E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, mes 3 vendeve me pagat më të ulëta në Evropë

TIRANE - Shqipëria bashkë me Ukrainën e Moldavinë janë tri vendet ku për vitin e shkuar janë regjistruar pagat më të ulëta në kontinentin Evropian. Renditja vjen kësaj here përmes gazetës ruse “Pravda”, e cila shfaq në faqet e veta një raport të fundit kompanisë gjermane të sigurimeve “Allianz”. “Në renditje, e cila përfshin të gjithë shtetet evropiane, Ukraina, referuar treguesit të fuqisë blerëse (purchasing power parity, PPP), qëndron para Moldavisë (461 dollarë për të punësuar) dhe Shqipërisë (796 dollarë). “Shqipëria dhe Moldavia shfaqen rregullisht nëpër sondazhe të ndryshme si vendet me të ardhura më të ulëta në Evropë”, shkruan e përditshmja politike ruse, duke iu referuar vendeve më të varfra në Evropë.
Pagat më të larta
Profesionistët me pagat më të larta sipas “Pravda”-s, jetojnë në Zvicër, Danimarkë dhe Norvegji. Zvicra është lider në rang evropian kur vjen fjala te paga mesatare me 7,110 dollarë. Pas saj në listë renditet Danimarka me 6,628 dollarë. E treta në listë renditet Norvegjia me 6,429 dollarë. Më të varfrit mes vendeve të pasura janë Italia dhe Malta, të ardhurat e të cilave të matura përmes fuqisë blerëse janë përkatësisht 2,826 dhe 2,591 dollarë amerikanë. Vendi më i pasur ndër të varfrit është Sllovenia, me pagë mesatare të matur me PPP 2,282 dollarë.
Papunësia
Shteti me numrin më të vogël të të papunëve rezulton Bjellorusia, ku sipas statistikave lokale norma e papunësisë është 0.6%. Nivele mjaft të larta të papunësisë vërehen në republikat e ish- Jugosllavisë: Maqedonia (31.4 përqind), Bosnja dhe Hercegovina (27.6 përqind), Serbia (23 përqind). Gjithsesi, raporti nënvizon se krahu i punës në këto vende është shumë më i kushtueshëm se në shtete si Bjellorusia apo Ukraina.
Remitancat
Paga mesatare në Ukrainë është ekuivalenti 841 dollarëve amerikanë, e matur në termat e fuqisë blerëse. Gjithsesi, vazhdon e përditshmja ruse, Ukraina, e renditur ndër vendet me të ardhura më të ulëta për punonjës, mbështetet te prurje të forta të ardhurash nga emigracioni. Gazeta thekson se ukrainasit dërgojnë në atdhe miliarda dollarë të ardhura të fituara në vendet ku punojnë, ndërkohë që në Shqipëri remitancat kanë rënë vazhdimisht vit pas viti. Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2012, ukrainasit që punojnë jashtë kufijve kanë dërguar në atdhe një total prej 4.8 miliardë dollarëve në formën e remitancave, shifër rreth 5% më e lartë se dërgesat e regjistruara për të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›