Kuvendi zgjedh Lefterie Lleshin kryetare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

PS s’merr pjesë në votim, mazhoranca voton e vetme me 73 vota “pro”. Kryeministri Berisha vlerëson trupën e re dhe falënderon ish-anëtarët e KQZ-së
Për herë të parë në histori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të drejtohet nga një grua. Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi dje me shumicë votash Lefteri Lleshi kryetare të KQZ-së, përballë kandidaturës tjetër, Marsida Xhaferllari. Kandidatura e Lefteri Lleshi mori 73 vota “pro”, ndërsa opozita, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, nuk mori pjesë në votim. Gjithashtu, ligjvënësit votuan edhe për anëtarët e KQZ-së.
Fillimisht janë votuar me konsensus kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj, si dhe kandidatët e propozuar nga Partia Socialiste Albana Shtylla dhe Denar Biba. Konsensus politik morën edhe kandidaturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilirjan Muho dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Jani Jani. Përpara hapjes së votimit për të gjitha çështjet e diskutuara gjatë seancës së djeshme parlamentare, përfshirë këtu dhe anëtarësinë dhe kreun e rit të KQZ, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e ish-kryetarit të KQZ-së, Arben Ristanit gjatë mandatit të tij në krye të këtij institucioni, duke theksuar se ai, me një vendosmëri, me civilitet e qytetari, përballoi vështirësi të jashtëzakonshme të krijuara nga tensione politike të pa merituara që u adresuan drejt tij.
Kreu i qeverisë vlerësoi edhe dy kandidaturat që u votuan në parlament për kreun e KQZ-së, Lefteri Lleshi dhe Marsida Xhaferllari, të përzgjedhura mes 18 aplikantëve. Kryeministri tha se këto dy zonja kanë marrë pjesë dhe në procese zgjedhore të tjera dhe kanë treguar integritet dhe profesionalizëm, duke i garantuar ato se kanë vlerësimin e palëkundur të qeverisë për punën e tyre të përgjegjshme. Në përfundim të diskutimeve, Kuvendi votoi për dy kandidaturat zyrtare, ku pas votimit Lefteri Lleshi mori 73 vota “pro”. Kjo është hera e parë që klasa politike ia beson drejtimin e këtij institucioni një gruaje, ndërsa për më shumë se 20 vjet demokraci ky institucion është shigjetuar fort nga pala humbëse në proceset zgjedhore.