“Shqipëria, me një sektor të konsoliduar financiar”
Banka Botërore prezantoi raportin për zhvillimet ekonomike në 6-të vendet e Europës Juglindore
Banka Botërore prezantoi të martën raportin për zhvillimet ekonomike në 6-të vendet e Europës Juglindore, ku përfshihet (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, IRJ e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia), ku ndër të tjera evidenton se, “ngadalësimi global dhe një trazirë e kohëve të fundit në Eurozonë (EZ) kanë lëkundur ekonomitë e gjashtë vendeve në Evropën Juglindore (SEE6), por integrimi i tyre më i thellë me Bashkimin Evropian (BE) mbetet perspektiva më e mirë afatgjatë për rritjen e tyre”.
Në raportin e zhvillimeve ekonomike për këtë rajon, i pari i këtij lloji, Banka Botërore nënvizon se tregtia me Bashkimin Europian është një shtysë e rëndësishme për zhvillim ekonomik në 6 vendet e Evropës Juglindore.
Po ashtu, raporti nënvizon nevojën për një politikë të kujdesshme fiskale, në këto vende.
E reflektuar në raport, vendi ynë dallohet për një sektor të konsoliduar financiar.
Shqipëria
Sipas raportit, nga vitit 2008 e deri më sot, depozitat në bankat që operojnë në Shqipëri, janë shtuar vit pas viti, duke kulmuar në vitin 2011.
Kjo konsiderohet nga ekspertët e Bankës Botërore, si një faktor pozitiv për t’i bërë ballë krizës aktuale.
Në fakt, një situatë e tillë pozitive e likuiditetit konstatohet pozitive për të gjithë rajonin.
Po ashtu, Banka Botërore fakton se borxhi publik i Shqipërisë është nën 60 për qind, kurse borxhi i jashtëm është 40 për qind, më i ulëti në rajon, duke e bërë vendin tonë më të mbrojtur ndaj ndryshimeve të interesave në tregjet e huaja financiare.
Për sa i përket rritjes reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Shqipëria veçohet si një nga tre vendet që kontribuojnë pozitivisht në rritjen ekonomike të rajonit.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rritja ekonomike në vendin tonë në 2009 ishte 3.3, kur thuajse të gjitha vendet e tjera ishin me minus, pasi ishin prekur rëndë nga kriza e asokohe.
Po ashtu, rritja vijoi me 3.5 për qind në vitin 2010, kur vendet e tjera nuk e kalonin shifrën 3. për sa i përket vitit aktual Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike prej 3 për qind.
Konform pritshmërive dhe masave të nevojshme që duhet të merren për të ardhmen e pasigurt, qeveria shqiptare ka hartuar tashmë një buxhet konservator dhe realist për vitin 2012.
Këto të dhëna u bënë publike për mediat përmes një video-konference mbajtur direkt nga kryeekonomisti i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në Beograd.
Rajoni
Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ron Hood, përmes videokonference nga Beogradi, tha se, “parashikimet tona për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 2.5 për qind në vitin 2011 dhe 2.1 për qind në 2012. Megjithatë, edhe këto parashikime rritjeje modeste supozojnë që kriza e Eurozonës të zgjidhet në mënyrë të rregullt. Nëse kriza do të përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë më e keqe”, u shpreh ai.
“Efektet e një ngadalësimi të mëtejshëm global dhe pasiguritë e zgjatura rreth krizës së EZ do të ndikojnë ekonomitë e SEE6 nëpërmjet tregtisë, investimeve të huaja të drejtpërdrejta (FDI), bankave të huaja dhe remitancave”, citoi ai nga “Raporti i Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore”.
Sipas tij, tregtia me BE është një shtysë kryesore e eksporteve dhe rritjes së përgjithshme ekonomike për vendet e SEE6, duke përbërë nga 30 për qind deri në pothuajse gjysmën e GDP së tyre. Në vitin 2010, 58.2 për qind e eksporteve totale ishin drejt BE, ku pjesa e luanit shkonte drejt Italisë dhe Gjermanisë. Pas një rënieje prej 14.7 për qind në vitin 2009, eksportet shënuan një rritje të fortë prej 20 për qind në vitin 2010, duke arritur kulmin prej 29.7 për qind në tremujorin e parë të vitit 2011 krahasuar me vitin e mëparshëm dhe pas kësaj janë ngadalësuar. Importet kanë një dinamikë të ngjashme, por me një rënie më të thellë në vitin 2009 dhe një ringritje më të heshtur.
Sipas tij, bankat në rajon janë likuide dhe bazat e kapitalit bankar rezultojnë të shëndetshme. Duke u ndalur në tregues të tjerë ekonomikë, Kryeekonomist i BB-së theksoi se investimet e huaja direkte në rajon janë dobësuar, ndërkohë që borxhi publik dhe defiçiti fiksal ka shënuar nivelin e kufirit të lejuar.
“Me përjashtim të Kosovës, asnjë vend nuk ka depozita të mëdha për të tërhequr. Prandaj, disa vende duhet të përshpejtojnë konsolidimin fiskal, me faturat e pensioneve dhe pagave që janë fushat e rëndësishme të fokusimit”, thotë raporti, tha Hood.
Ndërsa Jane Armitage, Drejtoresha e Bankës Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, u shpreh se “rritja e ardhshme ekonomike do të duhet të ketë një shtysë më të madhe nga investimet dhe përmirësimet në produktivitet që përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe kapacitetin prodhues, më shumë se konsumi i financuar nga jashtë dhe investimet në prona të paluajtshme dhe asete të tjera flluskë. Vendet në Evropën Juglindore kanë nevojë të adresojnë sfidat e zgjatura të reformave strukturore. Kjo do t’u lejojë atyre të përfitojnë më mirë nga aksesi në tregje, hyrjet e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, financimi bankar dhe remitancat, të cilat i ofron integrimi më i afërt me BE”, tha ajo.