E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në 4 vendet e para për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët”

28-12-2012 / Gazeta 55

Fokus/Viti 2012, vit i reformave të mëdha historike

Kryeministri Berisha tha dje se 2012-a ishte një vit i rëndësishëm pasi u miratuan reforma të mëdha historike. Në mbyllje të sesionit parlamentar, kreu i qeverisë vlerësoi votimin e reformave të mëdha siç është heqja e imunitetit, reforma zgjedhore dhe votimi i buxhetit për vitin 2013-ë. “Është një rast shumë i veçantë për mua të shpreh nderimin tim të madh, për punën e madhe që ka bërë ky tempull i demokracisë gjatë vitit 2012. Të shpreh vlerësimin tim për votimin e reformave të mëdha, por dhe historike në parlamentin shqiptar gjatë vitit që lëmë pas, siç ishte heqja  e imunitetit për të gjithë imunitarët e vendit, e cila e ka bërë Shqipërinë në këtë aspekt një vend me civilitet të lartë. Padiskutim reforma zgjedhore përbën dhe kjo një sukses të madh, jo se ligji që u ndryshua kishte probleme, ai ishte i standardeve më të mira, por ju garantoj se, çdo mandat do të ndryshojë për faktin se humbësi  fillon dhe grindet me ligjin. Ndaj dhe nuk mbetet alternativë tjetër, veçse ndryshimi i tij çdo katër vjet. Dua të falenderoj këtë parlament, që gjatë vitit 2012 miratoi me dhjetëra ligje, dekrete dhe vendime. Parlamenti i dha popullit dhe vendit një president me dinjitet, integritet, atdhetari dhe përkushtim të shkëlqyer. Parlamenti, iu dha institucioneve të tjera me votën e tij personalitete të shquara dhe shumë premtuese në veprimtarinë e këtyre institucioneve. Ky parlament ka një meritë të jashtëzakonshme, votoi buxhetin më të madh në historinë kombëtare të Shqipërisë”, theksoi kryeministri.
Berisha iu referua sërish raportit të SEDA, grupit të konsulencës së Bostonit i bazuar në 51 tregues të marrë nga Banka Botërore dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar, të ardhurat dhe shpërndarjen e tyre, arsimin dhe cilësia e tij, shëndetësia dhe cilësia e saj, infrastruktura dhe investimet në të, ujësjellësat, kanalizimet, telekomunikacioni, barazia gjinore ruajtja e mjedisit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimi i ligjit, indeksimi dhe të gjithë te tjerat ndër 10 fushat të vlerësuar të vlerësuar me 51 tregues.
Sipas kryeministrit, ky studim faktoi se modeli ekonomik i Shqipërisë funksionoi në mënyrë të shkëlqyer dhe është i vetmi model liberal, i cili ia doli të bëjë shpërndarjen më të mirë të të ardhurave për qytetarët. “Çfarë gjeti? Duke nxjerre prej këtij studimi dy koefiçentë. Koeficienti i parë, kthimi i pasurisë në mirëqenie për qytetarët, koeficienti i dytë, kthimi i rritjes ekonomike të pesë viteve të fundit në mirëqenie për qytetarët. Ky studim faktoi se modeli ynë ekonomik funksionoi në mënyrën më të shkëlqyer dhe se ndoshta është i vetmi model liberal, i cili ia doli të bëjë shpërndarjen më të mirë në botë në të ardhurat për qytetarët shqiptarë. Ky studim tregoi se kjo është në meritën tuaj që votuat reformë pas reforme, që bëtë të mundur konsolidimin e këtij modeli. Ky studim tregoi se Shqipëria renditet e katërta për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët e saj. Renditet e katërta, sepse Shqipëria në 6 vite, si asnjë vend tjetër, ka dyfishuar rrogat dhe pensionet dhe i keni votuar ju në këtë parlament. Shqipëria ia ka dalë në 6 vite të ketë një nga rekrutimet më të larta në Europë dhe në Botë të maturantëve në universitet e vendit. Ky studim klasifikon Shqipërinë si vendin që lë prapa 146 vende të planetit, sepse Shqipëria në një hark kohor të shkurtër ka investuar në rrugët, rrugicat e qyteteve dhe fshatrave të vendit  duke asfaltuar  10 mijë kilometra rrugë dhe më shumë. Ky studim rendit Shqipërinë të katërtën,  për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie  të qytetarëve të saj, sepse  Shqipëria këto vite ka bërë që 96 për qind e qytetarëve të saj të marrin ujë rubinete, sepse Shqipëria  këto vite ka bërë hapa gjigand të zhvillimit të energjisë së rinovueshme. Sot në Shqipëri  ndërtohen hidrocentrale më shumë se në gjithë rajonin të marra së bashku. Ky studim dëshmon se në Shqipëri të ardhurat dhe rritja ekonomike  kthehet në mirësi dhe mirëqenie për qytetarët, sepse në Shqipëri, krijimi i klimës së biznesit ka bërë që investimet e huaja në rast se janë pakësuar 37 për qind në botë janë rritur  316 për qind në Shqipëri. Ky studim lartëson Shqipërinë në vendin e katërt  në botë  për rritjen e mirëqenies për qytetarët, sepse Shqipëria ka krijuar një mjedis punësimi dhe krijimesh vendesh pune më të mirë, se çdo vend tjetër në Rajon dhe është i vetmi  vend i Rajonit ku papunësia ulet në mënyrë progresive ndërkohë që në vendet e tjera dyfishohej. Këto janë reformat që ju mbështetët dhe shkoni krenarë para çdo zgjedhësi dhe unë jam i bindur se, do të gjeni  zgjedhës në vështirësi, sepse sot përsëri ka zgjedhës në varfëri, ka zgjedhës në mjerim, ka zgjedhës të papunë, por nuk ka mjedis më shpresëdhënës sesa ky që dëshmon se kjo qeveri e modeleve më liberale mbi tokë, ka përkujdesjen më maksimale për shpërndarjen e të ardhurave dhe të rritjes ekonomike në favor të qytetarëve shqiptarë dhe të shoqërisë shqiptare. Ky studim fakton luftën pa kompromis kundër korrupsionit që ka bërë dhe bën kjo mazhorancë. Mbajeni ju statistikën e faqezive të korruptuar, por statistika e vërtetë  e  51 treguesve të zhvillimit të këtij vendi, tregon se Shqipëria është ngjitur në ato lartësi që nuk ka qenë kurrë”, deklaroi kryeministri.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›