E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, në prag të pezullimit

Shqipëria është në prag të pezullimit nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, qofshin këto në rang përfaqësuesesh apo klubesh. Në paraditen e sotme, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të mblidhet në Zyrih për të diskutuar disa nga problemet madhore që shqetësojnë sportin e top-këmbës. Pas paralajmërimeve që nuk kanë sjellë asnjë reagim konkret nga pala shtetërore, konflikti ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Sporteve (MTKRS) ka arritur në pikën kulmore.

Vendi ynë rrezikon seriozisht të fshihet nga harta e futbollit botëror, pasi FIFA është e shqetësuar rreth situatës që vazhdon prej afro tre vitesh në vendin tonë. Krerët e "qeverisë" së futbollit botëror mendojnë se Ministria e Sporteve kërcënon pavarësinë e federatës, duke e sulmuar atë vazhdimisht me akuza për shitje ndeshjesh, por edhe me kërkesa për audit të brendshëm financiar. FIFA ashtu sikurse edhe UEFA kanë përsëritur mbështetjen e tyre për FSHF-në, madje duke i caktuar afate palës shtetërore për t‘u tërhequr nga të gjitha pretendimet. Ndalimi i menjëhershëm i auditit ishte një ndër kërkesat kryesore e dy organizatave më të mëdha ndërkombëtare. Sipas tyre, këto kontrolle janë jolegjitime dhe tendencioze, për shkak të luftës politike në futboll. Një tjetër kërkesë që i është drejtuar MTKRS-së është edhe dorëzimi i fakteve pas akuzave në adresë të kreut të federatës, Armand Duka, se ai kishte dorë në shitjen e ndeshjeve të kombëtares. Në qendër të sulmeve ishin dy takimet e fundit në eliminatoret e Euro 2008, ku kuqezinjtë kanë humbur me Bjellorusinë dhe Rumaninë. Gjithsesi, në këtë pikë, UEFA ka mbajtur një qëndrim zyrtar dhe nëpërmjet zëdhënësit të saj, Uilliam Gajard ka bërë të ditur se asnjë ndeshje e eliminatoreve të Euro 2008 nuk dyshohet si e manipuluar. Çështja e fundit ka qenë ajo e firmosjes së statutit të FSHF-së: ministri Ylli Pango ka hedhur firmën në "biblën e futbollit"... por, me disa ndryshime të pamiratuara nga Asambleja e Futbollit dhe nga FIFA e UEFA. Bëhet fjalë për nenin ku parashikohen të drejtat që zotëron ministria në kontratat financiare dhe të ardhurat që përfitohen nga të drejtat televizive apo sponsorizimet. MTKRS kërkon që federata t‘i nënshtrohet legjislaturës shqiptare, duke mos gëzuar të drejtat ekskluzive mbi këto të ardhura, por t‘i përfitojë ato në formën e delegimit nga ana e shtetit, megjithatë ndërkombëtarët nuk e kanë parë me sy të mirë as këtë lëvizje.

Të gjitha këto elemente, si edhe thyerja e afatit të vendosur (sheshimi i kontradiktave brenda datës 21 shkurt) kanë bërë që dosja e Shqipërisë të shqyrtohet në Ekzekutivin e FIFA-s. Përveç vendit tonë pezullimin e rrezikon edhe Spanja, pasi qeveria e këtij vendi akuzohet se rrezikon pavarësinë e federatës iberike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›