“Shqipëria në NATO, pasaporta më e sigurt e investimeve të huaja”
Intervistë e Kryeministrit Sali Berisha, pas përfundimit të Samitit
TIRANE - Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi dje pasdite në një intervistë ekskluzive, se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, do të rrisë besimin e investitorëve të huaj ndaj vendit tonë. Berisha tha ky zhvillim historik, përbën një pasaportë të re të këtij vendit, përbën një garanci dhe besim të ri të investitorëve të huaj tek Shqipëria.
Kryeministri tha se fakti që Shqipëria bëhet e anëtare e plotë e NATO, e bën më të zellshme, për vazhdimin e procesit të integrimit drejt Bashkimit Evropian, duke deklaruar se aplikimi i statusit kandidat nuk varet nga periudha kur zhvillohen zgjedhjet dhe se qeveria do ta bëjë veprim në sajë të një procesi negocimi.
Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota në samitin e NATO-s. Shumë e vonuar kjo prezencë. 18 vjet pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri dhe 42 vjet pasi kemi lënë Traktatin e Varshavës?
Së pari le të ndalemi te madhështia, rëndësia, e ditës së parë e Shqipërisë në NATO. Kjo përbën ditën më të rëndësishme, pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Për shqiptarët, një komb që kanë vuajtur dhe kanë paguar çmimin e problemeve të sigurisë së tyre. Një komb që me gjithë përpjekjet njerëzore që kanë bërë, mund të themi më së shumti kanë arritur të sigurojnë mbijetesën, në ditën e sotme hap një epokë të re, epokën e sigurisë së plotë të lirive të tyre, epokën në të cilën shqiptarët do të mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë në liri. Dita e sotme i jep fund një tranzicioni 18-vjeçar të Shqipërisë dhe e vendos vendin do të thosha në rrugën e kombeve dhe vendeve më të zhvilluara. Dita e sotme, e cila nisi me kalimin e urës së Evropës së bashku me të gjithë udhëheqësit më të shquar të Evropës dhe botës, përbënte një moment simbolik. Ç’ka do të thotë se shqiptarët nuk do të jenë më në rrugën tyre të vetmuar. Nuk do të jenë vetëm.
A e meritojmë të jemi përkrah vendeve të tjera me standarde shumë të larta se ne dhe më shumë të certifikuara?
Më lejoni të garantoj se anëtarësimin e kemi merituar plotësisht. Theksova në fjalën time dhe po e theksoj edhe këtu: sot është një ditë krenarie që kemi ndjerë ndonjëherë në jetën tonë. Por sot është dita e mirënjohjes më të thellë. Në këto vite, Shqipëria e cila e filloi vite dritë larg vendeve të lira. E cila e filloi dekada të tëra, mbrapa të gjitha ish diktaturave të tjera komuniste dhe ia doli në një hark kohor, krahasuar nga ia nisi, relativisht të shkurtër, të meritojë një vlerësim kaq të madh dhe të bëhet anëtare e plotë. Por ju rikujtoj këtu vetëm përgjigjen që i dha presidenti Obama pyetjes së gazetarit nga Shqipëria. Presidenti Obama deklaroi se jemi krenar për reformat dhe arritjet e Shqipërisë dhe se Shqipëria ka bërë reforma të jashtëzakonshme dhe të suksesshme. Çfarë ishte kjo ditë? Ishte vlerësimi më i madh i besimit të thellë tek reformat që Shqipëria ka kryer dhe ka ndërmarrë. Në këtë kontekst të jeni i sigurt se jashtë meritës ky proces nuk mund të ecte deri në këtë ditë, sikundër pa mbështetjen e madhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të tjera sigurisht.
Ky proces që është përmbyllur më 1 prill dhe u certifikua më 4 prill, është një proces, të cilin ju do të tentoni t’ia quani një meritë krejtësisht tuajën, pra të kësaj mazhorance, apo ka meritë edhe ish opozita?
NATO-ja, anëtarësimi në të, vjen si rezultat i një përpjekjen të madhe të shqiptarëve gjatë këtyre viteve, dhe nuk mund të mohohet kontributi i mëparshëm, sidomos me kartën e Adriatik 3, nuk mund të mohohet çdo kontribut i dhënë. Pa rrëzimin e murit të krimit të organizuar, dhe luftën kundër korrupsionit dhe reformat e tjera serioze të kësaj qeverie, anëtarësimi në NATO do të mbetej në horizont. Pra, rëndësi përcaktuese krahas mbështetjes së qeverisë së SHBA-ve, ka pasur suksesi i reformave të kësaj qeverisje, serioziteti i madh i dëshmuar në këto reforma.
Do të jemi më të sigurt me anëtarësimin në NATO, por nuk mund të themi që mund të jemi më të mirë ekonomikisht, më të mbështetur, me njom jetë më të mirë...
Absolutisht që mund të thuhet! Sepse anëtarësimi në NATO, përbën një imazh të ri të këtij vendi, përbën në pasaportë të re të këtij vendit, përbën një garanci dhe besim të ri të investitorëve të huaj tek Shqipëria. Pak vite më parë, çdo investitor dhe biznesmen, nga të katër anët e botës, kur shihte hartën ta zëmë një vend të sigurt, por përreth me konflikte, ai e kishte të vështirë të vinte të investonte në Shqipëri.
Tani, Shqipëria, ka këto dhe ato burime, është vend anëtar i NATO-s, është pasaporta më e sigurt për investitorët e huaj.
