Veteranët e UÇK protestojnë duke hedhur granata në godinën e qeverisëNga Gazeta “Express”Protesta e veteranëve të UÇK, e organizuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK, është ashpërsuar dje. Ata thonë se janë të vendosur q
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Veteranët e UÇK protestojnë duke hedhur granata në godinën e qeverisëNga Gazeta “Express”Protesta e veteranëve të UÇK, e organizuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK, është ashpërsuar dje.
Ata thonë se janë të vendosur që në çdo mënyrë të arrihet deri te përmbushja e kërkesave të tyre.
Rreth orës 12, veteranët kanë hedhur shishe të mbushura me benzinë në oborrin e godinës së qeverisë së Kosovës.
Protestuesit po ashtu paralajmëruan se, nëse nuk mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë së Kosovës dhe të ndërmerret ndonjë vendim në favor të veteranëve, ata do radikalizojnë protestat.
Hedhjen e shisheve me benzinë në oborrin e qeverisë së Kosovës e paralajmërojë njëri ndër organizatorët, Vesel Aruçi, duke thënë se “nuk i lëmë në rrugë pjesëtarët e UÇK si të ishin lypsa”. “Do të shkojmë drejt e në Kryeministri me shishe benzine dhe do t’i gjuajmë makinave, me i djegë makinat e Kryeministrisë. Ashtu e kemi vendosur, ma kthim mbrapa nuk ka, hapi i parë është ky. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i lëmë më në rrugë kështu në formën e lypësit”, - tha Aruçi dhe shtoi se ata duan të kenë të drejtat e veteranëve si në çdo shtet të botës.
“Ne duam që ashtu siç i ka hije, të plotësohen kushtet tona, që i meritojmë, siç i ka të plotësuara çdo luftëtar nëpër vendet e botës”, - thotë Vesel Aruçi, anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky këshill është formuar së voni nga disa veteranë të pakënaqur me qeverinë dhe me vetë bashkëluftëtarët e tyre, të cilët përfaqësojnë shoqatat e tjera të luftës.
Aruçi tha se Këshilli po kërkon zbatimin e ligjit, i cili është miratuar 10 vjet më parë, e i cili asnjëherë nuk është praktikuar.
“Qeveritarët janë ulur në karrige dhe nuk po lodhen për njerëzit e luftës. Kurse ka prej tyre që ato karrige i kanë zënë me ndihmën e djemve tanë”, - u shpreh Aruçi.
Dy granata në oborr të qeverisë
Të paktën dy mjete shpërthyese janë hedhur në oborrin e qeverisë nga ana e veteranëve të luftës së UÇK.
Zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti, konfirmoi për “Express” se dy mjete që dyshohen se janë eksploziv, rreth orës 14, ndodheshin ende në oborrin e qeverisë.
Më herët ish-ushtarët e UÇK, të organizuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK, kishin hedhur kokteje molotovi në drejtim të objektit të qeverisë.
“Besohet se është hedhur edhe koktej molotovi dhe së paku dy mjete shpërthyese janë të pashpërthyera në oborr të qeverisë”, - tha Hoti.
Policia e Kosovës ka deklaruar se është duke pritur urdhrin nga prokurorët vendorë dhe ndërkombëtarë për arrestimin e të dyshuarve për hedhjen e bombave në oborrin e qeverisë së Kosovës, pasi pothuajse gjithçka është filmuar dhe ekzistojnë dëshmi të bollshme për të vërtetuar autorët e hedhjes së granatave.
Policia njofton se dy granatat janë marrë nga njësitë e specializuara të KFOR dhe janë larguar nga oborri i qeverisë.
Reagon qeveria: Sulme politike
Qeveria e republikës vlerësoi se, sulmi me bomba ndaj institucioneve shtetërore nga ana e individëve të caktuar me motive politike dhe antishtetërore është i dënueshëm dhe do ta marrë ndëshkimin e merituar ligjor dhe qytetar.
Në reagimin e qeverisë thuhet se është e drejtë e garantuar e çdo individi dhe grupi qytetar që të protestojë për çështje të ndryshme, por askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
Qeveria deklaroi se askush nuk ka të drejtë dhe nuk do t’i lejohet që t’i sulmojë institucionet e Republikës së Kosovës, të ndërtuara me gjak, djersë dhe mund të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Këto komente të qeverisë erdhën disa orë pasi disa pjesëtarë të ish-UÇK hodhën koktej molotovi dhe dy mjete eksplozivi në oborrin e qeverisë, të pakënaqur me statusin e tyre social.
“Në shtetin tonë të ri nuk ka vend për veprime të tilla të dhunshme, sepse ato janë në kundërshtim me traditën dhe moralin e popullit tonë liridashës”, - thuhet në reagimin e qeverisë.
“Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve tanë, u bëjmë me dije atyre që e kanë inspiruar, përgatitur dhe organizuar këtë sulm qyqar me bomba e koktej molotovi, se pushteti nuk fitohet me kërcënime e dhunë, por me vullnetin demokratik të qytetarëve tanë”, - thuhet në deklaratën e qeverisë.