E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ngjit një shkallë, kuqezinjtë tashmë të 96-t

Renditja e FIFA-s

Vetëm pak orë përpara miqësoreve ndërkombëtare të së mërkurës, FIFA ka publikuar renditjen për muajin mars. Sipas përllogaritjeve të reja, përfaqësuesja shqiptare tashmë ndodhet në vendin e 96-të, duke u ngjitur një shkallë më lartë. Fakti interesant është se skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe ka fituar një pozicion, edhe pse humbi një pikë në krahasim me muajin shkurt: momentalisht ndodhet në kuotën e 335 pikëve. Ngjitja në renditjen botërore ka bërë që rrjedhimisht kuqezinjtë të fitojnë edhe një vend në renditjen kontinentale (atë të UEFA-s), ku pozicionohen të 40-tët, menjëherë pas Islandës dhe përpara Estonisë. Irlanda e Veriut, kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e së mërkurës u ngjit me një pozicion dhe tashmë ndan vendin e 39-të së bashku me Republikën e Irlandës. Ndërkohë, për sa u takon kundërshtarëve të Kombëtares sonë në Grupin D eliminator të Euro 2012, vetëm Franca nuk ka lëvizur. “Gjelat” vazhdojnë të jenë mes 10 më të mirave, më specifikisht në vendin e 7-të, pas Spanjës, Brazilit, Holandës, Italisë, Gjermanisë e Portugalisë. Rumania renditet e 36-ta, duke përparuar me dy shkallë, Bosnja ka humbur një pozicion dhe tashmë ndan vendin e 49-të me Venezuelën, Bjellorusia ngjitet në vendin e 79-të, ashtu si Luksemburgu, që me +2 pozicione e sheh veten e 126-ta në klasifikim.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›