E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria me 2.8 milion banorë në 2011-ën, i 3 milionti ka lindur qysh në vitin 1986

Share

Nga Kledian Lula

Në vend që kryeministri shqiptar Sali Berisha të alarmohej që popullsia e vendit që ai drejton është pakësuar me 7.7% në numër, del e zgërdhin dhëmbët ekraneve duke e quajtur arritje të madhe këtë shifër. Sipas INSTAT të SALI-STAT-it, sot në dhjetor 2011, Shqipëria ka vetëm 2 milionë 831 mijë e 741 banorë. Në vitin 2001, Shqipëria kishte 3 milionë 69 mijë e 275 banorë. Ndërsa në vitin 1986, Shqipëria kishte plot 3 milionë banorë. Në këtë vit, pra në datën 27 shkurt 1986, fiks në orën 11.30 minuta, u lind në qytetin e Memaliajt të Tepelenës, banori i 3 miliontë i Shqipërisë, fëmija i minatorit Qemal Bega, emrin e të cilit e vendosi ish-udhëheqësi i asaj kohe Ramiz Alia, duke e pagëzuar GËZIM. Këtij fëmije iu bënë si dhuratë një palë rrobe bebesh, një batanije, një krevat, emri në zarf i dërguar prej partisë dhe 2 fotografi me ngjyra, duke e mbajtur në krah nëna e tij dhe e deleguara e KQ të PPSH, ish-kryetarja e Bashkimit të Grave të Shqipërisë Lumturi Rexha.

Deri në vitin 2001, kur popullsia ishte akoma 3 milionë, 69 mijë e 275 banorë, Gëzim Bega vazhdonte ta mbante titullin historik të gjendjes civile shqiptare, si banori i 3 miliontë. Ndërsa tani në vitin 2011, pas regjistrimit të popullsisë, ose censusit SALI, i 3 milionti Gëzim Bega e ka humbur këtë titull, mbasi popullsia e Shqipërisë është vetëm 2 milionë 831 mijë e 741 banorë.

Kujtojmë që në 12 qershor 1937, në Lushnjë u lind në banori i 1 miliontë i Shqipërisë dhe emrin e tij SKËNDER (Zheka) e vendosën motrat e mbretit Zog, në nderim të Heroit Kombëtar  Skënderbeu. Për banorin e 1 miliontë, ish-mbreti Ahmet Zog ka ngritur një dolli të posaçme dhe ka shtruar një darkë në pallatin mbretëror, ku ka akorduar një pension mujor modest për familjen e tij. Sipas regjistrave të gjendjes civile, banori i 2 miliontë i Shqipërisë, u lind vajzë në mars 1968 në Bulqizë dhe u pagëzua me emrin DRITA (Rexha), emër të cilin ia vendosi ish-diktatori Enver Hoxha.

Kur lindi banori i 3 miliontë, banori i 1 miliontë SKËNDER ZHEKA ishte vetëm 49 vjeç dhe ka vdekur në vitin 1993, në moshën 56 vjeçe në një aksident me makinë. Ndërsa banorja e 2 miliontë DRITA REXHA, kur u lind banori i 3 miliontë ishte 18 vjeçe dhe studionte në shkollën e lartë të Bashkuar të Oficerëve. Tani ajo është e martuar dhe jeton në Gjirokastër.

Sipas censusit SALI, banori i 3 miliontë Gëzim Bega, aktualisht është 25 vjeç. Sipas shifrave të regjistrimit të popullsisë të censusit 2011, Gëzim Bega nuk është më banori faktik aktual i 3 miliontë, mbasi Shqipëria aktualisht ka vetëm 2.8 milionë banorë. Edhe nëse Shqipëria bëhet 3 milion banorë, përsëri titullin banor i 3 miliontë do ta fitojë ai që do lindet si plotësues i numrit 3 milionë banorë.

Sipas regjistrit të gjendjes civile, banori i 3 miliontë Gëzim Bega, aktualisht jeton me prindërit dhe dy motrat e tij. Të shpërngulur nga qyteti Memaliaj përpara 10 vitesh, ata banojnë në lagjen Kombinat në Tiranë. Banori i 3 miliontë ka përfunduar arsimin e mesëm dhe punon si shofer në një firmë private, por dhe si elektro-mekanik me babain e tij Qemal Bega. Edhe pse zyrtarisht Gëzim Qemal Bega figuron si banori i 3 miliontë i Shqipërisë, numerikisht nuk është i tillë në vitin 2011, mbasi 25 vjet pas lindjes së tij, censusi SALI nxori se në Shqipëri ka vetëm 2 milionë, 831 mijë e 741 banorë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›