Çmimet dhe monedhat që po turbullojnë botën
Euro vazhdon të mos ndalet në raportet e saj me dollarin amerikan. Duke shtangur të gjithë ekspertët dhe tregjet financiare, dje euro preku një rekord të ri historik, të paimagjinuar asnjëherë deri tani duke u këmbyer me 1.56 USD. Tashmë të gjithë po rezervohen të bëjnë parashikime se deri ku do të arrijë monedha evropiane. Rekorde të frikshme për pasojat që mund të ketë në ekonominë botërore po prek dhe nafta, çmimi i të cilës arriti dje në 110 USD/baril, ndërkohë që parashikimet afatshkurtra e afatmesme nuk janë aspak optimiste. Në sens krejt të kundërt po rrëshqet dollari amerikan që me gjithë politikën monetare lehtësuese të Rezervës Federale Amerikane (FED) dhe planin special të mbështetjes së ekonomisë amerikane, plan që kap shifrat e 160 miliardë dollarëve, përsëri nuk po arrin të stabilizohet duke humbur vazhdimisht pikë jo vetëm në raport me euron, por edhe me shumë monedha të tjera. Kështu p.sh., për herë të parë që prej 13 vjetësh dollari ra nën nivelin e 100 yen japonezë duke reflektuar kështu frikën e madhe të bursës japoneze për një rënie në recesion të ekonomisë amerikane. Edhe vetë bursat dhe tregjet financiare, mbas një frymëmarrje të lehtë të ditëve të fundit, u tronditën përsëri këto dy ditët e fundit duke humbur 2-5% të vlerës së titujve të tyre. Treguesi Nikkei në Tokio ra 3.33%, Bombei 4.51%, CAC 40 në Paris 2.3%, bursa e Londrës 1.9%, Frankfurti 2.41% etj.
Përjashtim nga kjo tendencë e konsideruar tashmë si "strukturore e afatgjatë" nuk po bëjnë as çmimet e produkteve agroushqimore dhe lëndëve të para, të cilat që prej dy vjetësh kanë hyrë në një trend rritës që po bëhet shumë shqetësues jo vetëm për vendet e varfra dhe ato në zhvillim, por edhe për vetë vendet e pasura e të zhvilluara të botës. Tashmë llogaritet se vetëm në 30 muajt e fundit çmimet e tyre janë rritur në nivele që variojnë nga 20-80% duke i prekur ndjeshëm buxhetet e konsumit të një pjese të konsiderueshme të konsumatorëve të planetit. Edhe në këtë drejtim shqetësimi ndërkombëtar është i madh dhe shumë vende e qeveri kanë filluar të mendojnë e veprojnë me shpejtësi për të ndërtuar skenarë krizash e përcaktuar masat imediate dhe afatgjatë për përballimin e tyre. Koha e ushqimeve të bollshme e të lira duket se ka përfunduar. Në horizont kërkohen nga të gjithë reforma strukturore radikale në mënyrë që mbas disa vjetësh të arrihet përsëri në një ekuilibër të pranueshëm ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregjet agroushqimore botërore.
Në sens krejt të kundërt po reagon çmimi i arit, që si pasojë e dobësimit të dollarit, rritjes së çmimit të naftës dhe frikës ndaj rritjes në shkallë të gjerë në ekonominë botërore të inflacionit, dje për herë të parë kaloi nivelin rekord të 1000 USD/onc. Ekspertët janë pothuajse të gjithë dakord tashmë se çmimi i arit do vazhdojë të rritet dhe ndoshta brenda vitit 2008 do të dyfishohet si pasojë e rolit të tij si vlerë stabël në periudha të turbulencave ekonomike. Frika ndaj shfaqjes së inflacionit shqetësues në ekonominë amerikane dhe atë botërore, sipas ekspertëve "po ushqehet nga politika agresive e uljes së përqindjes bazë të interesit nga FED, e cila po kërkon me çdo mjet që të mbështesë aktivitetin ekonomik në SHBA". Sipas Michael Darda, të MKM Partners të Grwwnwich (Connecticut, SHBA), "FED po i shumëfishon uljet e përqindjes së interesit për të dalë nga kriza e kreditit por rezultati më i mundshëm duket një inflacion akoma më i fortë, gjë që po e provon jo vetëm rritja e çmimit të arit, por edhe rritja e gjithë çmimeve të lëndëve të para që kuotohen në dollarë amerikanë". Rekordin e fundit ndaj dollarit ari e ka arritur në vitin 1980, vit në të cilin 1 onc ar u këmbye me 850 USD. Më vonë çmimi i tij zbriti deri në 300 dollarë për të filluar një spirale ritëse këta dy vitet e fundit si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, rënies së dollarit dhe krizës së tregjeve financiare. Ndërkohë, shumë ekspertë të tjerë si p.sh., Frank Holmes i U.S.Global Investors (Texas) mendojnë se "çmimi aktual i arit, përveç reflektimit të çmimit të naftës bruto po ndikohet edhe nga riciklimi i petrodollarëve, sepse vendet eksportuese të naftës po i riinvestojnë paratë e tyre në euro, yen dhe ar".
