Bukureshti, ja cfare pritet te ndodhe
Në Tiranë, Shkup dhe Dubrovnik ka filluar numërimi
mbrapsht. Deri në mesditën e së enjtes së 3 prillit, kur
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, të artikulojë
zyrtarisht paragrafin e pranimit të vendeve të A3. Dhe
gjithçka do ta mbyllë goditja mbi tavolinë e çekiçit
të tij dhe fjala e vetme: "pranohen". Burimet
diplomatike thonë se nuk pritet të ketë asnjë surprizë
të minutës së fundit. Pasi prej javësh është hartuar e
gjithë skema, kalendari dhe pjesa e ceremonialit si dhe protokolli i pranimit. Mbetet vetëm regjistrimi i gjithçkaje në celuloid dhe përhapja e saj në eter. Kilometri zero është vetëm çështje ditësh. Kur kanë mbetur më pak se 20 ditë nga takimi i
Bukureshtit, nëpër zyrat ushtarake dhe ato politike të
NATO-s dhe atyre të vendeve anëtare, ka nisur të
shkëmbehet ai që quhet kalendari i punimeve të samitit
të prillit. Për të gjithë ata që nuk e njohin
strukturën dhe funksionimin e mekanizmit të NATO-s jam
i shtrënguar t‘u bëj me dije se çdo samit i radhës i
Organizatës i fillon përgatitjet 9 deri në 12 muaj
përpara. Burime ushtarake nga Brukseli përcjellin
sinjale se Samiti i Bukureshtit mundet të jetë ai i
transformimit edhe më rrënjësor i Organizatës dhe se
në kryeqytetin rumun pritet të skicohet fytyra e re e
grupimit veri-atlantik. Synimi i drejtuesve të lartë
ushtarakë është që ta kthejnë organizatën në një
makineri më të lehtësuar dhe të zhdërvjelltë me
kapacitete e mundësi ndërhyrjeje në vatra krizash, apo
në situata me terroristë e terror. Duket pra se
strategjitë e reja pritet të marrin dritën jeshile nga
takimi i Bukureshti dhe kanë të bëjnë kryesisht me
perfeksionimin e rolit të ri që NATO ka marrë
veçanërisht në këto 7-8 vitet e fundit. Por përtej
kësaj linje bazë të punimeve të prillit, duket se
axhenda parashikon edhe disa çështje më specifike si
situata në Afganistan, çështja delikate e raketave,
përgatitjet deri në Samitin jubilar të Berlinit dhe
zgjerimin. Kjo e fundit është parashikuar të zhvillohet
në mesditën e 3 prillit sipas një skeme të njohur edhe
më parë në raste të tilla pranimesh. Për secilin nga
vendet aspirante do t‘u ekspozohet të pranishmëve në
seancë një sinops i arritjeve politike, ushtarake si
dhe të përmbushjes së detyrimeve të këtij vendi ndaj
Aleancës së Atlantikut Verior. Nuk pritet të ketë
diskutime, ndërhyrje apo aq më tepër votë kundër apo
diskutim mbi votën. Gjithçka është ndërtuar me kujdes
paraprakisht nëpër zyra e kancelari, në rrugë
diplomatike e zyrtare, nëpër takime dypalëshe e
shumëpalëshe, përmes një korrespondence të njohur e të
fshehtë. Seanca e 3 prillit pritet të jetë kështu vetëm një formalitet, i cili do të shoqërohet me disa shtesa
kushtesh që vendet tashmë të pranuara në letër duhet
të axhustojnë deri në pranimin de facto të tyre. Ajo që
mund të komplikojë ecurinë normale të kësaj seance
pritet të jetë qëndrimi i delegacionit grek në lidhje
me kandidaturën e Maqedonisë. Por burime diplomatike
janë të mendimit se skema edhe në këtë rast është
paracaktuar. Nuk do të ketë një veto të minutës së
fundit, por ndoshta vetëm një "tërheqje vëmendjeje ndaj
Shkupit" për gjetjen e një zgjidhjeje që do të kënaqte
të dyja vendet deri në anëtarësimin e plotë të
Maqedonisë. Periudha deri në ratifikimin e protokollit
mund t‘i mjaftojë Shkupit dhe Athinës të gjejnë një
zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet. Por flitet
gjithashtu që mundet që kjo të ndodhë edhe gjatë
punimeve të samitit, ku me ndërmjetësimin e disa të
fuqishmëve të Organizatës të arrihet një kompromis i
çastit të fundit. Periudha e post Bukureshtit njihet në praktikën e NATO-s si segmenti i raundeve të bisedimeve mes
secilit vend tashmë anëtar i ri dhe vetë organizatës. Janë 5 raunde bisedimesh, gjatë të cilave parashtrohen detaje teknike, shtohen kërkesa dhe kushte, vihen afate dhe merren përsipër detyrime dypalëshe e reciproke. Aleanca është e detyruar të shpejtojë përfundimin e këtyre raundeve, në mënyrë që në prag të samitit jubilar të 60-vjetorit të NATO-s, që pritet të zhvillohet në pranverën e 2009-ës, në Berlin, gjithçka të jetë gati. Në mbyllje të raundeve të bisedimeve mes Aleancës dhe vendeve të sapopranuara nënshkruhet një protokoll-marrëveshje, teksti i së cilës është tip dhe përmban detyrimet që rrjedhin nga të qënurit anëtar i Aleancës. Etapa e fundit mbetet ratifikimi i këtij projekt-protokolli nga parlamentet respektive të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Çka do të thotë që tremujori i parë i 2009-ës i gjen përfundimisht të tria vendet e A3 anëtare me të drejta të plota të Aleancës së Atlantikut Verior. Gjithsesi rruga deri në 2 prill është shumë e shkurtër. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bëjmë gati kamerat dhe fjalimet përshëndetëse. Për më pas kemi kohë.