E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila.

24 mars 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ngushëlloi sot përmes një telegrami ngushëllimi familjarët e punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, të rënë një ditë më parë në krye të detyrës, në fshatin Shemri të Kukësit.

“Të nderuar familjarë,

Me lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë për ndarjen e papritur nga jeta të të dashurve tuaj Shkëlzenit dhe Ramadanit, të rënë teksa kryenin detyrën e tyre në mbrojtje të sigurisë e rendit të qytetarëve shqiptarë.

Rënia në krye të detyrës e dy punonjësve të policisë është një humbje e madhe për familjet por edhe për kolegët e gjithë qytetarët e këtij vendi që mbështesin forcat e rendit në misionin e tyre të përditshëm në mbrojtje të rendit e sigurisë së të gjithëve.

Si President i Republikës, por edhe si qytetar, nxis të gjitha strukturat shtetërore që të vendosin sa më parë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarje që tronditi mbarë opinionin. Reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi të pashembullt do jetë përgjigja më e mirë që i jepet cdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës, por edhe mirënjohja për ata që u flijuan teksa e kryenin këtë detyrë.

Duke ju përcjellë edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta, ju siguroj se të gjithë qytetarët e këtij vendi ndihen krenarë për punën e të dashurve tuaj dhe ndajnë me ju solidaritetin e thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›