E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/Kuvendi miraton heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së

03-02-2012 / Gazeta 55

Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj vihen në dispozicion të hetimeve të prokurorisë për organizimin e demonstratës së dhunshme dhe sulmit ndaj Kryeministrisë në 21 janarin e 2011-s

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje në seancë plenare raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mbi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm “Për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetëve Tom Doshi, Taulant Balla, Besnik Baraj”.
Me 118 vota “pro” Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të deputetit Balla, me 116 vota votoi heqjen e imunitetit të deputetit Doshi dhe me 107 vota votoi heqjen e imunitetit të deputetit Baraj. Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme për tre deputetët për fillimin e ndjekjes penale.
Deputetët Tom Doshi, Besnik Baraj dhe Taulant Balla janë njohur me dokumentet shoqëruese të saj, si dhe janë njohur me shkresë zyrtare në datën 24 janar 2012. Në mbledhjen e njoftuar në datën 27 janar 2012, ku deputetët ishin të ftuar të jepnin shpjegimet dhe vërejtjet tyre, ata u shprehën se janë dakord me heqjen e imunitetit dhe kërkojnë që sqarimet në lidhje me këtë t’i japin në seancën e radhës në Kuvend.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, njëzëri, u shpreh pro, si dhe i propozoi seancës plenare miratimin e kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, për dhënien e autorizimit për ndjekjen penale të deputetëve Tom Doshi, Besnik  Baraj dhe Taulant Balla. Relatori i çështjes, deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi tha se Këshilli, në vijim të qëndrimeve të pozitës dhe opozitës parlamentare, riafirmoi qëndrimin se do të votojë “pro” çdo kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetëve.
Tre deputetët e PS, në fjalimet e veçanta gjatë seancës, u shprehën të gatshëm për lënien e imunitetit të tyre parlamentar, duke theksuar se janë të hapur për të bashkëpunuar me hetimin e organit të akuzës për 21 janarin. Më 23 janar, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit nisjen e procedurave për heqjen e imunitetit për tre  deputetët e PS-së dhe nisjen e ndjekjes penale ndaj tyre me akuzën për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›