Lampard dëshiron vetëm Çelsin
Mesfushori i Çelsit, Frank Lampard, nuk ka plane të largohet pavarësisht se po kalon një fazë të pakëndshme në “Stamford Bridge”. Lampard raportohet se ishte larguar drejt tunelit kur trajneri Andre Vilas-Boash kishte përdorur mesfushorin 18-vjeçar Xhosh MekIshran si zëvendësim të tretë në fitoren ndaj Suonsi Sitit. Në të vërtetë, Lampardit i ishte dhënë leje të shkonte në dhomën e trajtimit dhe madje kishte bërë një stërvitje të lehtë në fushë pas fitores. Ai nuk po arrin të rigjejë formën tij më të mirë pas qëndrimit jashtë fushe sezonin e kaluar për shkak të një dëmtimi, por burime të afërta me Lampard thonë se ai është i përkushtuar të kthejë formën te Çelsi. “Objektivi i Frank është të punojë fuqishëm dhe t’u dëshmojë të gjithëve se e kanë gabim. Dhe kjo është ajo çfarë ai do të bëjë. Ai nuk ka probleme me Çelsin dhe e do klubin. Sigurisht që ai nuk dëshiron të largohet”, ka thënë burimi për “Daily Mail”.