Shpjegime për moshapjen e hetimeve për Hajdarin
Dje ishte pamundur të lidheshim me Flamurin. Ishte mërzitur që reporteri i “Antenës” kishte shkruar batutën e Jemin Gjanës, se po të lejoheshin misrat pa kokrra në Kuvend, do futej dhe Flamur Noka. Kjo na e komplikoi skemën dhe morëm masa ndaj reporterit, por zemërimi i Flamurit nuk u zbut. Ku nuk e kërkuam. Më në fund e gjetëm në telefon.
- Ku je? - e pyesim.
- Ja kemi këto festimet për dhjetëvjetorin e vrasjes së Azemit, - tha.
- Po pse u thoni festime dhe jo përkujtime? - i tha “Antena”.
- Po kështu e kanë bërë këta të Ministrisë së Kulturës, o mixhë. Le që për shumicën e tyre festë ka qenë vrasja e Azemit, se atëherë ishin me Fatos Nanon. E di unë ç’duan ata, po ç’t’i bëj atij burrit.
- Po mirë, se deshëm të pyesim, si do të bëhet që të rihapen hetimet, së paku të zbardhet motivi i vrasjes së Azem Hajdarit?
- Nuk bëhet o mixhë, nuk kemi faj. E kemi premtuar vërtet, po ti e di si na ndodhi me Dhori Sollakun. Ai na tradhtoi. Ai nuk donte që të ikte nga pushteti, kur erdhëm ne. Na hëngri dy vjet kohë, për dy vjet u mbush Shqipëria me hajdutë. Nuk ngeli njeri pa vjedhur, se kë dënonim ne, e mbronte ai. Le kriminelët që na bënin zbor. Ne nis policat, këta dhe shefat tanë të mëdhenj njoftonin kriminelët me sms dhe s’i kapnim dot.
- Po ja, tani që u ndërrua Sollaku, pse s’e bën Rama?
- Jo, nuk duam ta bëjë kjo. Nuk duam t’i japim merita që s’duhet t’i ketë kjo. Kur e premtuam, nuk kishim parasysh këtë, kishim parasysh një prokurore tonën. Po e zbuloi kjo, i merr meritat Bamiri dhe na prish punë. Aq duan pastaj ata, po na morën dhe meritat për Azemin. Nuk ua jep ai burri ato atyre kurrë.
- Po si do ta mbani premtimin, po nuk e bëri dhe Ina Rama, se kjo është dhe katër vjet?
- E dimë që është dhe katër vjet, por ne do të jemi në luftë me të dhe ajo s’ka për ta hapur atë çështje. Dhe po e hapi, do ta akuzojmë, se do ta manipulojë. Kështu që s’ka interes.
- Por nuk është pak vonë pas 4 vjetësh?
- Më mirë vonë se kurrë o mixhë. Pas katër vjetësh vijnë këta të KOP në PD dhe ata s’e kanë njohur Azemin. Atyre mund t’ua lësh si të duash motivin. S’kanë asnjë përgjegjësi. As ne s’kemi më faj pastaj, se do t’i kem dorëzuar çelësat gjer atëherë.