E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, Vrasja e Xhevat Demirit, dëshmitari okular ndryshon dëshminë

Dëshmitari okular i vrasjes së shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri, vepër për të cilën akuzohen anëtarët e Bandës së Lushnjës, ka ndryshuar deklaratën e tij, duke thënë se ishte në gjumë në momentin e ekzekutimit të viktimës. I thirrur për të dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë ditës së djeshme, Benet Gjyla ka pohuar se, në momentin e krimit të ndodhur në vendin e quajtur Kthesa e Blerimit, ndodhej në një furgon me viktimën dhe bashkëshorten e tij, por e kishte zënë gjumi dhe nuk ka parë asgjë. Ndërkohë, gjatë hetimeve të prokurorisë, Gjyla kishte deklaruar se kishte parë me sytë e veta gjithë ngjarjen, duke identifikuar si autorë të krimit disa prej të akuzuarve si pjesëtarë të Bandës së Lushnjës, mes tyre edhe Aldo Baren dhe Enver Dondollakun. “Ishim në plazh me Xhevatin dhe bashkëshorten e tij, Mimoza. Rrugës më zuri gjumi dhe, kur ka ndodhur vrasja, nuk kam parë asgjë. Jam zgjuar nga të bërtiturat e Mimozës, e cila thoshte: “Më vranë burrin”, - ka pohuar gjatë dëshmisë së tij Benet Gjyla, duke mos bërë përgjegjës për këtë vepër asnjë prej të akuzuarve.

Seanca

Përveç dëshmisë së Benet Gjylës, gjatë seancës së djeshme gjyqësore ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të bandës kriminale të qytetit të Lushnjës, janë vënë përballë njëri-tjetrit dy dëshmitarë të tjerë, të cilët kanë dhënë versione të ndryshme për ngjarjen. Arben Kicja, i cili mban edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, është vënë përballë dëshmitarit Lorenc Hajdari. Nëpërmjet videokonferencës, Kicja, që ka parë me sytë e tij vrasjen e Demirit, ka bërë përgjegjës për këtë vepër të pandehurit që po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ka pohuar se autorët i njeh dhe Lorenc Hajdari. Por, ky i fundit është shprehur para trupit gjykues se, në vendin ku ndodhej, nuk shihej asgjë. “Unë i njoh të pandehurit si lushnjarë, por jo si autorë të vrasjes së Demirit”, - ka thënë ai. Përballja e dëshmitarëve është shoqëruar dhe me reagimin e ashpër të të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës, të cilët kanë ushtruar në mënyrë të hapur presion ndaj dëshmitarit Lorenc Hajdari.

Dëshmia e gruas së Demirit

Vetëm një muaj më parë, në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe gruaja e shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri, Mimoza Demiri, e cila ka përfituar edhe statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë. Ajo është pyetur për më shumë se tri orë nga ana e organit të akuzës, si dhe mbrojtësit e të pandehurve, duke treguar me detaje ngjarjen e 3 gushtit të vitit 1997, ku mbeti i vdekur bashkëshorti i saj, shok i ngushtë me Artur Dajën, vrasësin e vëllait të kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare. “Më 3 gusht të vitit 1997 ishim duke udhëtuar me makinën tonë, kur në dalje të qytetit të Lushnjës na ndaluan katër persona të armatosur. Mes tyre ishte dhe Aldo Bare. Personat e armatosur ishin të veshur me uniforma policie, por nuk kishin kapele në kokë. Pa hezituar ata qëlluan mbi Xhevatin, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, u larguan me makinën e Arben Boriçit”, - rrëfeu në dëshminë e saj Mimoza Demiri. “Burrin tim ma vrau Aldo Bare, Enver Dondollaku, Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi. Por as sot nuk e di arsyen pse ma vranë para syve”, - pohoi në dëshminë e saj bashkëshortja e Xhevat Demirit, e cila është cilësuar si bashkëpunëtore e drejtësisë dhe mbrohet nga shteti. Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Rexhep Gina dhe Erion Cici janë të pandehurit që po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda si pjesëtarë të Bandës së Lushnjës. Në këtë proces gjykohen dhe Agur Jorgo Muzaka, i cili ndodhet në burgjet greke, si dhe Arian Aliçko, i shpallur në kërkim

Si u ekzekutua shqiptaro-maqedonasi Xhevat Demiri

Shqiptaro-maqedonasi Xhevat Demiri, së bashku me gruan, Mimozën, si dhe disa persona të tjerë po udhëtonin me një furgon në drejtim të Lushnjës, në vendin e quajtur Kthesa e Blerimit katër persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të Demirit duke e lënë të vdekur në vend. E veja e shqiptaro-maqedonasit, Mimoza Demiri dhe dëshmitari Arben Kicja, të cilët mbajnë statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, kanë identifikuar si autorë të vrasjes, kapon e Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, krahun e tij të djathtë, Enver Dondollaku, Ilir Stërgun dhe Afrim Hoxhën, të cilët pas krimit janë transportuar me makinë nga Arben Boriçi. Sipas prokurorisë, Demiri është vrarë për hakmarrje, pasi kishte miqësi me Tur Dajën, armikun e përbetuar të Aldo Bares, të cilit i kishte vrarë vëllain. Për vrasjen e Xhevat Demirit më 3 gusht 1997, si dhe krime të tjera të kryera në kuadër të bandës së Aldo Bares, në kafazin e hekurt janë ulur Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Rexhep Gina, Agur Jorgo Muzaka, Arian Aliçko dhe Erion Cici

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›