Tirana, nisin ndeshjet e ferritI vetëdijshëm për forcën në rritje të Teutës dhe aftësitë e teknikut Sulejman Starova (një ish-trajner kampion me Tiranën), Kola paralajmëroi në “Ora Sport”: "Për ne çdo ndeshje është si finale, pasi nëse ne lufto

Tirana, kryesuesja e Superligës (55 pikë), do të përballet në fundjavë (java 29) me Teutën, ndaj skuadrës së cilës humbi në fazën e dytë (1-2) në kryeqytet. Në fakt, ishte formacioni durrsak, që i “dhuroi” bardhebluve kryesimin, pasi një javë më parë (java 28) mposhti në “Niko Dovana”, Vllazninë (1-0).
Kënaqësia e pikës
Tirana barazoi 2-2 me Partizanin në minutat e fundit (Xhafa shënoi në të 87’) dhe trajneri Agustin Kola u shpreh i kënaqur me pikën e marë, që i solli edhe avantazhin prej 1 pike ndaj Vllaznisë së vendit të dytë. “Gjithmonë Tirana-Partizani ka prodhuar emocione dhe në këtë ndeshje ata (Partizani) treguan se nuk e meritojnë atë renditje që kanë”. Partizani ndodhet në vendin e 8-të me 30 pikë, 25 më pak se Tirana.
Vlerësim për Teutën
I vetëdijshëm për forcën në rritje të Teutës dhe aftësitë e teknikut Sulejman Starova (një ish-trajner kampion me Tiranën), Kola paralajmëroi në “Ora Sport”: “Teuta është një ekip mjaft i mirë dhe këtë e ka drejtuar veten nga java në javë. Ka lojtarë të rinj, por cilësorë. Për ne çdo ndeshje është si finale, pasi nëse ne luftojmë për titullin, Teuta kërkon një vend në Kupën UEFA”.
Meraku për Vllazninë
Vllaznia është kundërshtari i madh i Tiranës si në kampionat (ndajnë vendet 1-2) ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë (përballen në gjysmëfinale, e para 0-0). “Vllaznia është e fortë dhe ajo ka pretendimet e saj, por për Tiranën fitorja është obligim deri në javën e fundit. Nuk ka mbaruar asgjë pasi jemi vetëm një pikë para. Edhe për ndeshjen e Kupës, Tirana duhet të shënojë e të fitojë që të shkojë në finale”. Tirana-Vllaznia (java 33) është edhe “finalja” e kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, ku do të njihet edhe fituesi.
E ardhmja e Osmanit
Mbrojtësi i njohur Tefik Osmani, nënshkroi gjatë merkatos së verës një kontratë 3-vjeçare me Tiranën, por ish-lojtari i Partizanit, për të cilin presidenti i bardhebluve, Refik Halili, shpenzoi 40 mijë euro për ta blerë nga të kuqtë, duket se nuk ndodhet aq rehat në kampin e 23-herë kampionëve. Në fakt, Osmani po vuan konkurrencën e ashpër të kroatit Toni Pezo (26 ndeshje, 2340 minuta aktivizim). Osmani, i cili më parë ka luajtur edhe në Ukrainë (Metalurg Zaporizhja), është aktivizuar në 22 ndeshje (1717 minuta në total). Sipas korçarit 23-vjeçar, e ardhmja e tij te Tirana varet nga vazhdimësia e presidentit aktual në krye apo jo të bardhebluve. Sipas “skemës me rotacion presidencial”, Halili duhet të largohet në fund të këtij sezoni dhe presidenca pritet të shkojë në duart e Shefikat Ngjelës.
Largimi i Agollit
Mesfushori i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli (26 ndeshje me Tiranën këtë sezon), do të luajë edhe dy ndeshje për ngjyrat bardheblu, pasi 26-vjeçari i huzuar nga skuadra finlandeze VPS, duhet të rikthehet në shtëpi brenda 30 prillit. Me skuadrën finlandeze, Agolli ka zhvilluar 31 ndeshje, duke shënuar 1 gol Tirana dështoi në blerjen e kartonit të ish-lojtarit të saj, kështu që Agolli do të luajë edhe në ndeshjen e kampionatit kundër Teutës (25 prill) dhe gjysmëfinalen e kthimit kundër Vllaznisë (29 prill). “Dua ta mbyll me nder, dhe do të ishte ideale të shënoja të paktën një gol e të ndihmoja ekipin të arrinte në finalen e Kupës”, - tha Ansi Agolli.
E Enjte, 23 Prill 2009