E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Shqipëri e bukur mposht Irlandën

Kuqezinjtë dominojnë kundërshtarin, sidomos në 45 minutat e para dhe fitojnë 1-0

Më në fund Shqipëria lë shenjën e saj, edhe pse në një miqësore. Kuqezinjtë mundin 1-0 Irlandën e Veriut në “Qemal Stafa”, ku mbi të gjitha ra në sy dominimi total i ndeshjes falë një loje të admirueshme, sidomos në 45 minutat e para. Kuzhe i qëndron besnik modulit të zgjedhur 4-2-3-1. Përveç lënies së Canës në stol, e reja e formacionit ishte Hidi në portë në vend të Beqajt. Dallku mori vendin e Canës në qendër të mbrojtjes përkrah Currit ndërsa në krahë u vendosën Lila dhe Vangjeli. Mesfusha niste me Lalën, para mbrojtjes, ndërsa pak përpara Duro, Bulku, Agolli dhe Skela më i avancuar, në mbështetje të sulmimit të vetëm, Bogdanit. Kundërshtari vjen në Tiranë me shumë mungesa, ndërsa terreni nuk është ai i duhuri. Pas minutave të para të ambientimit me fushën dhe me lojën e kundërshtarit, Shqipëria fiton terren dhe vë nën presion kundërshtarin, i cili për minuta të tëra nuk po mundej të dilte nga mesfusha e tij. Lila dhe Vangjeli shtyjnë deri në fundore, ku japin krose, të cilat në disa raste nuk kanë qenë të saktë, dhe në një rast Bogdani nuk koordinohet si duhet për të gjuajtur. Shqipëria kontrollon lojën në mesfushë, Skela e Duro duken në një ditë të mirë, ndërsa Lala e Bulku nuk lejojnë kundërshtarët, që të ndërtojnë aksione. Po ashtu funksionon më së miri edhe muri i mbrojtjes me Dallkun, Currin, por edhe Vangjelin në krah. Kuqezinjtë luajnë me pasa të shkurtër dhe i afrohen rrjedhshëm zonës së kundërshtarëve. Rastet për të shënuar nuk mungojnë. Në minutën e 11, Agolli gjuan nga një distancë prej rreth 35 metrash, topi kalon shumë pranë shtyllës pingule. Një shans të mirë e kishte edhe Duro pak më vonë, por gjuajta e tij nga pozicion i volitshëm në zonë, nuk është e saktë. Irlandezo-veriorët janë thuajse inekzistentë dhe në 45 minutat e para nuk ka mundur të rrezikojë as edhe një herë të vetme portën e Hidit. Ndërsa skuadra e Kuzhesë është vazhdimisht kërcënuese me Skelën në 20, por i pafat. Nëse portieri mik, Majk Tejlor ndali gjuajtjen e tij të parë, nuk pati shanse ta bënte këtë gjë në të dytën në minutën e 25-të: një goditje dënimi ballore e Skelës, që lëshon një gjuajtje të kalibruar, e cila do të përfundonte në rrjetë: një ekzekutim perfekt dhe një gol i mrekullueshëm, që i jep avantazhin Shqipërisë. Kuqezinjtë për minuta të tëra luajnë si skuadër e madhe dhe e bëjnë të duket jo realiste atë distancë prej 56 vendesh me kundërshtarin në renditjen e FIFA-s. Në fillimin e pjesës e dytë Salihi merr vendin e Bogdanit, por kuqezinjtë lëshojnë terren për kundërshtarët, të cilët fillojnë të ambientohen me fushën dhe t’i afrohen më shumë portës sonë. Në rastin e tyre të parë në këtë ndeshje (62’) tronditin traversën e portës së Hidit. Pas 20 minutave të para në fushë hyjnë dhe Cana për Lalën e Hyka për Agollin, Bakaj për Duron. Në minutën e 74 shpëton për mrekulli porta jonë, ku gjuajtja e parë e irlandezëve përplaset në shtyllë, ndërsa të dytën e ndal Hidi, për të ardhur më pas te ndërhyrja e gjyqtarit me ndërprerjen e lojës për faull. Ka pak minuta edhe për Kapllanin dhe Vilën. Vazhdimi lojës është i mirë për tanët, por deri në fund nuk ka më gola.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›