E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nuk kupton as nga ligjet e as nga shteti

16-11-2011 / Gazeta 55

Një ditë pas kalendarit konsensual në parlament, Edi Rama ka treguar se kupton kasandrat e ekstremizmit, më shumë sesa mesazhet e ndërkombëtarëve për konstruktivitet. Kryqëzata e turpshme ndaj sistemit të drejtësisë, për shkak të shpifjeve të porositura në grupin parlamentar dhe mesazhet e humbjes së pritshme në 2013-n konfirmojnë drojën e të gjithëve se s’mund të pritet një respektim i plotë marrëveshjesh, nga një politikan rastësor që s’kupton as nga ligjet e as nga shteti

Vetëm një ditë, pasi opozita ishte kthyer në pozicionin e përmbushjes së detyrimeve të veta institucionale, ato të miratimit të ligjeve me shumicë të cilësuar, Edi Rama s’e ka përballuar dot presionin e brendshëm në PS-në në prag të privatizimit dhe i turrur një performance që s’ka të bëjë as me respektimin e ligjeve e as me respektimin e institucioneve. Konsensusi është sulmuar dje me gjuhën ekstremiste të mosnjohjes së institucioneve e të marrjes peng të organit ligjvënës. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Edi Rama i ka ngjarë më shumë një palo-prifti që merret me mallkime të jobesimtarëve (në këtë rast me mallkimin e disa gjyqtarëve) sesa një kryetari të një fronti politik që pretendon të vijë në pushtet për të konsoliduar edhe më tej shtetin shqiptar. Përkundrazi, gjykatat, KLD-ja, komisionet parlamentare dhe intelektualët kanë qenë kategoritë e anatemuara, të pamundura për t’u mbrojtur, përballë baltës së shpifjeve apatride, që tashmë s’po pushojnë prej dy vitesh. Për hir të Saimir Tahirit, Eduard Shalësit, Ermonela Felajt apo të tjerë deputetëve të certifikuar si shpifësa nga gjyqtarë të gjykatës së Tiranës, Edi Rama artikuloi dje një kryqëzatë mallkimesh, e cila pak lë shpresë se angazhimi për reforma do të mund të përmbushet në një kohë të afërt. Me sa duket, kasandrat e dështimit të 2013-s në mendjen e uzurpatorit në krye të PS-së, kanë qëlluar më të fuqishme sesa paralajmërimet e ndërkombëtarëve se ai duhet të respektojë rregullat e lojës, në rast se do të qendrojë në politikë. Në fakt, dje Edvini rikonfirmoi se ai s’kupton as nga ligjet e as nga shteti, dhe në këto rrethana, kasandrat e ekstremizmit janë të vetmet mesazhe të kapërdishme për të.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›