E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria merr kryesimin e Brigadës SEEBRIG

Shqipëria merr kryesimin e Brigadës së Europës Juglindore, nën drejtimin e Gjeneral brigade Zyber Dushku. Në ceremoninë e dorëzimit zhvilluar në Stamboll ishte i pranishëm dhe ministri i Mbrojtjes Gamend Oketa. 

STAMBOLL- Shqipëria merr kryesimin e Brigadës së Europës Juglindore, e njohur ndryshe si SEEBRIG. Në një ceremoni të organizuar në Stamboll në prani të Ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë, Turqisë, por edhe të ambasadorëve të vendeve të tjera Komandanti Bullgar i SEEBRIG-ut, i dorëzoi flamurin Komandantit shqiptarë Gjeneral Brigade Zyber Dushku, i cili do të jetë për dy vjet nën drejtimin e komandos ku përfshihen forca nga 7 vende të Europës Juglindore.
Ndërkaq ministri i Mbrojtjes Oketa është pritur në një takim nga homologu i tij turk Mehmet Vecdi Gonul. Gjatë këtij takimi dy ministrat biseduan mbi zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dy palësh. Gjithashtu ata shkëmbyen mendime mbi gjendjen e sigurisë në rajon e më gjerë. Duke vlerësuar praninë e dy vendeve në NATO Oketa dhe Gonul theksuan se bashkëpunimi në fushën e mbrojtes tashmë do të ketë etapa dhe zhvillime të reja.
Gjatë vizitës në Turqi ministri Oketa zhvilloi edhe një vizitë në mauzuleumin e Mustafa Kemal Ata Turkut dhe vendosi një kurorë në monumentin përkujtimorë të tij. Po kështu gjatë ditëve të qëndrimit në Turqi Oketa u takua edhe me studentët shqiptarë që arsimohen në fushën e mjekësisë ushtarake në spitalin Gata në Ankara. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›