Dinamo e Vllaznia, klubet më të mira shqiptare në botë
Dinamo dhe Vllaznia janë klubet më të mira shqiptare. Një gjë e tillë është konfirmuar pikërisht dje pas botimit zyrtar të renditjes (së rinovuar çdo 6 muaj) nga Instituti Ndërkombëtar për Historinë e Futbollit dhe Statistikat (IFFHS). Janë marrë në konsideratë rendimentet e klubeve botërore (ndeshje zyrtare të zhvilluara, të vlerësuara me një koeficient vështirësie, i cili varion sipas kombeve), në një periudhë kohore prej 1 marsit 2009 deri më 28 shkurt 2010. Të dy klubet e mësipërme janë të vetmet që përfaqësojnë Shqipërinë në një listë me 355 klubet më të mira të botës. Por bie në sy se të dy ekipet tona kanë pësuar një rënie në krahasim me renditjen e tyre vetëm gjashtë muaj më parë. Dinamo, e cila në muajin shtator pozicionohej në vendin e 332-të, tashmë e shikon veten të 351-n me 66,0 pikë. Ndërkohë që Vllaznia, e cila para gjashtë muajsh ishte e 333-ta, në renditjen e fundit shfaqet menjëherë pas Dinamos në të 352-të dhe në të njëjtën kuotë pikësh, 66,0 pikë. Vetëm tri është numri i skuadrave, të cilat, edhe pse me pikë të barabarta (66,0 pikë), janë lënë pas nga klubet shqiptare: Al-Arabi Kuvait-Siti (Kuvajt), KSV Zulte Varegem (Belgjikë) e Borusia Mynshengladbah (Gjermani). Ndërkohë që për sa i përket renditjes së fundit, ajo vazhdon të kryesohet nga Barcelona, si skuadra më e mirë në botë.
#