Blushi në rrugën e Pollos!Nga Mero BazeMë në fund Partia Socialiste filloi të debatojë rreth së ardhmes së saj. Pas daljeve të përditshme të zëdhënëses së Partisë Demokratike, pas maratonës televizive për dorëheqjen e Ramës në kullën e Frangajve, më
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Blushi në rrugën e Pollos!Nga Mero BazeMë në fund Partia Socialiste filloi të debatojë rreth së ardhmes së saj. Pas daljeve të përditshme të zëdhënëses së Partisë Demokratike, pas maratonës televizive për dorëheqjen e Ramës në kullën e Frangajve, më në fund dje u dëgjuan dy zëra racionalë nga brenda Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Arben Malaj. Të dy shihet qartë se synojnë të kandidojnë për kryetar të Partisë Socialiste, por që kanë një qasje të ndryshme ndaj garës.
Në shfaqjen e tij publike në gazetën “Panorama”, më e afërta aktualisht me koalicionin e ri qeveritar, Blushi është i qartë në piketat e tij. Ai është qartazi kundër asaj që Rama ka bërë para zgjedhjeve dhe asaj që po bën pas zgjedhjeve dhe shihet qartë se kërkon fushë të lirë pa Ramën konkurrent për të garuar për kreun e PS. Arben Malaj shihet qartë se mbetet për një garë pa kushte brenda PS dhe ka një gjuhë më të moderuar ndaj Ramës.
Sidoqoftë, të dy kanë dëshmuar kurajë dhe personalitet duke dalë në skenë, dhe duke detyruar së paku Berishën në mbrëmje të thotë që “nuk do merrem më me Partinë Socialiste”, edhe pse zëdhënësja e tij sapo ishte marrë në drekë.
Nëse shihen me seriozitet daljet e para publike të rivalëve në hije të zotit Rama, kuptohet qartë se Blushi është në vijën e parë dhe shumë i ashpër. Kësisoj, nëse ai nuk merr garanci paraprake që Edi Rama nuk do të kandidojë pas dorëheqjes së imponuar nga statuti, shihet qartë që Blushi nuk do të kandidojë përballë tij. Ai do të ndjekë pak a shumë atë linjë politike që ndoqi Genc Pollo kundër Berishës. Do të përpiqet të jetë një dëshmitar i rrezikshëm brenda Partisë Socialiste për autoritarizmin e Edi Ramës. Ai do të përpiqet t’u tregojë të gjithëve se është nisur për rrugë të gjatë dhe se Edi Rama nuk i ka hapur shtegun që të çon në krye të PS pa luftë dhe përpjekje. Edhe pse s’dua të bëj magjistarin, e shoh që tani tërheqjen nga gara të Blushit, kur Rama të deklarojë se do të rikandidojë pas dorëheqjes. Kësisoj, Blushi do të ndryshojë nga fati i Pollos vetëm nga fakti se ai do të rrijë brenda Partisë Socialiste dhe s’do të formojë parti tjetër. Ai do të jetë për katër vite, nëse opozita zgjat kaq, si një dëshmi e opozitës së ndarë e të përçarë dhe do të provojë të veshë kostumin e opozitarit ndaj kryeopozitarit.
Ngjashmëria tjetër me Pollon në këtë lëvizje të tij është dhe mbështetja mediatike. Njësoj si Pollo atëherë, Blushi bën kujdes të mos përdorë mediet më të afërta me të majtën kundër Ramës, por mediet më afër Berishës dhe Metës. TV Klan dhe gazeta “Panorama”, që përbëjnë praktikisht grupin e medieve proqeveritare me këtë koalicion, janë dhe vendi ku ai vetë ka zgjedhur të promovohet. Edhe pse shumë kritikë do t’i rekomandonin “Gazetën Shqiptare” apo Top Channel, Blushi me koshiencë ka zgjedhur medie që t’i ngrejë nervat opozitës dhe të ketë arsye të konfliktohet me njerëzit e Edi Ramës. I qartë se rruga e tij për në krye të PS nuk është çështje muajsh, as viti, ai po nis me ndërgjegje një rrugë të vërtetë për t’u bërë lider. Ai ka tashmë nevojë për staturën e kundërshtarit të Ramës, ka nevojë për modelin politik të tij dhe mbi të gjitha ka nevojë të mbijetojë në këtë betejë që do të zgjasë. Për të gjitha këto i duhet të shmangë garën përballë Ramës dhe ta kthejë atë në kapital politik. Është pak a shumë ajo që Pollo bëri me tërheqjen e tij nga kandidimi përballë Berishës, edhe pse deri në minutat e fundit u thoshte miqve dhe mbështetësve të tij se Berishës do t’i bjerë një telefonatë dhe do të largohet nga gara. Telefonata të tilla nuk bien kurrë, pasi mbi të gjitha telefona të tillë nuk ngrihen nga liderët tanë. Ben Blushi duket i qartë për të gjitha këto.
Shpresoj që beteja të mos ta lodhë dhe të mos ta zvogëlojë, që të mos ketë deri në fund fatin e Pollos, edhe për faktin se Blushi e ka shijuar ministrin e Arsimit dhe s’ia vlen t’i futet një beteje që do t’i kushtojë dhe opozitës, për aq pak sa deshi në fund Pollo. Ai është qartazi në rrugën e Pollos, por s’ka pse ndjek fatin e tij.