Kristaq Kume: Të nisë reforma zgjedhore

Votimi elektronik në parlamentaret e 2013-ës, pjesë e tryezës së reformës zgjedhore me partitë politike
Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume, deklaron se “prej kohësh ka munguar vullneti politik ka munguar për të realizuar reformën zgjedhore”. Duke iu referuar standardeve që duhen plotësuar në zhvillimin e zgjedhjeve, Kume tha se të gjithë të mësohemi me standardet e BE dhe plotësimin e tyre, pasi sipas tij plotësimi i tyre sjell edhe cilësinë e zgjedhjeve. “Nuk duhet të pyesim më nëse shoqëria shqiptare është e aftë të bëjë zgjedhje të lira dhe ndershme, por duhet të pyesim a ka kapacitete shoqëria për të arritur këto standarde që kërkohen”- tha Kume. Duke ju referuar zgjedhjeve të fundit të 8 Majit, Kume tha se procesi zgjedhor ditën e zgjedhjeve ishte një tregues i pjekurisë. Por procesi i dytë që është numërimi është një pjesë dhe do të jetë e debatueshme dhe se proceset e stërzgjatura duhet të zgjidhen një herë e mirë. Ndaj sipas tij për ti dhënë zgjidhje këtyre problemeve që dolën gjatë këtij procesi zgjedhor është e nevojshme bashkëpunimi mes palëve politike për të bërë reformë zgjedhore. Ai përmendi edhe atë që ka deklaruar Tomas Kantrimen, që teknikisht zgjedhjet e 8 Majit ishin më të mira se ato të 2009, por politikisht jo dhe sipas tij Kumes palët në Shqipëri kanë vullnet të munguar për të bërë reformë zgjedhore. Kume tha se ndërkombëtarët kanë vënë re mungesë vullneti politik për këtë çështje. Nëse do të bëhen ndryshime sipas Kumes, ato duhet të jenë produkt i mazhorancës, opozitës dhe të gjithë atyre që janë pjesë e kësaj reforme.
Votimi elektronik, Kume: Të aplikohet për parlamentaret e 2013-ës, rezultate në kohë rekord/Votimi elektronik do të jetë pjesë e paketës së reformës zgjedhore. Një ditë pasi nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi ftoi numrin dy të PS-së, Gramoz Ruçin për reformën elektorale, kanë nisur të hidhen idetë e para për mënyrën sesi do të kryen zgjedhjet në vitin 2013. Ish kreu i KQZ-së, Kume, i mandatuar si kryetar i sekretariatit të tryezës së reformës zgjedhore thotë se një motiv më shumë për forcat politike, për të nisur nga puna hartimin e reformës elektorale, duhet të jetë integrimi i votimit elektronik për parlamentaret e 2013-ës. “Në tërësinë e mundësive që krijon teknologjia e informacionit për një proces zgjedhor, unë do të thosha që ne më afër jemi asaj ç’ka mund të realizohet nëpërmjet votimit, jo më me fletë por nëpërmjet një ekrani, klikimit në të. Gjë që do të thotë se kjo do të kërkojë të zgjidhë problemin e identifikimit të automatizuar të zgjedhësve, në funksion natyrisht, të pajisjes së të gjithë zgjedhësve shqiptarë me kartën e identitetit dhe shfrytëzimit të mundësive që ka baza e të dhënave për të identifikuar dhe mos lejuar votimin disa herë të të njëjtit zgjedhës dhe po ashtu mundësive që i krijon kjo mënyrë votimi për të mos votuar më shumë se një herë një zgjedhës dhe që vota e tij të numërohet menjëherë”- u shpreh Kume.
Votimi me fletë do të zëvendësohet nga votimi elektronik. Të gjithë votuesit do të zgjedhin siglën e tyre të preferuar nëpërmjet një ekrani me “touch-screen”.
Pasi ekrani të lexojë çdo votë, ajo do të printohet dhe do të hidhet në një kuti. Në këtë mënyrë rezultati do të dal në kohë rekord dhe do të marrin fund pikëpyetjet dhe debatet mbi votat e vlefshme dhe të pavlefshme. Kume thotë se ky sistem është aplikuar në formë pilot në Shqipëri dhe do të jetë pjesë e tryezës së reformës zgjedhore me partitë politike.