E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria merr drejtimin e Këshillit të Europës, por si mund të japë leksione për të drejtat e njeriut?

Share

Shqipëria do drejtojë organizatën që ka në qendër të punës së saj të drejtat e njeriut. Para disa kohësh, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut pranë KiE tha se do ishte mirë që ngjarjet e 21 janarit të ishin zbardhur para se Shqipëria të drejtojë këtë institucion. Ai hedh dyshimet se do jetë e çuditshme që një shtet që vret protestuesit jashtë perimetrit të sigurisë, të drejtojë një organizatë për të drejtat e njeriut

Ajo është një organizatë që ka në qendër të punës së saj të drejtat e njeriut. Por nga maji deri në nëntor të këtij viti, presidente e organizatës do jetë Shqipëria. Ferdinand Pone, zëvendësministër i Brendshëm, e ka quajtur historik faktin që Shqipëria do drejtojë një organizatë kaq të rëndësishme pikërisht në 100 vjetorin e Pavarësisë. Shqipëria e merr presidencën nga Britania e Madhe dhe tani do i japë leksione Europës për të drejtat e njeriut.

Por vetë Shqipëria ka qenë pjesë e hetimeve, kritikave dhe denoncimeve të raportuesve të Këshillit të Europës si rrallë ndonjë anëtare tjetër.

Së fundmi pati një raport të Komisionierit për të Drejtat e Njeriut për ngjarjet e 21 janarit.

Në një frazë përvëluese për qeverinë, thuhej: Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm e informuan Komisionerin se Garda e Republikës ka të drejtë të përdorë armë vdekjeprurëse në rrethana të veçanta nëse shkelet perimetri i sigurisë i ndërtesave qeveritare. Ndërkohë Komisioneri kuptoi se katër vrasjet në fakt ndodhën jashtë perimetrit të sigurisë së godinës së kryeministrit, por ministrat thanë se ka pasur përpjekje nga protestuesit për të hyrë në oborr.

Ndërkohë Suedezi Thomas Hammarberg, veterani i kauzës së të drejtave të njeriut, dhe qysh prej vitit 2005 Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, ka dhënë para disa kohësh një intervistë për Vizion Plus, në të cilën ka folur për ngjarjen e 21 janarit të një viti më parë. Sa më shumë rritet distanca me atë datë, aq më shumë shfaqet e troçtë dhe e qartë diplomacia perëndimore (në fakt, reagimet e vonuara janë tipike për diplomacinë). Dhe zoti Hammarberg ka një opinion të vetin lidhur me përdorimin e armëve gjatë tubimeve të protestës, e merret vesh se ky opinion është me mijëra vite larg atij të Berishës e të berishianëve, gardistë apo jo gardistë. Armët nuk duhet të përdoreshin, si dhe nuk duhet tu drejtoheshin demonstruesve, edhe nëse ata bëheshin të dhunshëm, që ndoshta ndodhi edhe në rastin në fjalë. Është shumë e rëndësishme që sjellja e policisë dhe Gardës të jetë e matur në këto raste, thotë ai.

Ai kishte një shqetësim ekstra. Në maj, Shqipëria merr drejtimin e Këshillit të Europës, dhe ai shpreson që deri atëherë të jetë zbardhur kjo çështje. Më poshtë, duke thënë se drejtimi i Këshillit të Evropës e vë Shqipërinë në një pozitë të madhe përgjegjësie, ai lë të kuptohet se e gjen të çuditshme që Shqipëria, ku u merret jeta brutalisht protestuesve të opozitës, të jetë drejtuese e një organizate të fokusuar më së pari tek të drejtat e njeriut, siç është Këshilli i Europës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›