Kishte një veto insistuese të Turqisë deri në pasdite për të mos lejuar zgjedhjen Rasmunsen në postin e Sekretarit të NATO-s, për arsye që lidheshin me karikaturat e Profetit Muhamet në Danimarkë, dhe reagimin që ato ngjallën në botën islame. Kishte mjaft komentatorë të NATO-s, që pyesnin nëse Shqipëria, duke qenë me mazhorancë myslimane, kishte në mendje të votonte kundër apo të bllokonte zgjedhjen Rasmunsen?
Nuk ka pasur asnjë rezervë, përkundrazi ne e kemi pritur me kënaqësinë më të madhe kandidaturën e kryeministrit Rasmunsen, të cilin unë e njoh personalisht dhe të cilit i kemi garantuar mbështetjen e plotë, por edhe mediat, se e vërteta është që mediat ndërkombëtare më pyesnin se çfarë qëndrimi do të mbajë Shqipëria. Mirëpo Shqipëria kishte një qëndrim shumë të qartë dhe jemi të bindur se çështja e atyre karikaturave nuk kishte asnjë lidhje me qeverinë daneze. Ishte një karikaturist danez, që i bëri ato, por qeveria nuk ka pasur asnjë lloj lidhjeje, ajo ka qenë e detyruar të respektojë lirin e shprehjes. Sikundër nuk di të ketë pasur një veto turke, pavarësisht se e ekzagjerojnë mediat. Mund të them se që në mëngjes në bisedimet që kam pasur me udhëheqësit e NATO-s nuk konceptova se kishte veto, por ishin disa probleme në diskutim e sipër, të cilat me dialogun me autoritetet turke u zgjidhën.
Ju keni takuar kryeministrin spanjoll, Zapatero. Cili ka qenë shkaku i takimit?
Si fillim, mund të them se ishte një takim shumë miqësor. Takimi ishte i kërkuar nga unë, sepse i konsideroj shumë të rëndësishme marrëdhëniet e Shqipërisë me Spanjën dhe se Spanja është një vend kryesor i Bashkimit Evropian, e cila 6 mujorin e parë të vitit që vjen merr presidencën e BE dhe që kam interes të veçantë të nxis investimet spanjolle në Shqipëri. Pra ishin një kompleks faktorësh, për të cilat unë kërkova takimin. Natyrisht në takim, unë parashtrova të gjitha pikëpamjet e mia, për Kosovën, si faktor paqeje dhe stabiliteti. Kryeministri Zapatero, parashtroi pikëpamjet e tij. Për çështjen e Kosovës, Spanja i përmbahet ende ligjit ndërkombëtar dhe në këtë koncept nuk është se pati ndonjë zhvillim të ri, por u zotuam se lidhur me këtë çështje do të zhvillojmë dialogun.
A kishte takime të tjera, përveç takimeve të përshëndetjes?
Ishte më shumë se çdo gjë tjetër, ditë përshëndetjesh, mora urime nga Presidenti Obama, nga kryeministri anglez Gordon Broën, nga kancelarja gjermane Merkel, nga presidenti francez Sarkozi, nga kryeministri i Greqisë Kosta Karamanlis dhe nga të gjithë të tjerët që ishin të pranishëm.
Në takimet, që ishin të shumta, ishim në një ambient të përbashkët të gjithë, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, dhe çështja më kryesore ishte çështja e urimeve, sot ishte dita e urimeve.
Si do të ndikojë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në hapat e mëtejshme të integrimit në BE?
Do të ndikojë jashtëzakonisht në mënyrë pozitive. Nuk mund të them se janë direkt të lidhura, por do të shtoj se janë të lidhura me mijëra fije dhe sigurisht anëtarësimi në BE kërkon konsolidimin e një seri kriteresh standardesh, të domosdoshme, por fakti që Shqipëria ka të finalizuar ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga të gjitha vendet anëtare, fakti që Shqipëria ka një raport pozitiv nga KE, fakti që Shqipëria merr pjesë në të gjitha misionet e BE, në Çad në Bosnje e gjetiu, fakti që Shqipëria bëhet e anëtare e plotë e NATO, të gjitha këto janë zhvillime pozitive që e bëjnë atë të përzgjedhshëm për vazhdimin e procesit të integrimit.
A do të insistoi për ta paraqitur kërkesën e Shqipërisë në BE, para zgjedhjeve të 28 qershorit?
Çdo gjë ne e bëjmë në një proces negocimi. Ajo çka unë duhet ti garantoj qytetarët, është se në të gjitha takimet me bashkëbiseduesit e mi edhe me kryeministrin Zapatero edhe me të tjerë, gjej mbështetje të plotë për konceptin se procesi i integrimit është një proces i pandalshëm. Kjo ka një rëndësi të veçantë. Lidhur me hapat, shpejtësinë apo ngadalësinë e tyre, ndërhyjnë një serë faktorësh, por ky është dhe do të jetë një proces i pandalshëm.
Jeni të predispozuar ta dorëzoni kërkesën përpara zgjedhjeve?
Unë nuk e lidh më zgjedhjet. Ajo që unë pranoj se lidhet me zgjedhjet, është se zgjedhjet duhet të jenë një dëshmi e plotë e politikës shqiptare, e qytetarëve shqiptarë, për angazhim e tyre për përkushtimin e tyre, për arritjen e standardeve në zgjedhje. Garantoj këtu se zgjedhjet do të jetë të lira dhe të ndershme. Kam ftuar dhe vazhdoj të ftoj nga të gjitha vendet vëzhgues. Nuk shoh asnjë arsye që të mos zhvillojmë zgjedhje sipas standardeve, madje shoh të gjitha mundësitë që këto të jenë zgjedhjet më të mira që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë në historinë e tyre.
Marrë me shkurtime nga TV Klan