Por rritja e vlerës së euros nuk do të thotë automatikisht se evropianët ndihen të lumtur e të sigurt për ekonominë dhe fuqinë blerëse të tyre. Me sa duket kohët e lirisë absolute monetare po mbarojnë. Ditët e fundit, pothuajse të gjithë drejtuesit e lartë evropianë janë vënë në një linjë për të denoncuar vlerësimin e euros përballë dollarit amerikan. Sipas Jean-Claude Juncker, Kryeministër i Luksemburgut, që është njëkohësisht dhe President i Eurogrup-it (grupimi i ministrave të financës të zonës euro), "në situatën aktuale ne ndihemi shumë të shqetësuar nga rritja e vlerës së euros…tregjet reagojnë në raport me indikatorët afatshkurtër, por ne duhet të shikojmë thelbin e fenomenit". Për herë të parë evropianët duken konsensualë kur është fjala për rreziqet që mund të shfaqen si pasojë e forcimit të euros dhe dobësimit të vazhdueshëm të dollarit. Edhe gjermanët që vazhdimisht kanë përkrahur euron e fortë këtë radhë i janë bashkuar grupit duke u solidarizuar me shqetësimet.
Ndaj Bankës Qendrore Evropiane po shtohen presionet në favor të një aksioni për uljen e vlerës së euros, ulje që mund të realizohet nëse BQE do të ulte përqindjen bazë të interesit për euron. Edhe rezultatet e fundit të rritjes ekonomike në Evropë të publikuara nga Eurostat tregojnë për një rënie të ritmit të rritjes së ekonomisë, konsumit dhe eksporteve evropiane. Në tremujorin e katërt të vitit 2007 rritja ekonomike ishte 0.4% nga 0.7% në tremujorin e tretë, konsumi u zvogëlua me 0.1% ndërkohë që eksportet u rritën vetëm 0.8% në raport me 2.1% të një tremujori më parë. Por BQE vazhdon t‘i qëndrojë besnike objektivit të saj për "stabilitetin e çmimeve dhe kontrollin e inflacionit". Duke pranuar paqartësitë e mëdha të shkaktuara nga kriza financiare mbi ekonominë e zonës euro, Trichet, Presidenti i BQE nënvizon se "rreziqet inflacioniste kanë tendencë të rriten në një periudhë afatmesme, sidomos nën ndikimin e rritjes së çmimit të naftës dhe lëndëve të para agroushqimore". Duke e konsideruar stabilitetin e çmimeve si "prioritetin më të madh për BQE" konform mandatit të saj të fiksuar në traktatin e Maastricht-it, BQE vendosi para disa ditësh që të mos e ndryshojë normën bazë të interesit për euron duke e ruajtur atë në nivelin 4%. Duke absorbuar një pjesë të rritjes së çmimeve të produkteve të kuotuara në dollarë amerikanë si p.sh., nafta bruto, euro e fortë ka avantazhin që të ndikojë në uljen e inflacionit në zonën euro. Por nga ana tjetër, BQE vlerëson se rritja e euros është pasojë e zhvlerësimit të dollarit dhe politikës së FED-it. Trichet deklaronte para disa ditësh se "kishte shënuar me shumë kujdes deklaratat e autoriteteve amerikane, përfshirë këtu dhe Presidentin Bush, sipas së cilave një dollar i fortë është edhe në interes të vetë SHBA". BQE dhe evropianët po presin një konkretizim të shpejtë të këtyre deklaratave.
Por lajmet përtej Atlantikut nuk duken aq optimiste. Me gjithë masat e marra nga FED dhe qeveria amerikane, përsëri dollari vazhdon të zhvleftësohet dhe ekonomia amerikane nuk po jep shenja të qarta stabiliteti e rritjeje. Për herë të parë që prej shumë muajsh, vetë Presidenti Bush shfaqi shenja shqetësimi të hapura për ekonominë amerikane. Në një intervistë ne televizionin PBS, pyetjes nëse ai dëshironte një dollar më të fortë, Bush ju përgjigj "absolutisht po... nuk është aspak lajm i mirë që euro e kaloi kufirin e 1.55 dollarëve", gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë që prej krijimit të saj në vitin 1999. Uashingtoni i trembet një spiraleje inflacioniste që mund të provokohet nga zhvlerësimi i mëtejshëm i dollarit. "Një nga arsyet pse unë jam në favor të një dollari më të fortë - nënvizon Bush - është sepse unë besoj që kjo mund t‘i ndihmojë njerëzit të përballojnë inflacionin… dobësimi i dollarit i ka dobësuar kapacitetet tona në blerjen e energjisë duke e bërë naftën më të shtrenjtë për amerikanët". Asaj që Shtëpia e Bardhë i trembet më shumë është rritja e mosbesimit të investitorëve ndërkombëtarë ndaj aktiveve amerikane, gjë që mund të provokojë një problem serioz për financimin e deficitit të SHBA, sidomos në raport me investitorët kinezë që blejnë pjesën dërmuese të borxhit publik dhe deficitit amerikan. Tashmë politikës tradicionale amerikane të këmbimit të quajtur "benign neglect", d.m.th "asaj të "neglizhencës së butë" në raport me dollarin duket se po i vjen fundi. Shprehjes së famshme të një funksionari të lartë amerikan se "dollari amerikan është monedha jonë, por problemi juaj" duket se po i bashkohet përgjigjja e një drejtuesi evropian se "dalëngadalë dollari po bëhet edhe problem i SHBA". Kjo situatë e paqartë financiare ndërkombëtare që po afekton tashmë gjithë ekonominë botërore ka detyruar pesë bankat më të mëdha qendrore të botës që të bëjnë një aleancë urgjente dhe të veprojnë me shpejtësi. FED-I, BQE, Banka Qendrore e Zvicrës, Banka e Kanadasë dhe Banka e Anglisë janë bashkuar në një veprim të përbashkët për të furnizuar tregjet financiare me likuiditetet e nevojshme.