Shqipëria, miqësore me QipronKjo do të jetë ndeshja e katër miqësore me ishullorët e “Afërditës”, në tri të parat, kemi humbur dy (në Qipro) e barazuar një në Tiranë. Takimi i parë daton, më 19 gusht 1998, ku kemi humbur 3-2 në Nikosia, i dyti

Shqipëria do të luajë një miqësore me Qipron, më 12 gusht 2009, duke qenë kështu e treta për këtë vit, pasi me parë FSHF-ja ka fiksuar testime ndërkombëtare edhe me Gjeorgjinë (10 qershor 2009, në Tiranë) dhe Skocinë (në tetor ose në nëntor të këtij viti, data nuk është zyrtarizuar).
Kjo do të jetë ndeshja e katër miqësore me ishullorët e “Afërditës”, në tri të parat, kemi humbur dy (në Qipro) e barazuar një në Tiranë.
Takimi i parë daton, më 19 gusht 1998, ku kemi humbur 3-2 në Nikosia, i dyti është luajtur në Tiranë, më 15 gusht 2000 (0-0), ndërsa i treti dhe i fundit, më 18 gusht 2004, ku kemi humbur 2-1 në Qipro.
Miqësorja e fundit e Qipros është ajo kundër Sllovakisë (3-2, 11 shkurt 2009), ndërkohë që e fundit për Shqipërinë, është ajo kundër Azerbajxhanit (1-1, 19 nëntor 2008)-
Kombëtarja e Qipros drejtohet nga trajneri grek Angelos Anastiades, i cili është në bankinën blu qipriote që nga viti 2004.
Në takimin e fundit zyrtar, Qipro humbi 2-0 me Bullgarinë, ndërkohë që ai radhës është kundër Malit të Zi në Larnaka. Qipro është një ekip që nuk shënon shumë, vetëm 4 gola në pesë takime (golashënuesi më i mirë në këtë sezon është Michael Konstantinu, 2 gola, 31 vjeç).
Në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, Qipro ka grumbulluar vetëm 4 pikë pas pesë ndeshjesh dhe renditet në vendin e 4-t në Grupin 8, ku bëjnë pjesë edhe Italia (14 pikë), Irlanda e Veriut (12), Bullgaria (7), Mali i Zi (3) dhe Gjeorgja (3), kjo e fundit do të luajë një ndeshje miqësore me Shqipërinë, më 10 qershor.
Qipro renditet në vendin e 74-të në ranglistën e FIFA-s (muaji prill 2009), ndërkohë që Shqipëria është në vendin e 91-të. Të gjithë lojtarët që u thirrën për dy ndeshjet e fundit zyrtare kundër Gjeorgjisë e Bullgarisë luanin në kampionatin qipriot (6 lojtarë nga Apoel i Altin Haxhit).
Në Qipro luajnë dy lojtarë të ekipit aktual Kombëtar shqiptar, portieri Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta) e mesfushori Klodian Duro (Omonia), por në ishull aktivizohen edhe dy ish-lojtarë të tjerë, Altin Haxhi (Apoel) e Foto Strakosha (trajner portierësh te Apoel).
Këtë edicion kanë luajtur edhe Isli Hidi (Alki Larnaka) e Blerim Rrustemi (Alki Larnaka).
E Premte, 24 Prill 2009