Xhevdet Delijaj, kampion ndërkombëtar i Gjermanisë vetëm pas 38 sekondash
Xhevdet Delijaj është shpallur Kampion Ndërkombëtar i Gjermanisë në Thai Boxing, titull i cili qëndron një shkallë më poshtë se Kampioni i Evropës. Në fundjavën e kaluar, sportistit nga Deçani i kanë mjaftuar vetëm 38 sekonda për të mposhtur rivalin e tij, turkun me nënshtetësi gjermane, Tarik Kuzuçu. Një arritje kjo mjaft e rëndësishme për Delijajn, i cili bëhet në këtë mënyrë i pari sportist kosovar që fiton një titull ndërkombëtar pas shpalljes së pavarësisë. Me sigurimin e brezit të kampionit ndërkombëtar të Gjermanisë, nëse ecuria e tij në sfidat e ardhshme do të jetë e suksesshme, atëherë ai do të mund të ketë mundësinë që të pretendojë edhe titullin kontinental. Taiboksieri kosovar është ngjitur në ringun profesionist të Duisburgut i shoqëruar nga duartrokitjet e panumërta të mbështetësve të tij. Delijaj nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim fitoren, pavarësisht faktit se përballë kishte një kundërshtar shumë të rrezikshëm (në vitin 2005, Kuzuçu kishte arritur të bëhej nënkampion i botës në versionin WKA) dhe se ekspertët gjermanë "votonin" për fitoren e sportistit turk. Megjithatë, ai jo vetëm që nuk tregoi frikë, por pas disa sulmeve të koordinuara mirë, në dukje jo aq të rrezikshme, e me një goditje të shpejtë dhe të fuqishme me këmbën e djathtë në mjekrën e kundërshtarit arriti ta hedhë në tapet vetëm pas 38 sekondave dyluftim. Edhe në dhjetor të vitit 2007, Delijaj kishte arritur të siguronte një fitore shumë të shpejtë: kundër Sven Amend, sfidën eliminatore ishte mbyllur vetëm pas 1 minute e 23 sekondave.
Pas përfundimit të ndeshjes, Delijaj tha se këtë titull ia dedikonte vendit të tij, Kosovës, por edhe të gjithë kombit shqiptar. "Në radhë të parë ndihem shqiptar dhe Kosova është një shtet i dytë i shqiptarëve. Unë jam i ri dhe nuk kam arritur të kontribuoja ndryshe për lirinë e vendit dhe popullit tim, përveçse duke qenë i suksesshëm në sport, tha ai. Ndihem shumë i lumtur që me këtë fitore arrita t‘i bëj një dhuratë simbolike shtetit tim, që ka më pak se një muaj jetë". Triumfi i Delijajt ka befasuar shumë ekspertë të Thai Boxing në Gjermani, edhe sepse kjo ishte hera e parë që kosovari dyluftonte në arenën ndërkombëtare. Më parë, ai kishte garuar vetëm me kundërshtarë gjermanë, ku në 26 takime ka dalë fitimtar në 24. Entuziast për këtë fitore është shprehur edhe trajneri dhe njëkohësisht menaxheri i tij, Klaus Vashkevitz: "Të them të drejtën, një fitore kaq të shpejt të Delijajt ndaj Kuzuçus nuk e prisja. Kishim bërë përgatitje intensive, sepse për të kjo sfidë kishte një rëndësi të veçantë. Deri më tani kishte qenë i suksesshëm, duke mposhtur shumë kundërshtarë, por i mungonte titulli. Por, ja që ia arritëm, e kaluam pragun e parë ndërkombëtar. Nëse vazhdon kështu, shumë shpejt Delijaj do të boksojë për titullin e kampionit të Evropës dhe do t‘i sjellë vendit të tij një titull edhe më të madh".