E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memorial për dëshmorët e rënë në Kosovë

12-10-2012 / Gazeta 55

Komiteti Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje, në Komitetin për 100 vjetorin e Pavarësisë, se fryma e kremtimeve për këtë shekull pavarësi do jetë uniteti kombëtar për të vlerësuar sakrificat e shqiptarëve për liri e dinjitet, kudo, në të gjitha trojet shqiptare. Kryeministri theksoi se 100 vjetori duhet të shërbejë si një thirrje për një vështrim tërësor të sakrificës së shqiptarëve për liri e dinjitet, kudo ku ka ndodhur dhe kudo që ata janë. Ai vlerësoi punën e deritanishme në kuadër të kësaj ngjarje madhore, ndërsa informoi se sot në Kosovë janë dy ngjarje të mëdha: vendosja e shtatores së Ali Ibrës dhe Isa Boletinit në Gjakovë, ndërkohë që veprimtari të rëndësishme janë parashikuar edhe në Shkup, i cili ka qenë edhe epiqendra e shqiptarëve.
Kryeministri kërkoi që të ngrihet edhe një monument kushtuar dëshmorëve të kombit, që ranë në Kosovë, pasi sipas tij liria e Kombit është një dhe e pandashme dhe ky do jetë koncepti udhëheqës në nderimin e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike shqiptare. “Të vazhdojmë të mendojmë për çka është e domosdoshme që të nxirret më në pah ne kemi Monumentin “Nënë Shqipëri” kushtuar dëshmorëve të kombit, por nuk ka një monument kushtuar dëshmorëve të kombit që ranë në Kosovë pa të cilën ne pavarësinë do ta festonim si një trup gjysmë të paralizuar. Nuk ka një memorial kushtuar atyre, kjo luftë e bashkoi kombin në traditën më të mirë të tij, në përpjekjen për çlirim për të përballuar spastrimin etnik dhe dëbimet masive të shqiptarëve nga Kosova dhe kjo duhet të bëhet element monumental”, theksoi kryeministri Berisha, i cili shtoi se është në interesin më të mirë kombëtar që sakrificat kombëtare t’i shprehim në këtë mënyrë.
“Nuk mund të pranojmë që të mbetet lokale apo në banesën e harresës liria kombëtare është një dhe e pandashme. Ky do jetë koncepti që do na udhëheqë ne në nderimin shqiptarëve në të gjitha trojet etnike shqiptare. Fatmirësisht shqiptarët janë shumicë etnike aty ku janë dhe vazhdimësi gjeografike”, vijoi më tej Berisha.
Ai apeloi për një rivlerësim tërësor, unik të sakrificës kombëtare për liri e dinjitet për 100 vjetorin, ndërsa shprehu dakordësinë e tij me propozimin që himni kombëtar të kthehet në formën e tij më të plotë ashtu siç është shkruajtur nga Asdreni, me gjithë strofën e hequr nga ateistët. “Himni të kthehet në formën e tij më të plotë, apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë sepse dashuria për kombin dhe vendin buron nga fryma e zotit. Kombi dhe Zoti janë një e të pandarë”, përfundoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›