian Alberto Filippi
Senatori dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit të Jashtëm në Senatin italian, Alberto Filippi deklaroi dje në Tiranë se Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE.
Gjatë një takimi të zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, senatori italian tha se qëndrimi i Romës Zyrtare është që këtë vit, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Qëndrimi që në këtë vit të mund të marrë statusin e Vendit Kandidat për në Bashkimin Europian. Ky është një qëndrim që në mënyrë të dukshme edhe Bashkimi Europian ka dhe që të vijë sa më parë një reformë zgjedhore. Ajo që unë dua të dëshmoj është se si shumë nga qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë, sidomos në veri-lindje të Italisë, ka arritur të integrohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Shumë nga problemet dhe shqetësimet e së kaluarës sot janë të kaluara dhe sot ka një integrim të shqiptarëve në Itali në 100 për qind të rasteve”, u shpreh ai.
Filippi foli dhe për miqësinë e dy vendeve, duke theksuar se Shqipëria për Italianët është si një shtëpi e dytë dhe një rol të rëndësishëm për këtë kanë luajtur edhe emigrantët shqiptarë, të cilët janë integruar plotësisht në shoqërinë italiane.
“Unë vij gjithmonë me shumë kënaqësi këtu sepse ndihem gjithmonë si në shtëpinë time. Ndihem si në shtëpinë time sepse flas dhe kuptohem nga italishtja me shumë thjeshtësi dhe pastaj duke bërë shaka them gjithmonë se kur vij pijë një kafe dhe zbuloj gjithmonë se është një kafe shumë e mirë. Për ne italianët të kuptohemi kur flasim gjuhën tonë dhe të pimë një kafe të mirë do të thotë që jemi në shtëpi. E thashë duke bërë shaka por në fund të fundit kjo nuk është një shaka por është një dëshmi e qartë se si Italia dhe Shqipëria duke ecur dorë më dorë me njëra-tjetrën së bashku mund të përshkojnë një rrugë të gjatë dhe të rëndësishme, plot zhvillim dhe plot mundësi si për Italinë ashtu edhe për Shqipërinë. Dua të kujtoj që rritja që vendi im ka pasur është edhe në sajë të shumë punëtorëve shqiptarë të cilët janë integruar shumë mirë dhe kanë ditur shumë mirë të përçojnë vlerat dhe principet e vendit të tyre në vendim tim”, tha ai.
Nga ana e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta vlerësoi se mbështetja e Italisë për Shqipërinë është evidente dhe vetëm një vit më parë kjo u pa në heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Meta shprehu besimin e tij se Roma Zyrtare është përkrah Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. “Kemi diskutuar edhe për objektivat kryesore që ka Shqipëria për të marrë statusin e Vendit Kandidat brenda këtij viti dhe natyrisht ka konfirmuar mbështetjen e fortë të Italisë për këtë hap tjetër përpara që duhet të bëjë Shqipëria dhe që shpresojmë të ecim në drejtimin e duhur”, theksoi Meta.
Senatori Filippi është në Shqipëri me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Lezhës Viktor Tushaj.