E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri Kuzhe: I kënaqur për paraqitjen përballë irlandezëve

Deklaratat Kapiteni Lala, humor me çështjen Mavraj: E vras në ndeshjen Bokum-Hanover në Bundesligë

Trajneri Josip Kuzhe është shprehur mjaft i kënaqur për paraqitjen e Kombëtares shqiptare, në fitoren 1-0 të arritur të mërkurën përballë Irlandës së Veriut. “Pas pjesës së parë isha shumë i kënaqur, pasi skuadra luajti mirë”, deklaroi tekniku kroat për “SuperSport”. “I shkaktuam vështirësi Irlandës së Veriut dhe krijuam disa raste për shënim. Ndërsa në pjesën e dytë bëmë disa ndryshe dhe lojtarët treguan pak lodhje”. Për rikthimin e kapitenit Lala, Kuzhe shtoi: “Lala ishte i shkëlqyer, jam shumë i lumtur për rikuperimin e tij. Kam parë disa ndeshje të kapitenit, por ai nuk kishte luajtur asnjëherë me Kombëtaren për aq kohë sa isha unë. Sigurisht që Altini është i rëndësishëm për skuadrën në eliminatoret e ardhshme, jo vetëm si lojtar, por edhe si lider i përfaqësueses. Lala, Skela, Bogdani, Duro apo Cana janë elementë shumë të rëndësishëm për Euro 2012”. Edhe vetë Lala e vlerësoi fitoren përballë irlandezëve, ndërsa ka folur me optimizëm edhe për të ardhmen. “Ndeshja ishte e vështirë edhe për shkak të terrenit, por pavarësisht fushës bëmë një paraqitje mjaft të mirë. Në pjesën e parë natyrisht që luajtëm më mirë se në pjesën e dytë, edhe për shkak të lodhjes dhe rëndimit të fushës, që vështirësonte kombinimet. Këto janë ndeshje miqësore ku lojtarët mund të testohen dhe të tregojnë vlerat e tyre për Kombëtaren”, deklaroi 34-vjeçari. “Trajneri Kuzhe ka një plan, kemi punuar shumë mirë në grup dhe shpresojmë që në të ardhmen të arrijmë rezultate”. Më tej Lala foli edhe për refuzimin e Mërgim Mavrajt, pasi ka qenë i pranishëm në takimin që trajneri zhvilloi me mbrojtësin kosovar disa muaj më parë. “Ata u takuan në Hanover dhe patën një bisedë të shkurtër. Mavraj kishte shprehur dëshirën dy-tri herë për të luajtur me Shqipërinë, por qëndrimi që mbajti nuk ishte pozitiv. Po më doli përpara në ndeshjen tjetër që skuadra ime do luajë me Bokumin në Bundesligë do ta vras (qesh…)”, tha ai duke qeshur. Një rikthim i rëndësishëm në skuadrën kuqezi ishte edhe ai i Kristi Vangjelit. Mbrojtësi i Arisit të Selanikut tha: “Jam i kënaqur që ndjej sërish këtë atmosferë. Ishte një ndeshje e rëndësishme, e cila u ndikua edhe nga terreni. Morëm rezultatin që dëshironim dhe kjo është mjaft pozitive në kuadër të eliminatoreve. Skuadra ka bërë ndeshje të mira, ka shumë lojtarë të rinj. Shpresoj që në të ardhmen të kemi rezultate pozitive”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›