E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria merr ‘ok’ për në BE me realizimin e 12 rekomandimeve”

03-02-2012 / Gazeta 55

Bashkimi Evropian, 82 milionë euro Shqipërisë për financimin e nëntë projekteve infrastrukturore 


Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi firmosën dje në Ministrinë e Integrimit, Marrëveshjen Financiare për Programin IPA(Instrumenti i Paraaderimit) 2011. Gjithashtu, mbështetje e konsiderueshme është dhënë për sektorin e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme, nëpërmjet financimit me një vlerë prej 18.5 milionë Euro të ndërtimit të paraburgimit dhe burgut në Shkodër. Në kuadrin e respektimit të të drejtave të njeriut, 1.5 mln Euro do të shkojnë për përfshirjen sociale të komunitetit Rom. Në sektorin e reformës në administratën publike mbështetja do të fokusohet tek forcimi i kapaciteteve të administratës doganore, për të cilën janë alokuar 3 mln Euro. Në përputhje me rekomandimet e raportit vjetor të Komisionit Evropian mbështetje do të ofrohet edhe për forcimin e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit të aktorëve kryesorë të përfshirë në zhvillimin rural dhe sektorin agro-ushqimor. Kosto totale e tij arrin shumën 20.75 mln Euro, nga të cilat 10 mln Euro do të financohen nëpërmjet këtij programi. 2.4 mln Euro do të alokohen për mbështetjen e pjesëmarrjes së institucioneve shqiptare në Programet komunitare të Bashkimit Evropian. Në fjalën e saj, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Bregu tha se ky është një proces i përvitshëm, ku pala shqiptare së bashku me atë evropiane marrin përsipër përgjegjësinë e zbatimit të asistencës financiare të BE-së, në kuadrin e komponentit të parë të IPA-s. “Marrëveshja nëpërmjet së cilës do të financohen nëntë projekte me vlerë 82 mln euro, është e rëndësishme për institucionin që unë drejtoj, por veçanërisht për qeverinë shqiptare, sepse tregon aftësinë e qeverisë në menaxhimin e fondeve të IPA-s”, tha ministrja që falënderoi për kontributin ministritë e linjës, institucionet dhe agjencitë e përfshira gjatë hartimit e rishikimit të projekteve, deri në përgatitjen e paketës së tyre përfundimtare. “Pavarësisht disa projekteve problematike, implementimi në kohën e duhur i të cilëve është penguar herë për shkak të burokracive, herë për vonesa të ndërmarrjeve të caktuara nga pushteti lokal, sigurojmë Komisionin, se do të ndjekim me rigorozitet ecurinë e projekteve IPA 2011, në mënyrë që të arrihet implementimi i plotë i tyre, me cilësi dhe në kohën e duhur”, tha më tej ministrja. Nga ana e tij, kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Sequi tha se “firmosja e kësaj marrëveshjeje të përvitshme, nuk është thjeshtë një formalitet, është një moment përgjegjshmërie e Bashkimit Europian për t’i akorduar ndihmën e premtuar financiare Shqipërisë në mënyrë që ta asistojë në përpjekjet e saj për t’u zhvilluar. Nga ana tjetër, është një moment përgjegjshmërie i Shqipërisë që duhet të na sigurojë se kjo ndihmë financiare përkthehet në rritje, zhvillim dhe integrim për qytetarët e këtij vendi”.   Në rolin e koordinatorit kombëtar të fondeve të BE, Ministria e Integrimit do të koordinojë procesin e zbatimit të këtyre projekteve, ndërkohë që të gjitha institucionet përfituese do të garantojnë zbatimin e detyrimeve financiare në kuadër të projekteve nga të cilat përfitojnë.




Projektet e rëndësishme infrastrukturore


- ndërtimi i by-passit të Vlorës, me një vlerë prej 50.5 mln Euro, ku kontributi nga BE do të jetë 19.3 mln Euro, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe kreditë me Bankat evropiane,


- ndërtimi i impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në zonën e Velipojës, i cili do të financohet plotësisht nga ky program me një vlerë prej 10.5 mln Euro,


- rehabilitimi i shkollave të arsimit dhe formimit profesional në Lezhë, Fier dhe Cërrik, për të cilën kontributi i këtij programi do të jetë 2.2 mln Euro


- përmirësimi i rrugëve rurale në Shqipëri, nëpërmjet të cilit synohet rritja e aksesit në shërbimet kryesore dhe tregjet ekonomike, për popullsinë që banon në zonat rurale të Shqipërisë. Kosto totale e tij arrin shumën 64.5 Milion Euro, nga të cilat 14.5 mln Euro është kontributi që jepet nëpërmjet këtij programi, ndërsa pjesa tjetër do të zbatohet nëpërmjet menaxhimit të përbashkët me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›