E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në stad pjekurie politike dhe maturie demokratike”

26/05/2010 Kryeministri Sali Berisha koment për të drejtat e njeriut dhe të opozitës

Shefi i ekzekutivit i referohej edhe protestës së opozitës në Tiranë

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje, gjatë takimit me kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, njëherësh zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, respektin që shqiptarët kanë ndaj parimeve thelbësore të lirisë së njeriut. Edhe pse nuk iu referua drejtpërdrejt situatës së vështirë politike në Shqipëri, kreu i Qeverisë ka lënë të kuptohej se Qeveria që ai drejton ka respektuar në të gjitha mënyrat protestën e opozitës shqiptare. “Shqipëria dhe shqiptarët tashmë kanë arritur në një stad pjekurie politike dhe maturie demokratike, që i lejojnë të ecin përpara me sukses duke respektuar shtetin ligjor e Kushtetutën, si dhe njëkohësisht të drejtat e liritë e qytetarëve dhe të opozitës në veçanti”, ka deklaruar shefi i ekzekutivit gjatë këtij takimi. Në njoftimin e bërë publik nga zyra e shtypit pranë Kryeministrisë, në këtë takim është biseduar mbi zhvillimet më të fundit në rajon, ku Qeveria e Tiranës ka luajtur një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin. Por qëndrimi i Kryeministrit Berisha ndaj të drejtave dhe lirive të qytetarëve, dhe në mënyrë të veçantë të opozitës, duke respektuar shtetin ligjor e Kushtetutën, lehtësisht lë të kuptohet se ky përkufizim i referohej ngërçit dhjetëmujor politik në vendin tonë. Kreu i Qeverisë, duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe linjës politike të ndjekur nga opozita, ka theksuar shpeshherë se ai respekton të drejtën e protestës. Sipas tij, Qeveria ka për detyrë që ajo të marrë të gjitha masat e nevojshme për të qetësinë dhe sigurinë gjatë protestave të opozitës. Por shefi i ekzekutivit gjatë ditëve të grevës së urisë ka qenë tepër kritik ndaj lidershipit të Partisë Socialiste, të cilët sipas tij, nuk kanë lejuar shërbimin shëndetësor zyrtar të jepnin ndihmën e specializuar. Dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se gjatë të gjithë periudhës së protestës dhe grevës së urisë së opozitës, e cila u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes selisë së Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, ka ruajtur të pacenuar dimensionin njerëzor ndaj deputetëve dhe qytetarëve, të cilët u ngujuan në çadër. “Për asnjë moment nuk kanë qenë fjalimet e tyre emocionale, që të më kenë krijuar ndjenja të tjera, përveçse ndjeshmërisë njerëzore për ta. Për asnjë moment nuk kam menduar ndryshe, përveç respektit të plotë të së drejtës së tyre, duke ndier keqardhje reale njerëzore”, ka thënë ai. Berisha ka komentuar grevën e urisë të ndërmarrë nga opozita, duke u nisur nga këndvështrimi njerëzor. Duke folur para deputetëve demokratë, ai tha se kishte ndier keqardhje në mënyrë të veçantë për fëmijët, si të nënave, por ashtu edhe të baballarëve, që ishin ngujuar në çadrën e urisë. Kryeministri, i pyetur shpeshherë në lidhje me grevën e urisë së opozitës, ka deklaruar se vendimet për ngujim u përkisnin atyre personave që ishin pjesë e opozitës.

Konflikti politik për transparencën e zgjedhjeve

Pas zgjedhjeve politike të qershorit 2009 dhe certifikimit të tyre, Partia Socialiste dhe aleatët e saj në opozitë kërkuan transparencën e zgjedhjeve, duke pretenduar manipulime të mëdha nga ana e Qeverisë. Opozita bojkotoi Parlamentin dhe zhvilloi protesta të shuma në qytete të ndryshme të vendit, duke kërkuar nga Qeveria bërjen e transparencës së zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave. Por kjo u refuzua kategorikisht nga mazhoranca parlamentare dhe Qeveria e saj. Ndaj pretendimeve të opozitës, Qeveria shprehej se zgjedhjet ishin certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë dhe sipas këtyre, ishin “zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri”. Po ashtu, Qeveria ka vlerësuar se është gati të bëjë transparencën, por duke respektuar Kushtetutën, ligjet që rrjedhin prej saj dhe vendimet e gjykatave, të cilat nuk lejojnë hapjen e kutive të votimit. Konflikti u ashpërsua. Pas ndërhyrjes së Këshillit të Evropës, opozita theu bojkotin dhe u kthye në Parlament, por për të dalë sërish. Pakica parlamentare nisi një grevë urie nën moton “Hap kutitë ose ik”, por Qeveria nuk pranoi. Për zgjidhjen e konfliktit ndërhynë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Negociatat mes mazhorancës dhe opozitës

Situata e vështirë detyroi BE-në të ndërhyjë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje politike. Për të kapërcyer ngërçin, kryetari i eurodeputetëve të djathtë në Parlamentin Evropian, Joseph Daul dhe homologu i tij i majtë, Martin Schulz, organizuan një darkë pune në Strasburg me Kryeministrin Berisha dhe kryesocialistin Rama. Gjithashtu morën pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule; drejtori për Ballkanin, Pierr Mirel; kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, eurodeputeti Eduard Kukan; zëvendëspresidenti i Grupit të Majtë evropian, Hanes Svoboda. Darka në Strasburg nuk dha asnjë rezultat, por ishte pika e nisjes së dialogut mes mazhorancës dhe opozitës. BE-ja ka dhënë dy javë kohë për arritjen e kompromisit, që duhet të jetë afatgjatë.

Zhvillimi ekonomik

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim të veçantë drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë INTRALOT dhe anëtar i Bordit Drejtues të kompanisë INTRACOM, Costantinos Antonopoulos, i cili shprehu interesin e grupeve që ai përfaqëson për të shtrirë më tej aktivitetet e tyre në Shqipëri. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Antonopoulos theksoi se “është performanca e mirë ekonomike dhe zhvillimi impresiv i Shqipërisë, që ka ngjallur interes të këtyre grupeve të mëdha për të shtrirë aktivitetin edhe në Shqipëri”. Projektet për të cilat këto grupe janë të interesuara kanë të bëjnë me qeverisjen elektronike, me produkte të teknologjisë së telekomit, sisteme mbrojtëse elektronike, sisteme elektronike për administrimin publik, si dhe në fushën e ndërtimit. Interes tjetër i grupit INTRALOT është pjesëmarrja në lotarinë nacionale që do të hapet së shpejti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›