Kriza energjetike në prag, Fierza 17 metër mbi pikën e vdekjes
Sipas të dhënave më të fundit nga KESH, niveli i ujit në basenin e Fierzës është vetëm 263 metra ose 17 metra mbi pikun e vdekjes, që konsiderohet niveli 246 metër. Ja si po përballohet situata
Ekonomia e vendit rrezikon të përjetojë përveç krizës ekonomike edhe një krizë energjetike e cila do të shpërhapet me efekte shumëdimensionale në ekonominë e vendit. Më shumë se një mungesë dritash në familjet shqiptare, mungesa e prodhimit të energjisë do të jetë një krizë buxhetore dhe e ekonomisë. Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata Elektroenergjetike, niveli i ujit në basenin e Fierzës është vetëm 263 metra ose 17 metra mbi pikun e vdekjes, që konsiderohet niveli 246 metër. Importi i energjisë aktualisht është 16 milionë kw/a orë në ditë. Nga kjo sasi KESH është duke importuar 12.4 milionë kilovat, ndërsa CEZ 3.6 milionë kilovat orë. Konsumi ka arritur në mbi 22 milionë kilovatorë në ditë. Bazuar në këtë situatë, përjetimet e orëve të gjata pa drita rrezikojnë të kthehen. KESH aktualisht po harxhon rreth 7 milionë euro në muaj për importin e energjisë, por ndërkohë kompania pritet të zhytet shumë shpjet në përkeqësim të bilancit për faktin se energjia që blihet në tregun ndërkombëtar i shitet CEZ shpërndarjes më lirë. Sipas të dhënave të KESH aktualisht 1 Megavat blihet në import mesatarisht 65 -70 euro, ndërsa energjia që KESH i shet CEZ është me 1.48 lekë për kilovatorë. Përveçse mungesës së prodhimit, diferenca ndërmjet çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes e vështirëson edhe më shumë situatën. Ndërkohë që qeverisë për herë të parë këtë vit i duhet të menaxhojë krizën, kur sistemi i shpërndarjes administrohet nga privatët. Sipas të dhënave të KESH, deri në fund të shtatorit niveli i Fierzës ka qenë 272 metër, e cila konsiderohet një kuotë shumë optimale për periudhën, duke patur parasysh se ndodhemi në vitin më të thatë në dekadën e fundit. Kjo e bazuar në statistikat shumëvjeçare, por edhe nga sinoptikanët. Sipas KESH, që në muajin dhjetor 2010 nuk ka patur reshje. Konsumi në verë ka qenë 20 milionë kilovatorë dhe tani 23 milionë kilovatorë. Pranvera dhe vjeshta që kanë prurje, kanë qenë të thata. Burimet në KESH pohojnë se kompania e ka parashikuar këtë situatë, e cila pritet të menaxhohet mirë. CEZ në fillim të vitit parashikoi një konsum 4.3 miliardë kilovatorë, që tani po arrihet në 5.1 kilovat, ose rreth 900 mijë kilovat plus. Mirëpo, ndryshe nga kriza e fundit e vitit 2007, KESH këtë vit vë në shfrytëzim TEC-in e ri të Vlorës, i cili prodhon rreth 12 milionë kw në muaj. Mirëpo kostoja është 13 lekë për kw/h, duke bërë me të leverdishëm importin e energjisë sesa prodhimin e saj nga TEC. Mirëpo duke qenë se rrjeti i brendshëm i energjisë krijon humbje gjatë transmetimit Veri-Jug të energjisë, furnizimi nga Vlora e qyteteve të jugut balancon humbjet që mund të vinin nga rrjeti. Gjithashtu shanset për orë të gjata pa drita këtë vit janë edhe më të ulëta për shkak se Shqipëria ka fuqizuar tashmë linjat e transmetimit të energjisë, duke rritur kapacitetet, të cilat nuk mund të realizoheshin më parë. Më vënien në punë të linjës 400 kilovolt Elbasan –Podgoricë, vendi ka çliruar kapacitetet e importit sipas nevojave të konsumit të brendshëm.