Dashamir Tahiri, në Uashington, tre takime të nivelit të lartë për çështjen çame
Gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA, deputeti i Vlorës ka patur takime me kongresmenët Dana Rohrabacher, Frank Wolf dhe Steve King, duke promovuar tek institucionet vendimmarrëse amerikane Shqipërinë si dhe duke lobiar për Çështjen Çame
Prej disa ditësh ne Uashington të Shteteve të Bashkuara ndodhet për një vizitë zyrtare deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri. Gjatë kësaj vizite deputeti Tahiri është takuar me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të Kongresit dhe Senatit Amerikan. Midis takimeve të shumta vlen të përmendet me më shumë interes takimi me Anëtarin e Komitetit të Jashtëm dhe Kryetarin e Nënkomitetit të Hapësirës dhe Aeronautikës Kongresmenin, Dana Rohrabacher.
Në këtë takim, të zhvilluar në një atmosferë shumë mikpritëse dhe kuptimi të përbashkët për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe suportit që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë dhe japin Shqipërisë u fol edhe për ëështjen çame dhe iu be me dije Kongresmenit Rohrabacher përpjekjet e deritanishme e forcës politike qe Deputetit Tahir përfaqëson, për te arritur një pasqyrim te qarte te problemit çam dhe gjetur hapësirat e nevojshme për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar dhe atë amerikan ne këtë çështje. Gjatë takimeve në Kongresin Amerikan deputeti Tahiri është pritur edhe nga Kongresmeni Frank Wolf me të cilin është folur për zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet e mazhorancës për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Edhe Kongresmenit Wolf i është bërë me dije problemi i Çamërisë dhe gjithashtu rruga paqësore dhe institucionale që po ndiqet për sensibilizimin e vendeve perëndimore për zgjidhjen e kësaj çështje.
Takime të tjera janë kryer edhe me anëtarët e Komitetit të Ligjeve, Kongresmenin Louie Gohmert dhe Kongresmenin Steve King. Edhe në këto takime gjithashtu, të realizuara në një frymë shumë të ngrohtë dhe mikpritëse, deputeti Tahiri ka lobuar për çështjen çame duke bërë prezent vuajtjet e kësaj popullate dhe kërkesat për njohjen e të drejtave të tyre forcërisht të dhunuara.