E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria merr mbështetjen e plotë të kongresit amerikan për anëtarësimin në NATO

Kryeministri Berisha takoi dje pasdite, një grup kongresmenësh amerikanë, të kryesuar nga kongresmeni Jony Tanner. Duke u uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shprehu atyre në emër të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar, mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë njerëzve të shquar të popullit amerikan, si Presidentit Bush, ish presidentit Klinton dhe të gjitha institucioneve amerikane, për mbështetjen e madhe, që i kanë dhenë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe ndërtimit e konsolidimit të demokracisë në Shqipëri. “Populli shqiptar do tu jetë mirënjohës përjetë, miqve të mëdhenj të Shqipërisë, përfaqësuesve të dhomës dhe senatorëve, të cilët kanë dhëne një kontribut themelor, për pavarësinë e Kosovës dhe për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri”, shprehu Kryeministri. Kryeministri Berisha bëri një prezantim të ecurisë së reformave më të rëndësishme, të cilat po implementohen në përmbushje të dy projekteve më madhore të shqiptarëve, integrimit në NATO dhe në BE. Kryeministri theksoi se primare për qeverinë shqiptare vazhdon të mbetet lufta e patolerueshme kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit dhe informalitetit. Kryeministri u shpreh se tanimë ekonomia shqiptare po ecën drejt progresit të dukshëm, si rezultat i zbatimit të një sërë masave të cilat kanë bërë që vendi të shënojë një rritje ekonomike vjetore prej 6 %. Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se një vend i rëndësishëm, në politikat ekonomike, i është dedikuar, bërjes së Shqipërisë, një vend tërheqës dhe interesant për investimet e huaja. Gjithashtu, kryeministri i njohu ata me ecurinë e nismës “Shqipëria një euro”. Ndër të tjera, kryeministri u ndal tek reforma në fushën e mbrojtjes, si rezultat i së cilës ushtria shqiptare nuk është më një ushtri arkaike e modelit të vjetër, por është një ushtri e vogël në numër dhe profesioniste, e cila kontribuon me trupat e saj në misionet paqeruajtëse në vendet që aspirojnë lirinë dhe demokracinë. Kryeministri Berisha theksoi se të gjitha këto reforma i mundësuan Shqipërisë pjesëmarrjen në një program të dyte te “Sfidës së Mijëvjeçarit”, me fondet e të cilës do të financohen programet kundër korrupsionit. Nga ana e tyre, kongresmenët amerikanë vlerësuan shume pozitivisht ecurinë e reformave gjatë këtyre dy viteve te fundit, si dhe shprehen e mbështetjen e plote te Kongresit amerikan për marrjen nga ana e Shqipërisë, të ftesës për anëtarësim në NATO, ne Samitin e Bukureshtit. Kongresmenet vlerësuan gjithashtu kontributin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe angazhimin e saj në mbështetje të vlerave të lirisë dhe demokracisë në botë. Ndërsa në takimin me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Delegacioni amerikan i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Kongresmeni amerikan Xhon Tenër dhe të përbërë nga kongresmenët Ben Çendlër, Karolin Mekarti, Xhef Miler, Denis Mur dhe Majk Ros, vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke shprehur mirënjohjen për rolin e tyre të rëndësishëm historik jo vetëm në momentet e vështira të kombit tonë, por edhe në kurorëzimin me sukses të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti Topi përshkroi reformat dhe sfidat kryesore me të cilat përballet vendi ynë për të arritur standardet e kërkuara për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe Bashkimin Europian, frymën e re të konsensusit dhe bashkëpunimit që po mbizotëron së fundmi në politikën shqiptare dhe nënvizoi besimin Shqipëria është gati për të marrë ftesën e anëtarësimit nga Samiti i NATO-s që do të mbahet në prill në Bukuresht. Kongresmeni Tenër duke folur edhe në emër të anëtarëve të tjerë të Delegacionit, e siguroi Kreun e shtetit për mbështetjen e plotë nga ana e Kongresit dhe administratës amerikane për realizmin e aspiratës integruese të Shqipërisë në NATO. Ndërkaq, edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, priti në një takim gjashtë kongresmenët amerikanë. Nga ana e saj, Kryetarja Topalli i njohu miqtë amerikanë me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në atë të drejtësisë, ekonomisë, arsimit e të tjerë. “Ne, jemi të angazhuar maksimalisht në përmbushjen e kërkesave për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe jemi shumë optimistë për marrjen e kësaj ftese në Samitin e Bukureshtit. Nga ana e tij, kryetari i delegacionit për NATO-n, kongresmeni Tanner, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe inkurajojnë vendin tonë për të vazhduar me reformat e nisura.
Berisha-Ficxherald: NATO vlerëson progresin e Shqipërisë në realizimin e reformave/Kryeminisitri Sali Berisha ka pritur dje në një takim Komandantin e Forcave të Bashkuara të NATO-s, në Napoli, Admirali Mark P. Ficxherald. Kryeministri Berisha, duke informuar ushtarakun e lartë theksoi se Shqipëria është fokusuar në dy projektet e saj madhore, integrimin në NATO dhe në BE, projekte këto që janë më të mëdhatë e shekullit për shqiptarët dhe për mbarë vendet e rajonit. Kryeministri Berisha e njohu zyrtarin e NATO-s me reformat serioze në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe të modernizimit të FA-së shqiptare.
Mediu: Shqipëria e vendosur për të vazhduar përpjekjet maksimale për marrjen e ftesës për anëtarësim/Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së vendeve të Kartës së Adriatikut, që u mbajt në Uashington. Ministeriali i Mbrojtjes i Kartës së Adriatikut, konfirmoi angazhimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për të vazhduar përpjekjet maksimale për marrjen e ftesës për t’iu bashkuar Aleancës së Atlantikut të Veriut në Samitin e Bukureshtit. Ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Zv/Asistent Sekretari i Mbrojtjes për Politikat e NATO-s dhe ato Evropiane, Daniel Fata, shprehën angazhimin e tyre maksimal për të forcuar bashkëpunimin përmes iniciativës së Kartës së Adriatikut. Në fjalën e tij, ministri Mediu i njohu të pranishmit me përpjekjet e Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, që do të zhvillohet më 2-4 prill 2008. Ministrat evidentuan përpjekjet dhe sukseset e forcave të tyre të armatosura në procesin e transformimit për të arritur standardet e NATO-s dhe përsëritën dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin në çështjet e mbrojtjes. Ministri Mediu falenderoi SHBA-në për ndihmën e dhënë në procesin e transformimit të Forcave tona të Armatosura, si dhe në përpjekjet e vendit tonë për marrjen e ftesës për anëtarësim. Ndërkaq, zv/Asistent Sekretari i Mbrojtjes, Daniel Fata, shprehu qartë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kandidaturat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO. Ministri Mediu u takua edhe me Zëvendës Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, zotin Gordon England, me të cilin zhvilloi një bisedë tepër të ngrohtë lidhur me të ardhmen e Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës Veri-Atlantike. Nga të gjithë zyrtarët amerikanë u shpreh mbështetja maksimale që vendi ynë të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancë. Gjatë këtij aktiviteti, ministri Mediu vuri një kurorë me lule në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku prehen trupat e ushtarëve amerikanë të rënë në luftër1at për liri dhe demokraci në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›