E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria në zi, 6 shqiptarë mes viktimave në Greqi! Kudo flamujt në gjysmë shtizë

Të gjitha institucionet shqiptare si dhe ambasadat shqiptare të akredituara në mbarë botën ulën sot flamurin në gjysmë shtizë në shenjë nderimi për viktimat e aksidentit tragjik të 1 marsit në veri të Greqisë. Përplasja e një treni me pasagjerë dhe një treni mallrash shkaktoi 57 të vdekur mes të cilëve 6 shqiptarë.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka konfirmuar se 6 shqiptarë humbën jetën nga përpalsja e dy trenave në Greqi, teksa u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike!

Në këtë ditë zije një lutje e veçantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident: Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo”, shkruan Xhaçka.

Një nga viktimat shqiptare në aksidentin në Tempe të Greqisë ishte edhe Denis Ruçi, 22 vjeç, nga Tirana.

Denis Ruçi

Studentja shqiptare Ifigjenia Micka, 23 vjeç, gjithashtu ka humbur jetën në aksident. Ajo udhëtonte bashkë me partnerin e saj, i cili mundi t’I mbijetojë plagëve. Familjarët dhe të afërmit  i kanë dhënë lamtumirën e fundit 23-vjeçares, varrimi i të cilës u bë në vendlindjen e saj, Giannica.

Ifigjenia Micka

Shqiptari Pavlin Bozo, 60 vjeç, humbi jetën nga përplasja e dy trenave. 60-vjeçari me origjinë nga Lushnja punonte në barin e një prej vagonave në trenin e pasagjerëve që u përfshi në aksident. Edhe natën që ndodhi ngjarja e rëndë, ai ka qenë në krye të detyrës duke iu shërbyer pasagjerëve.

Pavlin Bozo

Edhe Presidenca ka ulur flamurin në gjysmështisë, ku presidenti Bajram Begaj shkruan se vendi është “sot në zi për të gjithë viktimat që humbën jetën në aksidentin tragjik të trenave në Greqi”.

Shqipëria është sot në ditë zie dhe ka ulur flamurin kombëtar në gjysmë shtizë në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Greqi, ku humbën jetën 57 persona, mes të cilëve edhe 6 shqiptarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›