“Shqipëria një vend që s’do ta ndalë asnjëherë progresin ekonomik”
Forumi i Investimeve SHBA-Shqipëri, Berisha: Jam shumë i inkurajuar për të punuar për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri
Pas përfundimit të Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri, në New York, kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në darkën me përfaqësues të kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane, pjesëmarrësve në Forum.
Në këtë mbrëmje, i ftuar nderi ishte Presidenti i kompanisë Coca – Cola Muhtar Kent, i cili ndau me të pranishmit eksperiencën e tij në Shqipëri, suksesin e projektit dhe të investimit të tij këtu. I pranishëm ishte edhe kongresmeni Eliot Engel.
Kryeministri Berisha i falënderoi biznesmenët amerikanë për pjesëmarrjen në këtë Forum dhe shfrytëzoi edhe një herë këtë event për t’i ftuar për të investuar në Shqipëri, një vend mikpritës, me potenciale të jashtëzakonshme dhe klimë miqësore për biznesin.
Duke i uruar mirëseardhjen në këtë eveniment, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do përsosë klimën e zhvillimit të biznesit në Shqipëri. Kreu i qeverisë vuri në dukje në prani të investitorëve amerikanë se qeveria e drejtuar prej tij do motivojë dhe nxisë përmes uljes së barrës fiskale të investimeve në huaja në vendin tonë. Berisha ftoi gjigantët amerikanë të investojnë në turizëm, pasi aty do të gjejnë një aset të çmuar ekonomik për shkak të potencialeve të çmuara turistike të Shqipërisë. “Miqve tanë amerikanë do t’u them se nëse shikoni në thellësinë e shpirtit të kombit tim, më e mira që do të gjeni në të është mikpritja. Unë kam qenë gjithmonë i frymëzuar nga ky virtyt. Në një kohë kur vendit tim i mungonte tërësisht tradita e turizmit, në një kohë kur Shqipëria ishte jashtë hartës së turizmit, isha i sigurt se mikpritja e kombit tim, e njerëzve të mi, është një aset i madh”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se në një hark shumë të shkurtër kohor, nga viti 2004 në vitin 2010, numri i vizitorëve dhe turistëve që erdhën në vendin tim u rrit nga 300 mijë në 3.5 milion.
“Në të gjithë artikujt e shkruar mbi Shqipërinë, një nga asetet më kyç dhe thelbësor thuhet se është mikpritja shqiptare. Qëllimi ynë është që ta kthejmë këtë mikpritje në një mbështetje të madhe për biznesmenët dhe investitorët. Kjo do të thotë reforma që eliminojnë pengesat burokratike. Në mëngjes herët citova në fjalën time, Ronald Reagan për politikat fiskale. Sot do ta citoj për një tjetër mësim që kam marrë nga librat e tij. Reagan shkruan se qeveria është problemi. Dhe ai thoshte një të vërtetë të madhe. Unë e konsiderojë këtë postulatin më të mirë që duhet mbajtur mend nga ata që qeverisin, çdo ditë, madje disa herë në ditë. Por kur vjen puna tek biznesi, burokracia, qeveria është problemi. Prandaj jam shumë i vendosur të bëj më të mirën për të lehtësuar barrën dhe pengesat burokratike”, theksoi kryeministri.
Ai citoi raportin për konkurrueshmërinë Botërore, një raport shumë serioz, i cili sipas kryeministrit është ndoshta një nga raportet më serioze të realizuara mbi konkurrueshmërinë në botë.
“Pashë pluset dhe minuset e Shqipërisë. Pash diçka që më gëzoi shumë, u gëzova që zbulova se Shqipëria renditej ndër 10 vendet e para në botë për vetë-kufizimin e qeverisë në ekonomi. Në atë renditje ne ishim të 9-tët. Unë ju siguroj se do bëj më të mirën time për të shkuar më tej, sa më e pakët ndërhyrja e qeverisë, aq më e mirë është performanca e ekonomisë dhe më e mirë do të jetë klima e biznesit”, tha më tej kryeministri.