E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare raporton për realizimin e detyrimeve të Brukselit

18-07-2011 / Gazeta 55

Nesër në Bruksel mblidhet takimi i tretë i Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE

“Shqipëria duhet të marrë ‘statusin’ e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, brenda nëntorit të këtij”. Ky është qëndrimi i zyrtarëve të lartë të Brukselit, i cili vjen pas aplikimit të Shqipërisë një vit më parë për “statusin kandidat”, ndërsa në progres-raportin e Komisionit Evropian, vendi ynë duhet të marrë “notë pozitive”. Për t’i paraprirë vlerësimit të BE-së përmes progres-raportit, nesër në kryeqytetin e evropianëve, zhvillohet mbledhja e nivelit të lartë të delegacionit shqiptar dhe atij evropian. Delegacioni shqiptar dhe ai evropian do të diskutojnë lidhur me progresin e Shqipërisë, në kuadër të integrimit në BE. Në këtë takim do të bëhet një vlerësim i realizimit të detyrimeve që Shqipëria ka, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe prioriteteve të tjera të vendosura përpara Shqipërisë nga Bashkimi Europian. Konkluzionet e këtij takimi, pritet t’i japin një shtysë të re aspiratës së integrimit, për ta bërë Shqipërinë kandidat dhe më pas vend anëtar të bllokut 27 anëtarësh. Kjo mbledhje do të jetë një shans i Shqipërisë për hapat e saj drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, në një atmosferë të rënduar politike, ku opozita ka bojkotuar gjithçka dhe paralajmëron protesta gjatë sesionit të ri parlamentar. 
Ky është takimi i nivelit më të lartë midis Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ministrja e Integrimit Evropian Majlinda Bregu, gjatë raportimit të saj në komisionin parlamentar të integrimit, i bëri thirrje opozitës të bëhet pjesë e reformave të mazhorancës, duke shprehur votën në Kuvend. Të njëjtin apel ka përsëritur edhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Ai i ka bërë thirrje opozitës që të distancohet nga politika e rrugës, për të dhënë kontributin e saj në Parlament, siç edhe ka kërkuar Brukseli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›