E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria, në rrugë të mbarë”

12-10-2012 / Gazeta 55

Flet Europarlamentarja Doris Pack: “Mbarëvajtja e zgjedhjeve të 2013-s do sjellë negociatat për anëtarësim në BE”
 
Europarlamentarja Doris Pack në një intervistë për “Dojçe Vele” deklaruar se Shqipëria është në rrugë të mbarë pas daljes së konkluzioneve të progres-raportit të vitit 2012 të komisionit për Zgjerim në BE. Eurodeputetja Pack ka theksuar se opozita ka refuzuar të jetë pro reformave në sistemin e drejtësisë, megjithatë, është treguar optimiste për të ardhmen.
“Ata mund t’ia dalin. Më në fund duhet të arrijnë forma të tjera, ligje të tjera në sektorin e drejtësisë në sektorin e administratës dhe në sektorin e punës parlamentare. Këto janë parakushte dhe njihen prej tyre me kohë. Për fat të keq muajt e fundit opozita ka refuzuar bashkëpunimin në këto çështje. Shpresoj që ky të jetë një sinjal për gjithë parlamentin që t`i realizojë këto detyra. Megjithatë, kjo do të thotë se (shqiptarët) të shpresojmë, me gjasa, fitojnë statusin e kandidatit; kjo nuk do të thotë se fillojnë negociatat. Ato do të nisin në rast se vitin e ardhshëm zgjedhjet shkojnë mirë, kur të jetë vërtetuar se ka vullnet politik për të folur njëri me tjetrin, sepse ajo që na konstatojmë në Shqipëri të gjithë si negative dhe që na tremb është sjellja njëri me tjetrin, edhe në parlament e jashtë tij. Mendoj se në këtë pikë ata kanë shumë gjëra për të mësuar, mungon pjekuria politike. Lidhur me këtë ka ende gjëra për të bërë, por shpresoj shumë që tani ta kenë kuptuar se statusi i kandidatit është i arritshëm dhe kur është siguruar ai me gjasa ka edhe më shumë vrull për t`u marrë edhe me çështjet e tjera”, është shprehur ajo.
Më pas europarlamentarja Pack është shprehur se Këshilli do të ndjekë propozimin e Komisionit për zgjerim në BE.
“Dhe në qoftë se mbërrijmë te dhënia e statusit kandidat, në qoftë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet që sapo përmenda, atëherë do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm dhe pastaj do të shohim sesi ka ndryshuar apo edhe nuk ka ndryshuar klima politike, dhe vetëm atëherë do ta formojë opinionin Këshilli, nëse ky vend është i pjekur sa duhet për të nisur negociatat. Pra, zgjat edhe ca. Le të presim edhe pak. Këtë nuk e përjashtoj dot, por mendoj se Komisioni veproi mirë duke dhënë këtë sinjal. Ndoshta kjo i ndihmon ata që qeverisin dhe opozitarët që në këtë mënyrë të bëjnë përpara”, thekson Pack.
 Dhe për sa i takon zbardhjes së ngjarjeve të 21 janarit 2001, eurodeputetja shprehet se procesi po zvarritet, por shprehet e sigurt që në fund çështja do të zbardhet.
“Problemi është që situata ishte shumë e acaruar, që shumë muaj pas zgjedhjeve opozita nuk mori pjesë në qeverisje dhe organizonte vazhdimisht protesta. Dhe në kuadër të protestave të tilla masive , një proteste masive të tillë, ngjau edhe që disa vetë humbën jetën. Këtu pyetja është: Kush e ka fajin? Është disi pyetja e zinxhirit shkakor: Ç`ishte në fillim, pula apo veza?”, shton më tej ajo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›