E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet taksa për ndërtuesit,LSI bashkon votat me PD

 

BLEDAR HOTI

Socialistët kontestuan ligjin e qeverisë për uljen e taksës së firmave ndërtuese përpara marrjes së lejes së ndërtimit nga bashkitë dhe komunat. Nisma e qeverisë e kontestua nga ana e deputetëve socialistët, duke deklaruar se kjo bëhet vetëm për efekte elektorale. Ky ka qenë qëndrimi i mbajtur nga ana e dy deputetëve socialistë Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj në lidhje me ndryshimin pasi taksa, që paguhet në bashki zbret nga 1% në 0.1%. “Në mes të lojës ndryshonin rregullat e lojës, përpara marrjes së lejes së ndërtimit i ulni taksën nga 1 në 0.1. Ju i ofroni një dhuratë, jeni përpara zgjedhjeve zotëri, na jepni tani sqarime çfarë ka ndodhur që e ndryshoni?”, iu drejtua Majko specialistëve. Përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit u shprehën se një nismë e tillë ndërmerret për shkak të investimeve të mëdha në vlera dhe se taksa 1% mund të shkonte shumë për ato. Ky qëndrim nuk i ka bindur deputetët socialistë. Nënkryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj deklaroi se “kjo që po bëhet është një pazar i hapur i qeverisë”. “Duket fare e qartë se është një pazar për disa projekte, të cilat nuk keni ndërmend për 100 arsye, për arsye pazar, t’u jepni një shans, një 0,9 ta çoni diku tjetër.  Mund të jetë për qëllime elektorale, mund të jetë për ta futur në xhepat e dikujt, në ditët që do të vijnë me siguri do të dëgjojmë një histori të re siç kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre kohëve”, deklaroi Xhafaj. Kjo ka sjellë kontestimet nga ana e demokratëve, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet e ngritura. Deputeti demokrat Aldo Bumçi deklaroi se një hap i tillë ndërmerret për të nxitur investimet në vend. “Socialistët nuk kanë arritur të bëjnë kaq shumë investime dhe janë xheloz”, theksoi Bumçi. Ndërsa në votimin e këtij projektligji përveç demokratëve, pro votoi dhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Deputetët e tjerë të opozitës votuan kundër.
Ligji
Qeveria propozon ndryshimin në nenin 51 të ligjit “Për Urbanistikën”. “Për projektin e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, aerop-orteve, tuneleve, digave, ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshi makineritë dhe pajisjet për këto projekte, përpara marrjes së dokumentit të lejes së ndërtimit, paguhet 0.1 për qind e vlerës së investimit, që depozitohet për llogari të financimit të studimeve urbanistike të pushtetit vendor, por, në çdo rast, jo më e vogël se vlera e nevojshme për të financuar studimet, që pushteti vendor duhet të bëjë për këto investime të infrastrukturës, përveçse kur është parashikuar ndryshe në ligje të veçanta”, thuhet në amendimin e propozuar. Më parë kjo vlerë takse ishte 1 për qind e vlerës së investimit që shkon në llogari të Pushtetit Vendor. Ministria e shikon jo të logjikshme, pasi për investime madhore, pagesa prej 1 për qind e tejkalonte vlerën e studimit urbanistik. Amendimi ligjor, pas kalimit të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese do të paraqitet për votim në seancën plenare.

Kostoja e studimit
Qeveria e ka cilësuar si artificiale 1 përqindëshin, duke kërkuar uljen e saj, pasi ndërtimet strategjike realizoheshin në vende jo të pabanuara. Për koston e studimit, qeveria kishte parashikuar që firma t’i jepej njësisë së qeverisë vendore. Në relacion vendoset se nëse kostoja e studimit, që duhet të bëjë pushteti vendor për investimet në infrastrukturë është më e lartë, subjekti është i detyruar ta paguajë, detyrimisht vlerën e kostot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›